E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj: Nuk preken kompetencat e Presidentit

Intervista Flet deputeti i Partisë Demokratike: Konstitucionalistët që janë shprehur, janë profanë në fushën e ligjit

Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, komenton për “Shqip” prapaskenat e projektligjit “Për faljen”, i cili po diskutohet në Komisionin e Ligjeve. Deputeti demokrat, Alibeaj mbron idenë se nuk preken kompetencat e Presidentit të Republikës, duke thënë se “Ministria e Drejtësisë mbledh informacionin për të dënuarit dhe gjithë ky informacion i vihet në dispozicion i plotë Presidentit, në mënyrë që ai të ketë të gjitha njohuritë dhe mundësitë të vlerësojë sa më saktë dhe objektivisht dhënien ose jo të faljes”.

Parlamenti është duke diskutuar ligjin “Për faljen”, i cili në pamje të parë duket qartë se ka si synim të ulë kompetencat e Presidentit. A ka ndonjë prapavijë që Kuvendi tenton të arrijë me këtë veprim?

Konstatimi juaj që “në pamje të parë duket qartë, ka si synim të ulë kompetencat e Presidentit” është tërësisht një lajthim në kuptimin e brendisë së projektligjit. Ndoshta kjo rrjedh për shkak të mosleximit apo moskuptimit të tij. Aq më pak mund të deduktohet një konkluzion i tillë nga “pamja e parë” e projektligjit.

Për t’jua bërë më të kuptueshëm mjafton të analizohen disa çështje që sjell ky ligj.
Së pari e drejta e faljes, si kompetencë e Presidentit, buron nga Kushtetuta. Neni 92, paragrafi 1, shkronja “b”, parashikon se: “b) Presidenti... ushtron të drejtën e faljes sipas ligjit”; është lehtësisht e kuptueshme se e drejta e faljes (pra mundësia për të ndërprerë vuajtjen e mëtejshme të dënimit penal, ose zëvendësimin e tij me një tjetër lloj dënimi penal) është një kompetencë që ushtrohet vetëm nga Presidenti, pra është vullneti i tij i vetëm që materializon një mundësi të tillë dhe i askujt tjetër. Veç kësaj vetë Kushtetuta parashikon se kjo e drejtë “ushtrohet sipas ligjit”. Më e pakta që çdokush mund dhe duhet të mendojë është që ka nevojë për një ligj që të disiplinojë këtë fushë të veprimtarisë presidenciale.

Kuvendi është duke bërë pra pikërisht këtë gjë: po bën një ligj! Sepse e ka detyrim kushtetues! Me këtë konstatim po i përgjigjem edhe pyetjes suaj të ekzistencës së “një prapavije”. Detyrimi i Kuvendit për të plotësuar kuadrin ligjor, aq më tepër kur është detyrim i shprehur i Kushtetutës, kurrësesi nuk mund të etiketohet si “prapavijë”. Kuvendi ndoshta është i vonuar. Aq më tepër bëhet imperative kjo situatë kur ligji, i cili rregullon faljen, është i vitit 1981. Do mjaftonte kjo dhe komentet për këtë pikë, do ishin të tepërta.

Së dyti, ligji në përmbajtjen e tij, i jep të drejtën të dënuarve të paraqesin kërkesë për falje. Këto kërkesa trajtohen nga Ministria e Drejtësisë, e cila nuk bën gjë tjetër veçse kërkesën e pasuron me informacion të marrë nga gjykata, nga sistemi penitenaciar, nga organet e rendit, nga institucione të tjera. Pra në këtë mënyrë mblidhet një tërësi informacioni i plotë mbi aplikantin dhe i gjithë ky informacion i vihet në dispozicion të plotë Presidentit, në mënyrë që ai të ketë të gjitha njohuritë dhe mundësitë të vlerësojë sa më saktë dhe objektivisht dhënien ose jo të faljes. Pra përmbajtja e projektligjit është frymëzuar nga qëllimi për ta lehtësuar dhe për ta bërë më efikase këtë të drejtë të Presidentit. Ligji pra i shërben ushtrimit të kësaj të drejte nga ky i fundit.

Së treti, ky ligj ka marrë për bazë dhe reflekton besnikërisht konceptin e ligjit italian apo atë francez mbi faljen. Ligjet e faljes dhe konceptet që ai përmban janë të elaboruara më shumë se dy shekuj më parë, e kështu që nuk është ligj i cili të lërë mundësi për “risi” apo rregullime të ndryshme nga ajo çfarë historia ligjvënëse e Europës ka treguar.

Përfundimisht ligji i ri, i cili thjesht rregullon ca procedura se si trajtohet kërkesa për falje, nuk e prek aspak të drejtën e Presidentit për të shprehur ose jo vullnetin e tij për faljen.

Shumë konstitucionalistë shprehen se Presidentit po i veniten kompetencat nga ndryshimi i ligjit “Për faljen”. Cili është gjykimi juaj për këtë çështje?

Që “konstitucionalistët” që ju citoni, ose nuk e kanë lexuar ligjin, ose ata janë profanë në shkencën juridike të konstitucionalizmit!

Kryeministri Berisha ka kërkuar të ketë një ndarje të propozimeve për emërimin e gjykatësve midis tri institucioneve, Presidentit, Parlamentit dhe Ekzekutivit. Cili është gjykimi juaj për këtë nismë?

Kushtetuta jonë, që prej vitit 1998, e ka bërë zgjedhjen e saj, për sa i përket mekanizmit të emërimit në gjykatat më të larta. Ky mekanizëm është ai i bashkëveprimit dhe ndërveprimit Presidencë-Kuvend. Kryeministri Berisha nuk ka kërkuar, siç ju e citoni gabim, ndarje të propozimeve, porse vetëm ka sjellë si shembull se mekanizmi që ai ka cituar, gjendet në Kushtetutat e vendeve të tjera. Kjo është një praktikë e njohur në Kushtetutat e vendeve të Europës Perëndimore. Mjafton të përmend që vende që kanë të njëjtin “skelet” kushtetues të ndërtimit të shtetit si tek ne (demokraci parlamentare) si Italia apo Gjermania, aplikojnë këtë mekanizëm të emërimit të gjyqtarëve të gjykatës. (në fakt bëhet fjalë për Gjykatën Kushtetuese më saktësisht). Sipas këtij mekanizmi, secili prej tri institucioneve emëron 1/3 e anëtarëve të kësaj gjykate. Kjo është praktika më e përhapur dhe duket se ka funksionuar.

Duke marrë shkas nga rasti i ligjit “Për faljen”, a ka të drejtë Kuvendi t’i kufizojë kompetencat e Presidentit?

Keni marrë “shkas” nga një rast që nuk përbën “shkas”. Dhe ky nuk është rasti. Kompetencat e Presidentit janë të përcaktuara në Kushtetutë. Kushtetuta kur ka dashur të thotë që kompetencat e Presidentit rregullohen në mënyrë ezauruese në Kushtetutë, e ka thënë mjaft qartë. Atje ku ajo ka dashur që të thotë se këto kompetenca rregullohen jo vetëm nga Kushtetuta, por edhe nga ligji, ka thënë pikërisht që një trajtim më i detajuar i tyre bëhet nga ligji. Në nenin 92 të Kushtetutës përcaktohen 12 kompetenca të Presidentit. Në 6 prej tyre, Kushtetuta ka thënë se ato rregullohen sipas ligjit, në 6 të tjera nuk bën referim tek ligji. Pra, për ato kompetenca që duhet të detajohen me ligj, duhet bërë ligj. Ligji, dihet nga çdokush që hartohet nga Parlamenti. Pra ajo çfarë ka të drejtë, e madje detyrim Kuvendi është të hartojë pikërisht këto ligje. Të mos bëhen ligje, përkundrazi, do të thotë se Presidenti nuk do ta kishte mundësinë e ushtrimit efektiv të tyre dhe ky do ishte një anormalitet. çështja që ju shtroni në pyetjen tuaj është tërësisht e pavend në doktrinën kushtetuese.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›