Kandidati Nano, moral-politika dhe real-politika
Pas vetë-largimit të Xhezair Zaganjorit nga gara presidenciale, kandidati i vetë-ofruar Fatos Nano, i cili ka marrë njëfarë përkrahje publike nga ambasadori amerikan në Tiranë, u bëri edhe një herë thirrje kryetarëve të partive parlamentare që ta zgjedhin në postin e Presidentit të Republikës, si një figurë që mund të realizojë unitetin e popullit. PD-ja dhe LSI-ja, pa iu referuar drejtpërdrejt Nanos, bënë të qartë në deklaratat e tyre se do të shkojnë në raundin e 4-të të votimit për president me një kandidat tjetër të mazhorancës, që do të zëvendësojë kandidatin Zaganjori. Pra, lajme jo të mira nga fronti i mazhorancës për Nanon
Nga ana tjetër, PS-ja i bëri thirrje mazhorancës për gjetjen e një kandidati konsensual në konsultim me opozitën. Kjo thirrje nuk e përjashton domosdoshmërisht Nanon nga skena e një presidenti konsensual, por mazhoranca duket e vendosur që të përdorë të njëjtën skemë të njëanshme që përdori në përzgjedhjen e Zaganjorit. Dhe duke qenë se në raundin e 4-të presidenti mund të zgjidhet edhe me 71 vota, Nanos do ti mbetej vetëm shansi i zgjedhjes me votat e opozitës, në qoftë se ajo e paraqet zyrtarisht si një kandidat alternativ në garën për 71 votat.
Politika morale do të kërkonte që Nanos, jo vetëm të mos i përmendej emri në debatin e sotëm publik rreth presidentit, por ndoshta të ishte ende në një vend që i fillon emri me b dhe i mbaron me g. Ndërsa llogaritë e ftohta të politikës reale mund ta nxjerrin atë si kandidatin e opozitës që do të sfidojë kandidatin e njëanshëm të mazhorancës në raundin e 4-t të votimit për president.
Jetojmë në një Shqipëri reale, jo morale
http://respublica.al/artikuj/2012/6/8/kandidati-nano-moral-politika-dhe-real-politika
