E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj: “Projektligj për Prokurorinë jo për ta kaluar në varësi”

Ministria e Drejtësisë bën publike punën e shtatë muajve në të gjitha drejtoritë. Çfarë ka ndodhur me burgjet, fëmijët e braktisur, e deri te nismat më të fundit

Laureta Rryçi

Projektligji për Prokurorinë nuk do ta vendosë atë në varësi të qeverisë. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, shfrytëzoi dje analizën shtatëmujore të dikasterit të tij për të folur dhe për projektligjin më të debatueshëm prej kohësh. Sipas Alibeajt, ky projektligj po hartohet me seriozitetin maksimal nga ana e specialistëve për t’i dhënë një hov tjetër punës së institucionit të akuzës. Sakaq, ka hedhur poshtë qëndrimet e opozitës se projektligji do të shërbejë për të pasur në varësi një institucion si Prokuroria e Përgjithshme. Gjatë analizës së djeshme, Alibeaj, bashkë me drejtorët që ka në varësinë e tij, u ka bërë një rezyme të gjithë punës së Ministrisë nga janari e deri në ditët e sotme.
Burgjet
Investimet në fushën e infrastrukturës së burgjeve në Shqipëri gjatë periudhës janar-gusht 2008, janë realizuar në masën 80%. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, që është në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, rritja e shpenzimeve për trajtimin e të dënuarve llogaritet në 20%. Në analizën e punës së Ministrisë së Drejtësisë gjatë këtij viti, u vlerësuan investimet e bëra për ndërtimin e tre burgjeve të reja në Vlorë, Fushë Krujë dhe Korçë, me vlerë investimi prej 9.8 milionë euro. Këto investime ndikojnë në rritjen e kapaciteteve të burgjeve, në uljen e mbipopullimit etj. Drejtues të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Drejtorisë së Burgjeve vlerësuan ndër të tjera në këtë analizë, se përmirësime janë bërë në politikat që garantojnë të drejtat, përmirësimin e trajtimit të të dënuarve, rritjen e normës ushqimore, orarit të ajrimit, lejeve shpërblyese, punësimin e të dënuarve, përmirësimin e shërbimit shëndetësor, arsimor, për organizimin e aktiviteteve kulturore etj.
Fëmijët
“Prioritete në punën e Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2008" e ka quajtur ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj minimizimin e kontingjentit të fëmijëve të braktisur në moshë të rritur dhe me probleme, si dhe përditësimi i procesit të birësimit në përputhje me ndryshimet legjislative dhe sociale. Këtë deklaratë ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, e bëri dje, gjatë analizës së punës 7-mujore të Ministrisë së Drejtësisë. Sipas të dhënave, për periudhën janar-gusht 2008, Komiteti Shqiptar i Birësimeve ka regjistruar 26 fëmijë të braktisur, ka shqyrtuar 25 dosje për birësim, po plotësohen dosjet për 20 kërkesa, ndërsa ka refuzuar 5 kërkesa birësimi.
Projektligjet
Tre projektligje të rëndësishme, ai "Për administratën gjyqësore", "Për disa shtesa dhe ndryshime në kodin penal" si dhe "Për ekzekutimet e vendimeve penale" janë në fazën e shqyrtimit nga Këshilli i Ministrave, tha ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, gjatë analizës së djeshme. Ministri Alibeaj vlerësoi punën e bërë në ministri për nismat ligjore të ndërmarra si dhe ato që janë në fazën e hartimit, në kuadër të përmirësimit të komponentit legjislativ në Shqipëri.

1 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›