Çekia konfirmon ratifikim të shpejtë të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO
Çekia, vendi që do të marrë Presidencën e radhës së Bashkimit Europian në janar të 2009-s, konfirmon ratifikimin e shpejtë të Protokollit të NATO-s për Shqipërinë dhe Kroacinë, duke shprehur bindjen se pranimi i të dy vendeve në NATO do të kontribuojë fuqishëm në sigurinë e Europës Juglindore. Pas Francës, vendi që ka aktualisht Presidencën e BE-së, tashmë Çekia i është përgjigjur menjëherë pozitivisht letrës së përbashkët të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli dhe kryetarit të Parlamentit të Kroacisë, Luka Bebiç. Pas dërgimit të kësaj letre, drejtuar të gjitha parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s, për përshpejtim të ratifikimit të Protokollit të NATO-s, vendet anëtare kanë nisur menjëherë të japin konfirmimin për ratifikim të këtyre protokolleve dhe njëkohësisht të shprehin mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, në samitin e ardhshëm, në prill 2009. Në letrën e tij dërguar Topallit, kryetari i Parlamentit të Çekisë, Miloslav Vlcek, shkruan se mirëpret faktin që protokollet e zgjerimit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për Kroacinë dhe Shqipërinë janë nënshkruar. “Dëshiroj t’ju siguroj edhe një herë se, unë dhe kolegët e mi në Republikën Çeke e mbështesim plotësisht dëshirën tuaj për t’u bashkuar me NATO-n në pranverën e 2009-s. Parlamenti i Republikës Çeke pritet të përfundojë procesin e ratifikimit në fund të këtij viti. Ne i bashkohemi bindjes suaj se, pranimi i të dy vendeve tuaja në NATO do të kontribuojë fuqishëm në sigurinë e Europës Juglindore dhe ky qëllim përputhet edhe me prioritetet e Republikës Çeke. Kjo na motivon ne ta përkrahim edhe në të ardhmen pranimin në NATO të të gjitha vendeve europiane, me të cilat ndajmë vlera të përbashkëta dhe që janë të gatshme të kontribuojnë në mbrojtjen dhe sigurinë e kontinentit tonë”,- ka shkruar në letrën drejtuar Topallit kryetari i Parlamentit të Çekisë, Miloslav Vlcek.
1 Shtator 2008