E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibali: “Dukës i ka mbetur vetëm dorëheqja nga FSHF-ja”

Në kuadër të debateve të fundit midis Ministrisë së Sporteve dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, si dhe menjëherë pas daljes së vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, në një intervistë për "Telegraf", zëvendësministri i MTKRS-së, Neritan Alibali ka bërë me dije arsyen pse duhet bërë auditimi në këtë dikaster. Gjithashtu ai nuk la pa përmendur edhe financimet dhe projektet e ministrisë për sportin.
Cila është e vërteta e konfliktit federatë-ministri dhe cfarë kosto ka patur ky për futbollin?
E vërteta e konfliktit ministri-federatë është thjesht kërkesa nga ana e ministrisë për të bërë një audit të brendshëm të federatës sipas ligjit pasi për gjashtë vjet rrjesht Federata Shqiptare e Futbollit në kundërshtim me ligjin nuk i ishte nënshtruar një auditi të brendshëm. Normalisht ishin ditët e para që ne kishim marrë në dorëzim ministrinë mbas tre korrikut dhe fillimisht kërkuam të bëhej auditi dhe një shkresë për audit të pjesshëm i ka shkuar federatës, por gjatë marrjes në dorëzim të të gjitha dokumentacioneve na rezultoi që Federata e Futbollit kishte gjashtë vjet dhe sipas rregullit duhej një herë në dy vjet të bëhet auditi i përgjithshëm i brendshëm dhe një herë në dy vjet auditi i pjeshëm. Federata Shqiptare e Futbollit nuk pranoi të lejonte grupin e auditit të ministrisë dhe kjo bëri që të vazhdonin problematikat. Unë disa herë i kam thirur drejtuesit e federatës në emër të ministrisë për të gjetur mundësinë e zgjidhjes së këtij konflikti që po lindte. Ata nuk pranuan pasi e konsideronin federatën krejtësisht të shkëputur nga administrata shtetërore dhe nuk pranuan të bëhej auditi. Cfarë do të kishte të mirë auditi? Nëqoftëse auditi do të ishte zhvilluar në Federatën Shqiptare të Futbollit atëherë do të zbulonte pikërisht këto probleme që kishte edhe me statusin me regjistrimin e ndryshimeve të statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe dihet që institucioni i auditit nuk është institucion veprues. Është institucion këshillues dhe rekomandues dhe auditi do të linte rekomandim që ndryshimet në statut të bëheshin sipas rregullave dhe brenda një viti sepse cdo vit auditi që shkon kërkon edhe zbatimin e detyrave të lëna, pra rekomandimeve të lëna. Pra do kishte federata një vit kohë që të bënte ndyshime sipas ligjit duke ardhur duke i firmosur te ministri pë t'i regjistruar në federatë. Absolutisht nuk u bë kjo dhe ne nuk na mbeti gjë tjetër t'i drejtoheshim rrugës gjyqësore pasi dhe asambleja që u zhvillua në shkurt rezultonte të ishte krejtësisht e paligjshme. Neve pavarësisht atyre që u deklaruan nga federata dhe atyre që u shkruan në media, ne i qëndruam logjikës së ligjit dhe iu drejtuam institucioneve ligjore që zgjidhin konfliktet që është gjykata. Kemi fituar në Gjykatën e Faktit, kemi fituar në Gjykatën e Apelit që është vendim i formës së prerë. Megjithatë cuditërisht kryesia e Federatës Shqiptare të Futbollit vazhdon t'i qëndrojë me këmbëngulje logjikës së saj që Federata Shqiptare e Futbollit nuk i nënshtrohet ligjeve të shtetit dhe nuk i nënshtrohet kontrollit të institucionit në aspektin e financimeve të ligjshmërisë. Asnjëherë për asnjë arsye ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve as nuk ka pretenduar që në kundërshtim me ligjin Federata Shqiptare të bëhet institucion vartësie. Ne kemi probleme me federatat e tjera që të cilat kërkojnë të vihen në varësi të shtetit dhe ne u deklarojmë prerë që ligji nuk lejon një gjë të tillë.
Cdo veprim i juaji konsiderohet si tendencioz nga drejtuesit e federatës. Sa e vërtetë është kjo?
Fillimisht këtë deklaratë të drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit unë e kam konsideruar si një pjesë të një fushate elektorale që bënin drejtuesit kryesorë të saj për t'u rizgjedhur në postet që ata kërkonin, pra federata e përdori politiksht konfliktin, ndërkohë që ne nuk kishim absolutisht asnjë interes për ta zhvilluar konfliktin. Për ne nuk është e rëndësishme se kush drejton Federatën Shqiptare të Futbollit apo cdo federatë tjetër. Mund t'u them që në instituciont drejtuese të Federatës Shqipatre të Futbollit ka më tepër anëtarë të Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane sesa anëtarë të Partisë Socialiste nëqoftëse do ta shikonim na aspektin politik. Ne nuk na intereson se kush zgjidhet sepse është e drejtë e komunitetit të zgjedhë drejtuesit. Për ne është e rëndësishme që në procedurat e zgjedhjeve të zbatohet ligji sepse tek e fundit për këtë jemi neve për të parë zbatueshmërinë e ligjit në procedurat e zgjedhjes.
Pas letrës së publikuar nga UEFA ku mbante firmën e presidentit të këtij organizmi Lenart Johanson dhe e shpërndarë në mediat nga zyra e shtypit të FSHF-së, ministria ka deklaruar se në adresë të saj nuk ka mbërritur ndonjë faks i tillë...
Praktikisht deri në momentin që është bërë deklarata nga zyra e shtypit është kërkuar edhe në protokoll dhe kudo dhe nuk kishte një deklaratë të tillë. Mbas një dite deklarata erdhi e si duket është cështje teknike. Megjithatë kjo nuk është aspak e rëndësishme në këtë gjë. I rëndësishëm është fakti që në cdo moment për cdo arsye, cdo ngjarje që ka ndodhur ne kemi njoftuar UEFA-n dhe FIFA-n pasi kemi konsideruar që gjërat duhet të zgjidhen me gjakftohtësi pa presione të brendëshme dhe në mënyrë të tillë që futbolli shqiptar të mos pësojë dramë. Kjo është logjika jonë. Përsa i përket faksit të UEFA-s ne e kemi studiuar me vëmëndje dhe nuk kemi konstatuar ndonjë gjë që bie ndesh me ndonjë gjë me konceptin tonë për zgjidhjen e konfliktit. Është normale që të pritet zbardhja e një vendimi të një Gjykate Apeli që dhe palët të gjykojnë mbi këtë vendim dhe natyrisht është normale pasi është koncept europian që asnjë institucion nuk mund të kundërshtojë një vendim gjykate të formës së prerë. Logjikat që unë kam dëgjuar në shtyp që UEFA apo FIFA apo drejtues të lartë të tyre i kanë kërkuar shtetit, ministrisë që të mos zbatojë vendimet e gjykatës nuk funksionojnë në Europë, nuk funksionojnë në mentalitein e UEFA-s dhe mentalitetin e drejtuesve të tyre. Logjika në Europë është që ligji duhet zbatuar dhe që vendimet e gjykatave duhet të zbatohen. Dhe kërkesa e tyre për kontakte dhe për gjetjen e një zgjidhje politike pra një bisede-kontakti për zgjidhje politke me ministrin Leskaj presupozon pikërisht këtë si mund të kalojmë në një tranzicion të butë drejt ndryshimeve në federatë.
Duke marrë shkas nga incidentet e fundit në futbollin shqiptar, cili është komenti juaj lidhur me këtë dhunë dhe me masat e marra nga federata ?
Unë mendoj që është pikërisht kjo situatë në kokën e federatës, kjo situatë jo legjitime, e cila ka bërë që situata pastaj të degjenerojë dhe në bazë dhe në stadiume. Dhe unë jam shqetësuar shumë kur ka arritur dhuna dhe në stadiumin e Përmetit që shquhet për qytetari dhe për Fair-play, atëherë mund të thuhet me plot gojë që cështjet kanë precipituar në situatë të vështirë. Përsa i përket plagosjes së sportistit të shquar, personalitetit të madh të futbollit tonë zotit Mema dhe të gjithë atyre gjyqtarëve janë raste të cilat përbëjnë precedentë penalë ku drejtësia duhet të ndalet me forcë. Pra unë mendoj që kjo situatë e tillë i bën edhe shkaktarët e incidenteve të ndjehen më të lirshëm për të vepruar kështu. Pra ne nuk jemi të gëzuar që kemi fituar gjyqet sepse kemi qenë gjithmonë të bindur që gjyqet do fitohen sepse e drejta ishte në anën tonë, por duke fituar gjyqet nuk kemi zgjidhur problemin. Problemi zgjidhet kur një asamble e organizuar e futbollit shqiptar do të zgjedhi organet e tij legjitime. Kjo është e rëndësishme.
Sapo është miratuar buxheti për sportin. Cfarë investimesh ka planifikuar ministria në të gjitha disiplinat dhe a ka ndonjë strategji nga ana juaj për një stimulim në sportet ku ne kemi patur përfaqësime dinjitoze?
Është akoma herët për të përcaktuar grantin. Nuk i kemi ndarë grantet nëpër federata. Tani aktualisht jemi në analizën e realizimit të financimeve për vitin 2006. Unë ndoshta në datën 20-21 do të dalë në një konferencë shtypi për të dhënë informacione për atë cfarë ka ndodhur. Ajo që mund t'iu them paraprakisht është se gjatë vitit 2006 u dhanë më tepër para për projektet për federatat në përgjithësi. Ajo që mund të them është se ka patur më tepër projekte sportive, ka patur shumë më tepër shpërblime, ka ndryshuar gjithë koncepti dhe ligjërisht i shpërblimit të sportistëve cilësorë. Mund të jap mjaft shifra për këta sportistë. Unë i kam dhënë në një emsionin televiziv shifrat e parave që kanë marrë, megjithëse rezultatet e tyre janë bërë para vendimit të Këshillit të Ministrave për shpërblimin e nivelit të lartë sportiv përsëri edhe ministria edhe Këshilli i Ministrave nga fondi rezervë i ka shpërblyer. Përvec kësaj klubet që janë shtetërore ku ata stërviten u kanë dhënë paga të mira, relativisht të mira, megjithatë ne kemi shumë për të bërë akoma. Por situata ka ndryshuar 100 për qind krahasim me cka qenë 1 ose 2 vjet përpara pa diskutim. Gjithsesi ne kemi 2 projekte. Tashmë njëri e ka një përvojë se kemi zhvilluar "Talent 2006". Është realizuar për talentet e shkollave. Ka qenë projekt pilot në 4 qytete të Shqipërisë. Ndërsa "Talent 2007" do të bëhet në 8 qytete të Shqipërisë dhe vit mbas viti do shtohen qytetet për ta bërë një aktivitet, një projekt për talentin e cdo viti, të cilit i evidentohen në bazë të aktiviteteve sportive që bën dhe pastaj i dërgohen pranë klubeve sportive. Një nga drejtimet e reformës që do të bëjmë nëpër shkolla, është riorganizmi i sporteve në shkolla me ngritjen e klasave sportive nga klasa e parë deri të nëntë dhe pastaj shoqatave kulturore sportive në shkollat e mesme dhe në universitete. Një nga drejtimet kryesore është edhe përthithja dhe zbulimi i talenteve të reja. Prandaj po vëmë në baza shumë institucionale këtë gjë. Bashkëpunimi është i plotë edhe më ministrinë e Arsimit. Kemi rënë dakord dhe grupi është i përbashkët me specialistët tanë dhe të atyre. Përsa i përket "Talentit 2007" është një aktivitet që zhvillon ministria, një projekt i ri i ministrisë me drejtoritë arsimore të qyteteve përkatëse. Pra jemi në valën e një reforme vërtetë të madhe në lidhje me sportin shqiptar. Natyrisht janë ngritur dhe disa grupe pune, të cilët po ndërtojnë disa instrumenta bazë të vlerësimit të punës të federatave sportive dhe mbi bazën e koficentëve të përcaktuar nga instrumentat bazë do të bëhet vlerësimi i punës së federatave dhe mbi bazën e arritjes së cdo federate do të ndahet edhe fondi grant. Ky është konceptimi im.
Terrenet sportive janë drejt zhdukjes. Sipas jush kush janë përgjegjësit, bashkitë, ministria dhe kur do të jetë Shqipëria një vend normal për këto terrene?
Unë do të thoja që cështja e terreneve sportive ka vite që po agravon drejt nivelit zero. Është një shqetësim i jashtëzakonshëm i joni pasi edhe investimet për terrenet sportive në vitet e kalura kanë qenë në nivele shumë të ulta. Janë hedhur para si për terrene sportive cilësore, por janë hedhur para' edhe për fusha fshatrash futbolli, investime të cilat kanë shkuar dëm. Ne kemi një politikë të re që e kemi përfshirë edhe në planin buxhetor afat mesëm. Është rritur përqindja e investimeve në sport. Kemi projekte që terrene të tilla sportive sic është kompleksi Dinamo, kompleksi Studenti, të cilat janë të klubeve sportive që janë shtetërore akoma të kthehen në terrene të vërteta me parametra të lartë ndërkombëtarë dhe cilësorë ku të stërviten dhe të zhvillojnë aktivitete sportive si ekipet kombëtare dhe ekipe të tjera dhe për sportin për të gjithë. Jemi në punë për zbatimin e projektit që quhet "Riorganizimi i sportit në shkolla" që një nga drejtimet kryesore të tyre janë edhe investimet për infrastrukturën sportive në shkolla, për palestra, për terrenet sportive në mënyrë që duam t'i kthejmë dhe ato në pika ose në terrene sportive ku të rinjtë, studentët, nxënësit e shkollave të rikthehen në ambjentet e tyre të studimit për të bërë sport, pra është një politikë për sportin për të gjithë por natyrisht terrenet nuk mund të rregullohen brenda nëj viti pasi ka edhe cështje të fondeve. Në këtë gjëndje që janë terrenet janë aq shumë të shkatërruara saqë duhet për vite të tëra buxheti i vazhdueshëm për t'i rikthyer në kushtet ku ato duhet të jenë. Nga ana tjetër terrenet, stadiumet nëpër rrethe varen nga bashkitë dhe ne presupozojmë të kemi një marrëveshje me bashkitë në mënyrë që edhe me investimet tona këto terrene të kthehen aty ku janë, por është një punë jashtëzakonisht, ndoshta puna më e vështirë që kemi marrë përsipër të realizojmë.
Cilat janë masat konkrete e marra nga ministria e sporteve lidhur me parandalimin e përdorimit të substancave doping?
Jemi në zhvillimin e këtij aktiviteti. Do fillojë fushata antidoping, një fushatë publicitare. Së dyti i kemi dërguar një vendim të Komitetit Kombëtar Antidoping të gjithë federatave dhe ku thuhet asnjë sportist nuk do të marrë pjesë në asnjë kompeticion kombëtar ose ndërkombatër pa pasur një certifikatë të firmosur nga shefi i klubit nga mjeku, nga trajneri ku vërtetohet që ky sportist nuk përdor substanca dopinge. Vetëm me këtë certifikatë të verifikuar, mundet një sportist të marrë pjesë në kampionatet, në të kundërt nëqoftëse nuk e ka këtë do të përjashtohet. Ky është një vendim i marrë që ka filluar të zbatohet, domethënë janë informuar si federatat dhe klubet sportive. Ajo që ne duam të realizojmë është që në laboratoret më specifikë, më të specializuar të Europës, ne kemi filluar kontaktet me Greqinë, Italinë dhe Austrinë, për të parë mundësinë e bërjes në laboratoret e tyre të analizave më specifike të sportistëve tanë kur shkojnë dhe marrin pjesë nëpër gara ndërkombatëre, në mënyrë të mos ndodhemi para fakteve negative kur sportistët tanë të dalin pozitiv.
Bisedoi: Olgert Serani

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›