E Diel, 1 Nëntor 2026

Bibliotekat shkollore, librat do të zgjidhen me bord

Urdhri i ministrit të Arsimit dhe kriteret që duhet të përmbushin entet botuese për të konkurruar

Librat artistikë apo lëndët shoqërore në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme do të kalojnë në disa filtra. Një grup specialistësh që do të quhen “bord”, do të vendosin për librat më të mirë që ofrojnë entet botuese për të edukuar, argëtuar dhe rritur më tej intelektin e nxënësve. Por jo vetëm kaq, entet që do të kërkojnë të hyjnë në konkurrim për t’u sugjeruar bordeve “produktin” e tyre, duhet të përmbushin disa kritere, të cilat janë parashtruar në një urdhër të Ministrisë së Arsimit. Një nga pikat që spikat në urdhër është edhe kushti, që për botimet e përkthyera bordet do të preferojnë përkthimin nga gjuha origjinale.

“Për botimet e përkthyera, bordet do të preferojnë përkthimin nga gjuha origjinale”, thuhet në urdhër. Sipas udhëzimit që mban firmën e ministrit Tafaj, bordet do të shqyrtojnë botime të ofruara vetëm nga shtëpitë dhe entet botuese. Po ashtu, sipas pikave të urdhrit, literatura e ofruar për nxënësit duhet të jetë e përshtatshme për grupmoshën që i referohet, si dhe me programin mësimor të klasave 1-12.

“Literatura për mësuesit duhet të jetë në përputhje me prioritetet kombëtare për zhvillimin profesional të mësuesve dhe drejtuesve të shkollave”, sqarohet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit.

Rekomandimi

Shtëpitë dhe entet botuese do të rekomandojnë në vazhdim se cilat lëndë duhet të përfshihen në bibliotekat e shkollave në arsimin parauniversitar. Përzgjedhja e lëndëve do të bëhet në bazë të disa kritereve të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Më pas, bordet e këtyre institucioneve do të shqyrtojnë propozimet e bëra nga shtëpitë botuese dhe që do të vendosin nëse ato lëndë do të përfshihen ose jo në programet e tyre mësimore. Ky ka qenë urdhri i fundit i ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj. Në urdhër sqarohet se krijimi i bordeve këshilluese do të ndihmojë në pasurimin e bibliotekave me lëndë që përbëjnë vlerë dhe që nxisin përmirësimin e nivelit të nxënësve.

Kjo do të thotë që çdo shkollë e arsimit parauniversitar do të zotërojë dy borde rekomanduese, që do të përzgjedhin literaturën që do të përfshihet në bibliotekat e tyre.

Bordet

çdo bord që do të krijohet në këto institucione do të karakterizohet nga funksione specifike. Bazuar në urdhër, bordi i parë synon t’u rekomandojë shkollave literaturë shkencore dhe didaktike për bibliotekat e tyre, ndërsa i dyti, do t’u këshillojë përfshirjen e lëndëve efikase në fushën artistike dhe atë shoqërore. Bordi i parë ka për qëllim shqyrtimin e botimeve didaktike dhe atyre me vlera të karakterit formues e edukues, në fushën e lëndëve me profil shkencor. Ndërsa i dyti do të marrë në shqyrtim literaturën artistike me vlera të spikatura letrare si dhe botimet me vlerë studimore në fushën e lëndëve shoqërore. Kjo, sipas Ministrisë së Arsimit vlen sidomos për pasurimin e bibliotekave të shkollave të sistemit nëntëvjeçar, por edhe për përmirësimin e programit aktual mësimor.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›