E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj: Duhet një kandidat politik. Nëse Rama lë tekat, mund të jetë konsensual

Share

Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, deklaroi për Ora News se maxhoranca do ta shmangë maksimalisht rënien në kurthin e numrave në raundin e katërt për Kreun e ri të Shtetit, pasi sipas tij zgjedhja e një Presidenti konsensual do ti shtronte rrugën të zgjedhurit për atë post të vepronte i qetë në mandatin 5 vjeçar të tij.

Duke mos gjetur një arsye të mosarsyes të zotit Rama duhet o të vendosim rregulla se si duhet të zgjedhim një President, ose të kalojmë direkt në emra. Ajo që është e sigurt se do të ndodhë është se të hënën kemi një seancë votimi dhe pas të hënës seancën e fundit. Në të katërtin raund kurrsesi nuk biem në kurthin e numrave, në 71. Ne jemi në çdo rast për një figurë presidenciale konsensuale, jo për ti bërë qejfin një tekanjozi si zoti Rama, por për të dëshmuar një pjekuri dhe emancipim politik. Presidenti i ri i Shqipërisë në mënyrë që të ushtrojë mandatin e tij 5 vjeçar në mënyrë të paqtë, që të jetë unitet i kombit shqiptar, do duhet të marrë këtë legjitimet moral që në zgjedhjen e tij, në të kundërt ai do të ishte i cenuar, i gjymtuar, tha Alibeaj.

Pas tërheqjes nga gara të kandidatit jozyrtar të maxhorancës, Alibeaj gishtin e drejton nga politika, pasi sipas tij të bërit karshillëk figurës së Xhezair Zaganjorit me një figurë me të njëjtin ngjyrim do të ishte një fyerje, në kushtet e mospasjes asnjë akuzë publike kundrejt integritetit të tij.

Unë mendoj që Presidenti i Republikës, siç është vizatuar nga Kushtetuta, ka dy lloj kompetencash, ato juridike-gjyqësore dhe së dyti ai duhet të dalë si një figurë politike për raste decizive për vendin. Deri më sot ka vuajtur në të qenit një figure e moderuar politike, për këtë jam i mendimit që duhet të jetë figurë politike e testuar dhe e stazhinuar. Për sa kohë Rama s`dha asnjë arsye në kundërshtimin e figurës së Zaganjorit do të ishte fyerje të nxirrnim një figurë që të kishte të njëjtin ngjyrim me atë të Zaganjorit. Të qenit politik, por joekstremisht politik do të ishte më e arsyeshme. Mundësitë dhe hapësirat janë, kohë për tu dhënë hapësirë tekave dhe mosbesimit të Ramës nuk kemi. Posti i Presidentit mund të ishte një post pensionisti, nuk mund të rrimë në këtë çështje kur kemi angazhime më të mëdha përpara, shtoi ai.

Ndërkaq deputeti demokrat e ka vlerësuar lëvizjen e Zaganjorit një akt të pastër presidencial, një lëvizje në funksion të pajtimit të gjakrave, duke u sakrifikuar vetë. Alibeaj nuk ka lënë pa akuzuar kreun e PS si dirigjent të gjithë këtij ngërçi, duke e cilësuar taktikën e tij një përpjekje për bllokimin e procesit dhe statusit kandidat.

Lëvizja e kandidatit jozyrtar të mazhorancës ishte një akt i pastër presidencial, për të mos u bërë pjesë e ngërçeve të Edi Ramës. Është nga ato lëvizje që pajtojnë gjakrat, në këtë rast i sakrifikuari ishte Zaganjori. Një figurë si ai Shqipëria i ka të rralla, ai kishte treguar një ftohtësi, objektivitet në fushën ku ka vepruar. Liderët partiakë duhet të jenë ata që injektojnë leksione demokracie, kjo është sjellja më e mirë e një politikani, siç duket ai ishte jo i duhur për Ramën. Duhet të dimë arsyet se përse nuk u pranua varianti A, në mënyrë që të korrigjohemi në atë B, PS nuk dha asnjë arsye. Problemi i madh që pengon konsensusin është masa e madhe e mosbesimit të një individi të vetëm, siç është zoti Rama. Ajo që ne na mbetet është të jemi të hapur dhe të sinqertë. Ne mund të japim vetëm mundësi dhe hapësirë për opozitën. Mendoj se në raundet e 4 dhe 5 do duhet dhe do ketë hapësira për konsensus, por e sigurt është se nuk do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Zoti Rama së bashku me minorancën synojnë të prodhojnë një President që të mos ketë mbështetjen e të gjithë spektrit politik, për të pasur një mundësi për ta anatemuar më pas, ndoshta duke hedhur dhe vallen për mosmarrjen e statusit në vjeshtë, përfundoi Alibeaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›