Alibeaj: Presidenti, kuorumi prej 84 deputetësh jo kusht në 3 raundet e para
Ndryshe nga socialistët, kundërshtarët e tyre në politikë, mazhoranca qeverisëse, vlerëson si të panevojshëm pasjen e një kuorumi prej 84 votash në Kuvend për nisjen e votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës në qershorin e ardhshëm. Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, duke komentuar dispozitën kushtetuese që flet për procedurën e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, shprehet se ligji themeltar i shtetit nuk e konsideron të domosdoshme arritjen e kuorumit prej 84 votash për të hyrë në proces votimi. Duke iu përmbajtur kësaj bindjeje, Alibeaj bën të ditur se nuk ka vend në këtë rast për të krahasuar rastin e Kushtetutës së Kosovës me atë të Shqipërisë, pasi bëhet fjalë për dy ligje të ndryshme. “Nuk ka kurrfarë homologimi midis tekstit kushtetues kosovar dhe tekstit kushtetues shqiptar”, - tha Alibeaj. Për të argumentuar këtë, ai bie si analogji faktin se Kushtetuta jonë nuk e konsideron të nevojshme as pasjen e një kandidati për president për të zhvilluar raundin e parë të votimit. “Raundet e zgjedhjes së presidentit sipas Kushtetutës shqiptare mund të quhen të ezauruara edhe në rastin kur nuk ka kandidat”, - tha më tej Alibeaj. Por jo vetëm kaq, pasi ai bën dhe një interpretim historik të Kushtetutës shqiptare, duke theksuar se në vitin 2007 janë zhvilluar dy raunde të para votimi në Kuvend pa pasur praktikisht 84 deputetë në sallë. “Ne kemi pasur më 2007 së paku dy raunde të ezauruara në atë kohë, cilat u ezauruan duke mos pasur kuorumin prej 84 votash. Ky diskutim, për mendimin tim, është i tillë, a është e vlefshme një mbledhje e seancës së Parlamentit me 71 deputetë. Kjo është pyetja”, - shprehet Alibeaj. Pavarësisht se e konsideron tërësisht të ligjshëm një president që mund të zgjidhet me 71 vota në raundin e katërt, pa qenë e nevojshme që të pranishëm në tre raundet e para të jenë 84 deputetë, Alibeaj bën të ditur se me këtë nuk ezaurohet mundësia për të zgjedhur një president konsensual. “Sigurisht, një proces i tillë konsensual asnjëherë, në asnjë rast, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë i përjashtuar edhe në kuadrin e ri kushtetues. Mjafton të përmendim se përpara se të arrihet në raundin sipas të cilit masa e votave në Kuvend për zgjedhjen e presidentit do të jetë 71 vota, janë të paktën 3 raunde të mëparshme, pararendëse, të cilat kërkojnë një numër të kualifikuar prej 84 votash”, - tha më tej Alibeaj.
Por më shumë sesa procesi i zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, për deputetin demokrat duket se ka rëndësi karakteristikat dhe vlerat që duhet të ketë figura e Presidentit të ardhshëm. “Unë besoj se më i rëndësishëm sesa mjeti apo mënyra sesi do të arrihet në zgjedhjen e presidentit, është se çfarë presidenti ne kërkojmë, çfarë presidenti do duhet që ky Kuvend t’i japë shqiptarëve. Do duhet t’i japë një president që të dijë të flasë atëherë kur ka nevojë të flasë presidenti; do duhet një president që të riinstalojë edhe një herë autoritetin e vet brenda sistemit të drejtësisë; do duhet të jetë një president që të jetë promovues i vlerës së meritokracisë dhe të transparencës në propozimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë; do duhet një president i cili të promovojë vlerat më të mira në sistemin e prokurorisë. Të gjitha këto virtyte të presidentit duhet të jenë karakteristikat e figurës së re presidenciale, deri tash të munguara”, - theksoi Alibeaj.