E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Nuk do të ketë zgjedhje pa u plotësuar transparenca

Deklarata Lideri i opozitës përshkallëzon qëndrimet e socialistëve: Do të përshkallëzojmë ballafaqimin demokratik

Lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama, ka bërë të qartë se nuk do të ketë zgjedhje ku do të marrë pjesë PS në rast se nuk do të realizohet transparenca e procesit elektoral të 28 qershorit. Në një intervistë të dhënë për VOA, nga Nju Jorku, kreu socialist thekson se ky angazhim i saj do të kushtëzojë edhe pjesëmarrjen e PS në zgjedhjet e ardhshme, në kuptim të sanksionimit të rregullave të lojës dhe garancive të plota për ndershmërinë e zhvillimit të saj. “Unë mund ta përsëris që ne nuk do t’i shmangemi asnjë sfide, por nga ana tjetër, mund të rikonfirmoj atë që kam thënë edhe më parë, që pa u plotësuar kushtet për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk do të ketë zgjedhje, por do të ketë një ballafaqim demokratik, i cili do të vazhdojë të përshkallëzohet duke mos toleruar asnjë formë të ashtuquajturën zgjedhje që në fakt nuk u jep mundësinë shqiptarëve të zgjedhin lirisht dhe të shohin të numëruar ndershmërisht votën e tyre”, u shpreh kreu socialist. Një përkthim elementar i këtij deklarimi që gjithsesi shfaqet jo krejt i drejtpërdrejtë, nënkupton se zgjedhjet e ardhshme, apo garancitë e Kodit të ri, mund të kushtëzohen shumë nga kriza e tanishme ende e pazgjidhur. Procesi elektoral mbetet kështu një problem madhor për opozitën shqiptare, e cila ka bërë të qartë se nuk mund të pranojë një angazhim të ri pa marrë paraprakisht garancitë që burojnë nga realizimi i transparencës. Politikisht ky pozicion i saj, lidhet drejtpërsëdrejti me emrin e Kryeministrit Sali Berisha, që në këtë kontekst përvijohet si njeriu çelës i krizës, e për pasojë edhe i zgjidhjes së saj. Për rrjedhojë, pyetjeve të bëra për rikandidimin e tij apo për rendin kalendarik elektoral, Edi Rama i ka dhënë një përgjigje që nuk lë asnjë keqkuptim. “Përpara sesa të flasim për zgjedhjet vendore, duhet të flasim dhe të vendosim për mënyrën se si do t’i çlirojmë zgjedhjet nga korrupsioni, se si do t’i çlirojmë zgjedhjet nga kthetrat e një pushteti, i cili gjithçka e ka varur te grabitja e votës dhe siç ka qëndruar aty ku është përmes votës së grabitur, synon të vazhdojë të qëndrojë duke grabitur votën, gjë që ne nuk do ta tolerojmë më”, u shpreh kreu socialist. Se sa parashikon ky apel i tij një kërkesë për ndryshim politik në Shqipëri është ende herët, por është më se e sigurt se me Sali Berishën në krye të qeverisë, vështirë se opozita e tanishme do të pranojë lehtësisht të angazhohet në fushatë, të paktën pa garanci maksimale. Nëse zgjedhjet e reja po kontekstualizojnë ndryshe edhe zhvillimin politik të ditës, është më se e qartë se ato nuk arrijnë dot të tërheqin vëmendjen nga kriza që zë fill në 28 qershor 2009. Të paktën duke u nisur nga prononcimet e Ramës, negociata e vetme që opozita pranon të bëjë për të mundësuar një jetë normale politike është vetëm transparenca dhe vendosmëria për këtë perceptohet si e palëkundur. Madje, kushtëzimi socialist për votimin parlamentar të ligjeve me shumicë të cilësuar mbetet në fuqi duke i dërguar një mesazh Berishës që paralajmëron krijimin e një rrethi vicioz në vendimmarrje. “Jemi të gatshëm për një kompromis që i hap rrugën transparencës, por nuk do të tërhiqemi nga rruga jonë... Unë dua të pohoj se zoti Berisha duhet të harrojë çdolloj mundësie për të mos na pasur përballë, na ka përballë dhe do të na ketë përballë në këtë betejë, në të cilën ne nuk zmbrapsemi asnjë milimetër dhe të cilën ne do ta çojmë përpara”, tha kreu i PS.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›