Policia, kontroll nxënësve problematikë
Etleva Delia
Konfliktet mes nxënësve dhe disa akte dhune në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, detyrojnë policinë e Tiranës të marrë masa shtesë për ruajtjen e rendit në ambientet arsimore. Duke filluar që nga dita e sotme, para se të futen brenda rrethimit të shkollës dhe më pas në mësim, nxënësit problematikë do të kontrollohen nga policia, nëse kanë me vete lëndë narkotike, mjete të mprehta apo armë të ftohta. Sipas burimeve nga policia, forcave të rendit do tu shkojë në ndihmë edhe administrata e shkollave për të krijuar lehtësira në këto kontrolle ndaj nxënësve problematike. Drejtuesit e shkollës duhet të përpilojnë një listë me emrat e të gjithë nxënësve që kanë qenë objekt incidentesh në shkolla apo pranë tyre. Nxënësit e kësaj liste mësohet se do t’i nënshtrohen kontrollit fizik para hyrjes në ambientet mësimore. Në rast evidentimi të objekteve të jashtëligjshme, ndaj këtyre nxënësve do të ketë masa ekstreme, që nga përjashtimi nga shkolla, e deri në nisjen e procedimit penal. Në kuadër të rritjes së sigurisë në shkolla është vendosur rritja e numrit të policëve të shërbimit si dhe forcimi i shërbimeve me patrullime të vazhdueshme pranë institucioneve arsimore. Shkaku kryesor për këto masa kanë qenë disa akte dhune në shkolla gjatë viteve të fundit, të cilat në disa raste janë shoqëruar me pasoja të rënda deri në plagosje apo vrasje me mjete të mprehta. Raste të tjera të mbajtjes së armëve të ftohta apo lëndëve të paligjshme që janë evidentuar në vazhdimësi nga mësuesit, kanë shërbyer në vendimin e policisë për rritjen e masave për rendin në shkolla. Një tjetër situatë problematike problem tjetër, janë edhe alarmet e rreme për bomba, që herë pas herë ka rezultuar që i bëjnë vetë nxënësit me qëllim shmangien e orës të mësimit. Të tilla ngjarje brenda shkollës, por edhe arrestimi në disa raste i personave që shesin marijuanë pranë këtyre institucioneve, janë bërë shkak për shtimin e masave të policisë duke rritur kështu edhe bashkëpunimin me drejtuesit e shkollave në të gjitha Komunat dhe Bashkitë e Tiranës.
MASAT SHTESE
Prej disa ditësh Policia e Tiranës ka marrë masa shtesë për parandalimin e krimit dhe rritjen e sigurisë në shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme. Duke filluar nga sot, prezenca e policisë pranë shkollave do të jetë më e dukshme me anë të kontrolleve. Strukturat e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, kanë marrë masa të plota për organizimin e drejtimin e shërbimeve të policisë, krijimit dhe konsolidimit të një dimensioni të ri, në drejtim të marrëdhënieve polici–shkollë–komunitet. Këto masa shtesë synojnë garantimin e rendit dhe qetësisë publike, zhvillimin normal të procesit mësimor dhe shmangien e çdo incidenti apo vepre penale të mundshme në shkolla dhe përreth tyre. Policia e Tiranës ka planifikuar masa shtesë për parandalimin e ngjarjeve dhe rritjen e masave të sigurisë në shkollat e mesme dhe 9–vjeçare, si dhe në vendet e akomodimit të nxënësve. Për mbarëvajtjen e procesit mësimor në këtë plan, përveç strukturave të rendit dhe qarkullimit rrugor, janë ngarkuar me detyra specifike edhe Struktura Kundër Krimit të Organizuar dhe atyre Kundër Krimeve ndaj Personit, me qëllim ndjekjen në vazhdimësi të problemeve të kriminalitetit, krimeve ndaj personit, kundër drogës dhe një sërë veprash të tjera penale që mund të kryhen nga nxënësit apo personat e tjerë pranë shkollave.