E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj: Kushtetuesja, Topi të pezullojë përtëritjen

Gjashtë zëvendësime njëherazi konsiderohen joligjore

Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, thotë se Presidenti duhet të ndalojë ripërtëritjen e tre anëtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese deri në vitin 2013. Në një intervistë për “Shqip”, ai sqaron se pse kemi të bëjmë me një shfazim nga rregulli i parashikuar në Kushtetutë.

Përfaqësues nga Gjykata Kushtetuese kanë ngritur pretendimin se rotacioni me gjashtë anëtarë i përbërjes së kësaj gjykate është antikushtetues. Si e gjykoni ju këtë deklaratë dhe mbi ç’bazë ligjore është ngritur ajo?

Konstatimi se ka një deformim midis rrethanave të ripërtëritjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe mekanizmit të parashikuar në Kushtetutë është i drejtë. Kushtetuta, në nenin 125, paragrafi 3, parashikon: “Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet, në një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me ligj”. Pra, sipas këtij parashikimi, procedurë përsëritëse do duhet të ketë çdo tre vjet. E po kështu, Kushtetuta ka parashikuar edhe masën e përtëritjes, e cila do duhet të jetë në rendin e 1/3, pra tre anëtarëve. Aktualisht është duke u proceduar me përtëritjen e 6 mandateve.

Në këto kushte parashikohet që kjo mospërputhje të vijojë më tej?

Ka pra një shfazim, nga rregulli i parashikuar në Kushtetutë. është i drejtë edhe konstatimi, se ky “shfazim” do të “mbartet” edhe më tej, pasi përtëritja është funksion i drejtpërdrejtë i përfundimit të kohëzgjatjes së mandatit, i cili është “I prerë” pra prej 9 vjetësh, siç përcakton neni 125 paragrafi 2: Gjyqtarët emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi, nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion dhe i nisjes, menjëherë pas tij, i mekanizmit të ripërtëritjes sipas formulës “propozim presidencial dhe pëlqim kuvendor” Ky shfazim ka ardhur për shkak se ligji për Gjykatën Kushtetuese i miratuar në vitin 2000, në nenin 82, pra në një dispozitë kalimtare, nuk ka bërë një përcaktim të saktë të kësaj procedure përtëritese (pra duke respektuar formulën kushtetuese - përtëritje të 3 mandateve për çdo 3 vjet). Madje ky parashikim ligjor (neni 82) ka bërë që të ketë edhe tejkalim të dispozitës kushtetuese që parashikonte se mandatet e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese janë prej 9 vjetësh. Konkretisht, që nga miratimi i Kushtetutës në vitin 1998, rezulton se mandatet e gjyqtarëve Fehmi Abdiu, Sokol Sadushu dhe Kujtim Puto (të tre kanë marrë mandatin në vitin 1998, ka vazhduar për 12 vjet! Pra 3 vjet, kohë mandati, më tepër se ai i parashikuar në Kushtetutë.

Cila mund të ishte zgjidhja në këtë rast?

Në këto kushte besoj se duhet të gjendet një zgjidhje, për të eliminuar këtë “handikap” të këtij mekanizmi. Mjetet se si mund të arrihet ky rregullim, besoj se duhen gjendur tek ato mundësi kushtetuese, të cilat lejojnë njëkohësisht të ruhet koncepti i “mandatit 9-vjeçar” dhe nga ana tjetër edhe rregulli i përtëritjes 3-vjeçare. Një mundësi, besoj unë, më e përshtatshmja edhe për kushtet aktuale, (duke parë se tashmë është deklaruar mbarimi i mandatit të 6 anëtarëve të saj me vendim të Gjykatës Kushtetuese, dhe se vetëm për 3 prej tyre ka filluar procedura e përtëritjes), është që të mund të aplikohet binomi i nenit 125, paragrafi 5, që parashikon se: “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij” dhe nenit 129 po të Kushtetutës, i cili parashikon: “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”. Me fjalë të tjera, aktualisht ka filluar procedura e përtëritjes së tre mandateve të Gjykatës Kushtetuese prej mekanizmit, “propozim presidencial dhe pëlqim kuvendor”, kurse për tre mandatet e tjera (të deklaruara të mbaruara) kjo procedurë ripërtëritëse ende nuk ka filluar. Zgjidhja do të ishte, besoj duke mos operuar me këtë mekanizëm ripërtëritës për këto tre mandate. Pra do të duhej që Presidenti të mos procedonte me propozimin përkatës për tre mandatet e deklaruara të mbaruara të fundit në radhë! Ky mekanizëm do të duhet të aplikohet pas tre vjetësh, pra në vitin 2013. Kjo zgjidhje nuk ka defekt kushtetues, sepse neni 129, nuk krijon vakum, pasi parashikon se edhe pse mandati mund të deklarohet i përfunduar (me vendim të Gjykatës Kushtetuese), gjyqtarët mund të rrinë ende në detyrë deri në emërimin e pasardhësit. Mund t’ju duket e çuditshme, por kjo është zgjidhja që unë besoj se mund dhe duhet madje të ndodhë, pasi është një sjellje kushtetuese që e gjen mbështetjen e saj te parashikimi që mekanizmi përtëritës bëhet çdo tre vjet dhe për një numër prej tre mandatesh.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›