E Shtunë, 31 Tetor 2026

Allegretto Albania në Bienalen e Teatrove

Shfaqja Me regji të Altin Bashës, drama ngjitet në skenën e Teatrit Shtetëror të Mainzit

Drama “Allegretto Albania” e regjisorit Altin Basha me autor Stefan çapalikun u paraqit dje në Bienalen e Teatrit në Teatrin Shtetëror të Mainzit në Gjermani. Aktorët Mirush Kabashi, Olta Daku, Xhejni Fama, Gazmend Paja, Ahmet Pasha, Vasjan Lami dhe Klea Rondo do të interpretojnë edhe sot para publikut gjerman e trupave pjesëmarrëse nga e gjithë Europa. Interpretimi i tyre do të jetë shqip, ndërsa pjesa është përkthyer edhe në gjuhën gjermane. Pas performancës në skenë, shfaqja do të pasohet edhe me një diskutim të hapur mes autorëve, aktorëve e publikut.

“Allegretto Albania” sjell një tematikë të prekshme të realitetit shqiptar. Ajo është e konceptuar edhe në skenografinë dhe kostumet e Iliriana Loxhës. Komedia serioze, siç edhe konsiderohet kjo shfaqje, sjell historinë e një familjeje të ngujuar për arsye gjakmarrjeje dhe të gjitha situatat ndodhin pikërisht në kulmin e stinës koncertore “Allegretto Albania”.

Shfaqja e kësaj drame në Bienalen e Teatrit, që mbahet për thuajse dhjetë ditë në Gjermani, vjen pak muaj pasi Teatri Kombëtar Shqiptar firmosi Konventën Europiane të Teatrit. Shqipëria merr pjesë për herë të parë dhe një nga kushtet e festivalit është që pjesa të jetë autentike, e pashfaqur në festivale të tjerë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›