E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politekniku, mesatare mbi 6 për t’u pranuar në Inxhinieri



Për t’u pranuar në Fakultetin e Inxhinierisë Matematike e Fizike, maturantët duhet të kenë mesataren mbi 6. Këtë propozim kanë bërë drejtuesit e Universitetit Politeknik. Shkak për vendosjen e mesatares si kriter pranimi janë bërë problemet e hasura gjatë viteve të fundit, ku në shumë fakultete janë pranuar maturantë që nuk kanë pasur njohuri për degën që do të studionin. Kjo edhe për faktin se në disa degë të fakulteteve të Universitetit Politeknik, ndjekin studimet studentë që nuk kanë mundur të fitojnë të drejtën për të ndjekur një degë tjetër. Por kriteri i mesatares që propozon Universiteti Politeknik do të jetë i vlefshëm vetëm nëse miratohet nga Ministria e Arsimit.
Ndërkaq, ndryshe nga maturantët që do të zgjedhin degë të përgjithshme për të vijuar shkollën e lartë, të rinjtë që do të konkurrojnë për Arkitekturë, duhet t’u nënshtrohen edhe një konkursi specifik, për t’u shpallur fitues. Kështu, pas përfundimit të maratonës së provimeve të Maturës Shtetërore, ata duhet të kalojnë me sukses edhe provën e konkursit special, që organizohet nga vetë Universiteti Politeknik. Në programin e studimit Arkitekturë në Universitetin Politeknik të Tiranës, raporti i rezultateve të maturës me konkursin do të jetë në masën 35 për qind me 65 për qind, ku peshën kryesore do ta ketë konkursi i universitetit. Konkursi, i cili do të ketë 65 për qind të peshës së vlerësimit, do të jetë i vështirë si dhe do të bazohet në talentin e kandidatëve. Konkursi do të zhvillohet në tri faza dhe baza e tij do të jetë talenti i maturantit në kompozimin e një objekti arkitektonik, njohuritë në vizatimin teknik, si dhe vizatimi i një objekti, që kandidati e krijon vetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›