Lehtësohen procedurat për vizat
Erald Kapri
Të aplikosh për një vizë Shengen, tashmë nuk të duhen dokumente shtesë, por të 25 ambasadat e vendeve të Bashkimit Evropian do të kenë një procedurë të njëjtë. Sot hyri në fuqi Kodi i ri për vizat, i cili vendos se vendet e zonës Shengen duhet të këtë një procedurë për dhënien e vizave pa kërkuar dokumente apo tarifë financiare shtesë. Në Kodin e ri parashikohet një lehtësim në plotësimin e formularit për vizën si dhe afate për marrjen e përgjigjes. “Synimi i kodit të ri të BE-së për vizat është të koordinojë procedurën në të gjitha vendet Shengen dhe ta bëjë atë kështu më të lehtë për miliona vetë në të gjithë botën që aplikojnë për një vizë Shengen”, deklaroi komisionerja e BE-së për drejtësinë Cecilia Malmström.
Kodi i ri
Kodi i ri përcakton se krahas dokumenteve standarde që kërkohen për dhënien e vizës, konsullatat e vendeve të zonës Shengen duhet të vendosin një afat standard për dhënien ose jo të vizës. Kështu përcaktohet se formulari përkatës do të jetë pak më i shkurtër dhe më i lehtë për t’u plotësuar, jo si formulari aktual, i cili shpesh çorientonte qytetarët. “Mendoj se duhet të pranojmë që procesi i vizave në të kaluarën nuk ka qenë gjithnjë i orientuar ndaj nevojave të klientëve. Nganjëherë duhet të presin shumë gjatë, edhe dy muaj, përpara se të kenë mundësinë të paraqesin kërkesën për vizë” deklaroi Jan de Ceuster, drejtuesi i departamentit përgjegjës në Komisionin e BE-së.
Referuar Kodit të ri refuzimi i vizës duhet të argumentohet dhe mund të ndiqet rruga juridike. Kështu brenda një periudhë prej 15 ditësh, konsullata e një vendi Shengen duhet t’i japë një datë aplikantit në të cilën ai mund të paraqesë formularin e aplikimit për vizë. Më pas brenda dy javësh duhet të merret vendimi për dhënien ose jo të vizës. Nëse kandidati për vizë refuzohet vendimi duhet argumentuar korrektësisht se pse aplikanti nuk përfitoi vizën për të udhëtuar. “Nganjëherë nuk jepej asnjë argumentim për refuzimin e një vize dhe nuk kishte asnjë mundësi të protestoje për refuzimin e kërkesës. Kjo shkaktonte shumë frustrim dhe ka kontribuar për krijimin e imazhin famëkeq të “fortesës Evropë”-tha më tej Jan de Ceuster.
Procedura aktuale për qytetarët shqiptarë parashikon një tarifë prej 35 eurosh për marrjen e vizës, ndërsa nga kjo tarifë përjashtohet vetëm një kategori e veçantë qytetarësh si gazetarët, fëmijët, pensionistët etj. Nëse kërkesa për vizë refuzohet, tarifa nuk kthehet.
Duke filluar nga prilli 2011 do të jetë e mundur të ndiqet rruga juridike në të gjitha vendet Shengen, nëse viza refuzohet. Për Komisioneren e BE-së për Drejtësinë Malmström kodi i ri i BE-së për vizat është një hap i rëndësishëm përpara.”Do të kemi një sistem më të drejtë, më transparent dhe më të lehtë për individin dhe me këtë do të kemi edhe një sistem vizash plotësisht të harmonizuar në BE”-tha ajo. Të vetmet vende anëtare të BE-së që nuk janë pjesë e zonës Shengen janë Britania e Madhe, Irlanda, Bullgaria, Rumania dhe Qipro. Të gjithë vendet e tjera të BE-së, duke shtuar edhe Norvegjinë Islandën dhe Zvicrën që nuk janë pjesë e BE-së, janë anëtare të zonës Shengen për lëvizjen e lirë. Sipas të dhënave, rreth 10 milionë vetë në vit marrin një vizë Shengen.
procedura per shengen
• Një pasaportë e vlefshme dhe fotokopje e të gjitha faqeve të pasaportës që përmbajnë informacion. Pasaporta duhet të jetë e vlefshme për të paktën tre muaj pas skadimit të vizës;
• Një formular i plotësuar i kërkesës i nënshkruar rregullisht nga kërkuesi. Formularë bosh të kërkesës mund të merren falas në Ambasadën e një Shteti Anëtar Shengen ose mund të shkarkohet nga faqet e tyre të internetit;
• Dy fotografi të madhësisë së pasaportës të marra në një sfond të bardhë sipas standardeve të zakonshme ICAO;
• Certifikata të lindjes dhe familjare të kërkuesit ose një kopje të kartës biometrike të identitetit;
• Për fëmijët e pashoqëruar nën 18 vjeç: një deklaratë e noterizuar nga prindi që nuk udhëton ;
• Për studentët: një letër nga shkolla ose universiteti ;
• Sigurimi i udhëtimit/shëndetit (të vlefshëm për të gjithë Shtetet Anëtare Shengen që mbulojnë një shumë minimale prej 30 000 Euro për trajtim mjekësor dhe kthimin e kërkuesit në rast shëndeti të dobët).
• Një tarifë të pakthyeshme prej 35 eurosh.
Procedura e re, asnjë lidhje me liberalizimin e vizave
Procedura e re e dhënies së vizave Shengen nuk ka të bëjë me liberalizimin e vizave. Shqipërisë priten t’i liberalizohen vizat brenda këtij viti, por procedura e re do të vlejë për vizat afatgjatë. Pas liberalizimit të vizave, qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm në 25 vendet e zonës Shengen, por jo më shumë se 3 muaj dhe jo më shumë se 2 herë në vit. Nëse ata kërkojnë më shumë kohë qëndrimi, atëherë duhet të aplikojnë për vizë afatgjatë. Në aplikimin për vizën afatgjatë, aplikuesi duhet të argumentojë arsyen për qëndrimin afatgjatë dhe ta vërtetojë atë. Ambasadat mund të pajisin me viza deri në 2 vjeçare aplikantët për vizat afatgjatë.