E Diel, 1 Nëntor 2026

Asgjësohen 2592 rrënjë Canabis sativa në malësinë e Shkodrës



Shkodër - Policia e Shkodrës asgjësoi në orët e para të mëngjesit të sotëm 2592 rrënjë Cannabis sativa në disa fshatra të këtij rrethi. Burime nga policia bënë të ditur për gazetën “Albania” se në fshatin “Ura e Shtrenjtë” të komunës Postribë u asgjësuan 88 rrënjë Cannabis sativa, në fshatin Vukaj 284 rrënjë dhe në fshatin Bogë 2220 rrënjë të tjera. Sipas policisë, pas asgjësimit të bimëve narkotike me djegie, policia po punon për gjetjen e autorëve. Ndërkohë që aksioni i policisë për zbulimin e bimëve narkotike po vazhdon në të gjithë territorin e qarkut të Shkodrës.

Inspektorati Ushqimor sekuestron rreth 150 kuintalë mallra ushqimore të skaduara

Fier - Inspektorati Ushqimor pranë Drejtorisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, (DRBUMK) në Fier ka sekuestruar rreth 150 kuintalë mallra ushqimore, të cilave u ka kaluar afati i skadimit. Drejtori i DRBUMK-së, Fatos Troka, tha se “mallrat ushqimore të sekuestruara u përkasin si pikave të tregtimit me shumicë, ashtu dhe subjekteve të biznesit të vogël dhe pikave ambulante”. Sipas tij, disa subjekteve u janë lënë detyra për përmirësimin e procesit të përpunimit të produkteve ushqimore, plotësimin e cilësisë dhe standardeve, ndërkohë që për një numër tjetër subjektesh është marrë masa e sekuestrimit dhe groposjes së produkteve ushqimore.

Ndalohet 52-vjeçari për zjarrvënie të qëllimshme

Gjirokastër - Një 52-vjeçar nga fshati Selckë i komunës së Pogonit, rreth 25 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, u ndalua në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nga policia e Gjirokastrës, pasi akuzohet për zjarrëvënie të qëllimshme duke rrezikuar djegien e dy banesave dhe një kishe. Burime zyrtare të Policisë thanë për gazetën se “Qirjako Taçi u ndalua në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, pasi rreth orës 19:30 ka djegur qëllimisht për përfitim personal 20 hektarë sipërfaqe me pyje dhe kullotë, duke rrezikuar seriozisht dy banesa dhe një kishë”. Sipas policisë, zjarri i ndihmuar nga era e fortë është përhapur me shpejtësi në drejtim të malit, ku si pasojë janë djegur 20 hektarë sipërfaqe me pyje dhe kullota.

1 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›