E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema e PS-së për Presidentin, konkurs si Avokati i Popullit

SHKRUAN: Fejzi Braushi 08-01-2012 12:21

Krahas betejës së mundshme ligjore për çështjen e kuorumit prej 84 votash në Kuvend, socialistët po mendojnë edhe për realizimin e një procesi të posaçëm përzgjedhës të emrit të ri të Presidentit të Republikës. Për këtë qëllim Partia Socialiste ka gati një strategji të posaçme për të bërë të mundur zgjedhjen e një presidenti të pranueshëm, në radhë të parë nga shqiptarët dhe së dyti edhe nga vetë politika shqiptare. Kështu, në kuadër të kësaj strategjie, PS-ja është e gatshme që t’u propozojë demokratëve një proces të mirëfilltë konkurrues dhe transparent për të përzgjedhur emrin e Presidentit të ri të Republikës. Burime të afërta me kreun e PS-së thanë dje për MAPO-n se bëhet fjalë për të hapur një konkurs të hapur, të ngjashëm me atë që realizoi selia rozë për përzgjedhjen e Avokatit të Popullit vetëm një muaj më parë.

Procesi

Vetëm 5 muaj para hapjes së procesit të zgjedhjes së kreut të ri të shtetit socialistët kanë nisur të mendojnë seriozisht për të, duke programuar një strategji të mirëfilltë, duke kryqëzuar betejën ligjore në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e kuorumit të nevojshëm në sallën e Parlamentit për të hapur votimin, me atë të përzgjedhjes së emrit që do të hidhet në votim. Pavarësisht se rruga e parë duket e pashpresë për PS-në dhe kjo për shkak të mosbesimit te trupa e gjyqtarëve kushtetues, socialistët pritet t’i shkojnë asaj deri në fund, për ta përdorur më shumë si formë presioni ndaj shumicës qeverisëse, që të mos i shkojë deri në fund zgjedhjes së njëanshme të kreut të ri të shtetit. Kështu, të njëjtat burime kanë bërë të ditur se PS-ja, përveç rrugës ligjore, do t’i propozojë njëkohësisht Partisë Demokratike hapjen e një procesi të veçantë për të përzgjedhur një kandidaturë për kryetar shteti, e cila në radhë të parë të përfaqësojë gjithë shqiptarët dhe së dyti të ketë pëlqimin e të dyja palëve. Të njëjtat burime bëjnë fjalë se procesi që do t’i propozohet demokratëve është i njëjtë me atë që selia rozë organizoi për të përzgjedhur kandidaturën e Avokatit të ri të Popullit. Pra, bëhet fjalë që bashkërisht PD e PS të shpallin publikisht kriteret ligjore, politike dhe morale që duhet të ketë Presidenti i ardhshëm i Republikës dhe më pas të ftojnë kandidatët që i plotësojnë kriteret që të konkurrojë në një proces përzgjedhës dhe që duhet të jetë transparent. Megjithëse nuk bëhen të ditura më shumë detaje, ajo që propozon PS-ja në këtë rast duket se duhet t’i përngjajë plotësisht procesit të realizuar për Avokatin e Popullit, ku një juri ndoshta e përbashkët me demokratë dhe socialistë të përzgjedhë emrin e duhur që do t’i paraqitet Kuvendit për votim. Nisur nga një praktikë e tillë, duket se për të gjetur një kandidaturë konsensuale palët do duhet të shmangin emrat politikë.

Rama

Një proces të tillë faktikisht e ka paralajmëruar disa ditë më parë edhe vetë kreu socialist, i cili këmbënguljes së gazetarëve nëpër intervista të ndryshme mbi kandidaturat e mundshme për presidentin e ri i është shmangur, duke theksuar se më shumë sesa emrat e nevojshme është ngritja e një procesi demokratik dhe transparent. Gjithashtu, duke iu përmbajtur kësaj ideje, Rama nuk ka ngurruar ta theksojë hapur se modeli që duhet të ndiqet në këtë proces është ai që zbatoi PS-ja në përzgjedhjen e Avokatit të Popullit. “Unë mendoj që ky nuk është një proces marrje votash këtej e andej. Unë mendoj që ky është një proces që duhet parë përsëri dhe unë e shoh përsëri në funksion të interesit kombëtar, që sot është i njehsuar me interesin e integrimit sa më të shpejtë në BE. Na duhet një proces europian. Në radhë të parë, ne dëshirojmë të ndërtojmë profilin e Presidentit që i duhet sot vendit. Edhe pse ka pasur një refuzim banal nga ana tjetër për atë që unë kam shprehur, përsëris se neve na duhet të shkojmë drejt një presidenti mbi palët. Ne do t’u themi shqiptarëve se çfarë presidenti duam për Shqipërinë dhe sigurisht edhe në këtë rast çka na intereson është interesi kombëtar, është interesi i Shqipërisë europiane dhe jo interesi partiak, gjë që modestisht e treguam me një shembull, i cili në këndvështrimin tim u dha një shenjë njerëzve të këtij vendi për mënyrën sesi duam ta administrojmë Shqipërinë përmes një administrimi publik europian me Avokatin e Popullit. Pra, ky është vizioni ynë dhe kjo është rruga jonë dhe në këtë rrugë dhe me këtë vizion ne duam t’i japim Shqipërisë një politikë të re”, - tha Rama pak ditë më parë i pyetur në lidhje me zgjedhjen e presidentit.

Kushtetuta

Neni 87

1. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat.

2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime.

Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni.

3. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë, kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

4. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave. Votimi i pestë zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash, kandidati që merr pjesë në votim caktohet me short.

Në rast se pas votimit të katërt nuk ka mbetur asnjë kandidat në konkurrim, për këtë votim mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni. Kur paraqiten më shumë se dy kandidatë, votimi zhvillohet midis dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të lartë të deputetëve propozues.

5. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.

6. Kuvendi pasardhës e zgjedh Presidentin e Republikës me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij.”.

Neni 88

1. Presidenti i Republikës, në çdo rast, zgjidhet për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

2. Mandati përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës. Mandati i Presidentit zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo.

2/1. Procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit.”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›