E Diel, 1 Nëntor 2026

Fino: Statuti nuk do lejojë më daljen kundër vendimeve të PS, Blushi më pëlqeu në Asamble



Aristir Lumezi

Ish-kryeministri socialist, deputet i qarkut të Fierit, Bashkim Fino, flet në një intervistë ekskluzive për “Panorama” se, ndryshimet statutore që po përgatiten do të synojnë disiplinën e brendshme në PS dhe forcimin e rolit organizativ të PS në rrethe. Fino u kërkon deputetëve të Mendimit Ndryshe të reflektojnë deri në kongres, ndërsa nuk përjashton dhe votëbesimin e asamblesë në kongresin e 18 prillit, nëse kjo do të kërkohet nga delegatët.
Zoti Fino, u bënë rreth tetë muaj që PS ka vendosur një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin, por asnjë reagim pozitiv në ato kërkesa që ju keni parashtruar. Nisur edhe nga debati dhe replikat që ju patët me kryeministrin në Parlament, prisni sinqerisht që të ketë një dritë jeshile nga ana e maxhorancës, që do të çonte në një zgjidhje të kësaj krize?
Ne jemi një forcë kryesore demokratike evropiane në Shqipëri dhe i presim të gjitha këto që ju parashtroni. është në dorën e tyre në fund të fundit, ata janë maxhorancë dhe mbajnë përgjegjësi edhe për drejtimin e shtetit dhe për zhvillimin e zgjedhjeve. Ne si opozitë e kemi bërë punën tonë, korrekte, të ndërgjegjshme, kemi dëgjuar faktorin ndërkombëtar, kemi shkuar në Parlament, jemi duke shkuar në çdo seancë plenare me atë gjykim të kushtëzuar që kemi ne për Parlamentin, për të kërkuar transparencën, e cila është shumë e rëndësishme që të bëhet njëherë e përgjithmonë, që të mos kemi më probleme të këtij lloji në zgjedhjet e ardhshme.
Në Parlament në ditët në vazhdim do të kërkohet edhe vota e opozitës për miratimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese apo Gjykatës së Lartë, Avokati i Popullit. Cili do të jetë pozicioni i opozitës për të mos bllokuar funksionimin e këtyre institucioneve?
Unë mendoj se do të vijë duke u shtrënguar ky presion që po bën realisht opozita, jo vetëm nga faktori ndërkombëtar, jo vetëm nga opozita, por edhe nga këto institucione të pavarura. Votimi për Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese apo Gjykatën Administrative janë ligje që kërkojnë dhe konsensusin dhe votim të opozitës. Për hir të së vërtetës, kur ne kemi qenë në pushtet, asnjëherë nuk i kemi votuar këto institucione, pa konsensusin dhe prezencën e opozitës së atëhershme. Ky do të jetë një presion plus që e kërkon koha dhe momenti kohor, kur do të kërkohet zëvendësimi i anëtarëve të gjykatave. Unë mendoj se është e domosdoshme që PS të jetë prezente në Parlament dhe të japë edhe ajo verdiktit e saj, që të kristalizojë dhe konsolidojë këto institucione, por në momentin kur ne nuk na jepet gjëja kryesore që kërkojmë, transparenca e zgjedhjeve, nuk ka sens që të jemi si garniturë në Parlament për të miratuar disa institucione, të cilat duhet të funksionojnë, dhe unë jam plotësisht dakord që ato të funksionojnë.
Në këtë kontekst, si e vlerësoni apelin e Presidentit Topi?
Unë e kuptoj me shumë dashamirësi kërkesën e Presidentit Topi, kur thotë që PS duhet të jetë në Parlament për të votuar, është normale, por përpara se të bëjë këtë kërkesë, Presidenti duhet që të kërkojë me forcë nga maxhoranca e vet, nga e cila ka dalë, që të jetë e vetëdijshme për atë që kërkon opozita. Kërkesa jonë sot është kthyer në një kauzë që është fituar. Duam apo s’duam ne, sot të gjithë shqiptarët flasin për këtë çështje. Jo vetëm kaq, por e gjithë opozita është e këtij mendimi, madje edhe pjesa tjetër e njerëzve thonë se në fund të fundit transparenca e zgjedhjeve duhet bërë. Kjo do të na çojë në një ngërç edhe për funksionimin e këtyre institucioneve. Pra, rikthej edhe njëherë në vëmendje se përgjegjëse kryesore e kësaj situate është PD-ja dhe maxhoranca e saj.
Zoti Fino, ju keni një përvojë në organizimin e partisë, keni qenë sekretar organizativ, ndërkohë që jeni pjesë e grupit të punës për ndryshimet statutore. çfarë presin socialistët nga këto ndryshime?
Ka disa ndryshime kryesore, mbase nuk jam shumë dakord që disa nga ato që propozohen, të bëhen në statut. Mendoj se si hap i parë, ne jemi duke forcuar zgjedhjen e strukturave të partisë në komunë dhe bashki, jemi duke riorganizuar strukturën e PS-së së rrethit, për të cilën unë jam kundër, për hir të së vërtetës, pasi ne e kishim më parë, por tani ne e ngremë në nivel rrethi me një asamble të fuqishme të tij, etj. Jam kundër dhe do ta them edhe në Asamble e në Kongres, për shkak se ne tashmë jemi parti elektorale dhe funksionale dhe si parti e tillë luftojmë të fitojmë zgjedhjet vendore dhe parlamentare. Edhe partia kërkohet të organizohet në këtë nivel, pra në nivel bashkie dhe komune, për të arritur këtë fitore në zgjedhje. Koncepti i rrethit për mua, si njohës i mirë i pushtetit lokal, sot nuk ekziston. Në këtë pikëpamje, ne s’mund t’i kthehemi traditës së rrethit. Nuk është ndonjë handikap i madh, sepse është një strukturë e dytë, që do të koordinojë punën e bashkive dhe komunave të rrethit. Mendoj se më racional organizimi i PS do duhet të ishte në bazë njësive vendore.
Në lidhje me parimin “1 anëtar 1 votë”, ka propozime për modifikimin e tij për zgjedhjet e ardhshme në PS?
Një moment tjetër është funksionimi i partisë dhe zgjedhja e drejtuesve përmes parimit “1 anëtar, 1 votë”. Nga 2007-ta e tutje, kur ne e kemi aplikuar, kemi nxjerrë anët pozitive e negative të këtij parimi. Rishikimi që duam t’i bëjmë këtij parimi shmang rrezikun e parcelizimit të partisë, për të mos futur frymën e një debati dhe përplasje në PS, d.m.th. ky parim, unë mendoj se do duhet përdorur për zgjedhjen e kryetarit të PSSH, të kryetarit të organizatës së partisë dhe për zgjedhjen e delegatëve të kongresit. Ndërsa kryetarët në komuna dhe bashki e në rreth, do të mund të zgjidhen brenda strukturave të asamblesë, përmes një gare të hapur. Madje për kryetarin e rrethit do të votojnë jo vetëm kryetarët e komunave dhe bashkive, por edhe të gjithë kryetarët e organizatave socialiste, duke shprehur një vullnet edhe më të gjerë.
çfarë përfitimi do të sjellë kjo?
Përmes kësaj zgjedhjeje, do të eliminohen disa fenomene, si anëtarësimet fiktive. Gjatë fushatave zgjedhore, numri i anëtarësisë rezultonte fiktiv, njerëzit fironin dhe ai numër nuk u përgjigjej nevoja të partisë.
është folur në grupin e punës për vendosjen e postit të sekretarit të përgjithshëm, apo nënkryetarit të PS?
Janë hedhur disa ide dhe propozime, për sekretar të përgjithshëm, për nënkryetar, madje nënkryetari të jetë edhe kryetar i grupit parlamentar, por kjo mbetet një çështje që do të diskutohet në Asamble. Gjithashtu, ne kemi vendosur këtë radhë në statut një nen, që edhe pse kemi diversitet mendimesh, sanksionon respektimin e vendimit të shumicës. Sipas këtij neni, kërkohet që pas një vendimmarrje të shumicës, kur dalim nga një mbledhje, çdo anëtar i PS duhet të ruajë edhe në publik dinjitetin e vendimit të shumicës.
Pra, deputetët apo anëtarët e Asamblesë nuk duhet të shprehin apo argumentojnë mendimin, ose votën e tyre ndryshe në publik... ?
është normale, sepse edhe unë e thashë që jam kundër idesë së krijimit të kryetarit të PS së rrethit, por nëse këtë e vendos Asambleja dhe Kongresi, atëherë unë jam i detyruar që kur të bëhen zgjedhjet e kryetarit të rrethit në Lushnjë, ku unë jam deputet, të mbroj vendimin e Asamblesë dhe Kongresit dhe s’mund të shkoj atje e të them se “unë kam qenë kundër këtij propozimi dhe nuk do ta zbatoj këtë vendim, prandaj duhet ... !” Përkundrazi, unë do të shkoj atje, do të marr pjesë aktivisht, do të ndikoj që puna në këtë strukturë të bëhet sa më mirë etj.
Pritet që në kongresin e 18 prillit të ketë një votëbesim të Asamblesë Kombëtare e më pas Asambleja të votëbesojë Kryesinë socialiste?
Nuk e di një gjë të tillë, sepse rendin e ditës të Kongresit do ta caktojë Asambleja Kombëtare. Di që do të kemi një Kongres politik dhe organizativ. Asgjë nuk është e mbyllur, është e drejta e Kongresit që mund të kërkojë edhe rinovim të Asamblesë Kombëtare, ashtu siç mund të vazhdojë me këtë Asamble siç është, sepse për hir të së vërtetës, ne nuk jemi në një kongres zgjedhor. Por kjo nuk e humbet të drejtën që, nëse ka kërkesa sipas statutit, rinovimi mund të bëhet.
Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare, Ben Blushi ka kërkuar që ky kongres të jetë më shumë një kongres politik, i bashkimit të PS-së, se sa një Kongres statutor...
Kam përshtypjen se Ben Blushi në Asamblenë e fundit ishte më këmbë në tokë, foli më realisht dhe mua më pëlqeu sinqerisht. Shumë nga elementët e diskutimit të tij, edhe në fund të Asamblesë u reflektuan, në sensin që ne morëm një vendim, thamë se Kongresi do të jetë një kongres politik dhe jo thjesht një organizativ për ndryshim statuti, sepse nuk mund të mbledhësh një kongres për të miratuar ca nene statuti, në të do bëhet një analizë politike e periudhës tetëmujore. Pra, jemi në një gjatësi vale bashkërisht të gjithë, sepse edhe ne e kërkojmë atë që Blushi shprehu në asamblenë e fundit. Juve ju pëlqen që kur flet Blushi ta trajtoni më bukur se një deputet tjetër. Por përsëri edhe Blushi është pjesë e jona dhe unë jam absolutisht pro idesë së bashkimit të së majtës dhe të të gjitha vlerave që ka PS-ja, por duke respektuar nenin 6 të statutit, që pasi vendosim të gjithë si shumicë, ky vendim është i detyruar të zbatohet nga të gjithë, qoftë nga ata që kanë një mendim ndryshe, qoftë nga ata që mbase nuk e duan fare atë vendim që është marrë nga shumica e anëtarëve të PS-së. Shpresoj që kjo të kuptohet drejt nga të gjithë, dhe kur them nga të gjithë, nuk kam parasysh zotin Blushi, por edhe veten time dhe kjo të zbatohet nga të gjithë, pas vendimmarrjes së kongresit.
Mund të ketë sanksione dhe penalizime për deputetët e Mendimit Ndryshe, të cilët deri tani nuk kanë qenë në një mendim me kryetarit?
Nuk më pëlqen të flas për sanksione, për sa kohë që sapo nënvizova që Kongresi duhet të ketë një klimë bashkimi dhe mirëkuptimi mes të gjithë socialistëve. Ne jemi kaq pak sa s’mund të mendojmë se duhet të merremi me sanksione ndaj njëri-tjetrit. çdo njeri e merr sanksionin në vetvete dhe në veprimin që bën. çdo njeri që vepron në kundërshtim me statutin dhe programin e kësaj partie dhe e ka bindje atë, është i lirë të dalë nga dera e partisë. Ne nuk kemi përjashtime, kemi thjesht ç’regjistrime, kushdo mund të ikë, mund të rrijë 6 muaj, një vit, të kthjellohet e mund të rikthehet, kjo mund t’i ndodhë kujtdo. është absurditet të mendohet se ne do të merremi me çështjen e tyre. Unë jam i mendimit që edhe këta shokë janë të respektuar, kanë aksionet e tyre politike në PS. Unë personalisht i vlerësoj për punën që kanë bërë, natyrisht siç kam vërejtje dhe sugjerime për këtë qëndrim jo shumë koherent që kanë mbajtur kohët e fundit, por jam prapë i bindur se ata e kanë kohën e nevojshme e të domosdoshme deri në kongres për të reflektuar, në fund të fundit të një vendimi shumice, që do të marrë shumica në një organ kaq të lartë siç është kongresi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›