Alibeaj: Ka fakte për akuzat ndaj Prokurorisë
Ish-ministri i Drejtësisë, deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj në një prononcim për median u shpreh se “vërejtjet për punën e Prokurorisë së Përgjithshme janë konstatuar dhe nga kontrollet periodike individuale ose në total të Inspektoratit të Ministrisë”. Sipas Alibeaj, akuzat e lëshuara nga katër krerët e institucioneve të pavarura, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Inspektorati i Deklarimit të Pasurive, Komisioni Qendror i Zgjedhje dhe Avokati i Popullit janë konstatuar dhe nga inspektimet nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. “Ka rezultuar që një sërë çështjesh, një numër prokurorësh në veprimtarinë e tyre kanë bërë që të mos respektohen afatet e hetimit, të mos ketë standard unik dhe të njëjtë në trajtimin e çështjeve të ngjashme. Dhe të gjitha këto janë të pasqyruara në raportet përkatëse që i janë përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme”, thotë Alibeaj. Sipas ish ministrit, akuza është tërësisht apolitike dhe do të verifikohet në Komisionin e Ligjeve, gjatë raportimit të Ina Ramës në këtë komision. “Duket të paktën nga pretendimet e drejtuesve të këtyre institucioneve që, Prokuroria ka “çaluar” ca, në rastet kur Avokati i Popullit ka parë se shumë çështje zvarriten. Cilësia e hetimit, sipas Avokatit të Popullit nuk ishte më e mira e mundshme. Apo rasti i paraqitur nga KQZ për standarde të dyfishta. Ndoshta dhe prokuroria kur të vijë para Komisionit të Ligjeve do të thotë, si kundërpeshë ndoshta dhe akuzat e veta ndaj këtyre institucioneve”, thekson Alibeaj. Gjatë javës prokurorja e përgjithshme, Ina Rama pritet të paraqesë në Komisionin e Ligjeve raportin e punës së saj 1-vjeçare. Vitin e kaluar për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme, kryepro-kurorja Rama nuk mundi të bëjë raportimin e saj vjetor në Kuvend.