Grabisnin banesa, ekstradohet i treti i bandës
Tiranë - Interpol Tirana përfundoi dje procedurën e ekstradimit nga Milano, Itali, të 21 vjeçarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar Besnik Neli, nga Durrësi. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, e ka dënuar një vit më parë atë me 4 vjet e 8 muaj heqje lirie, për veprën penale të “Vjedhjes me dhunë” mbetur në tentativë kryer në bashkëpunim. Në muajin prill të vitit 2006 shtetasi Besnik Neli në bashkëpunim me shtetasit Dritan Boci dhe Fatjon Nasufi kanë vjedhur disa materiale elektro -shtëpiake në shtëpinë e shtetasit Shaban M. Këto materiale shtetasit e mësipërm i kanë vjedhur dhe më pas i kanë shitur për të siguruar të ardhura financiare. Menjëherë pas kryerjes së krimit shtetasi Besnik Neli është larguar nga banesa e tij. Për disa kohë ai është fshehur nëpër njerëz të njohur nga ku më pas ka arritur që të nisej në mënyrë klandestine për në Itali nëpërmjet Portit të Durrësit.
Firma private “qethte” Dajtin, arrestohen 3 punonjës
Tiranë - Kryenin një aktivitet ligjor, por fshehurazi abuzonin duke “qethur” pyllin për një vit me radhë. Në orët e para të ditës së djeshme Specialistët e Sektorit Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar mbi bazën e informacioneve të grumbulluara në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Pyjore Dega Tiranë realizuan arrestimin e shtetasve Shaqir Alcani 47 vjeç lindur në Librazhd dhe banues në Tiranë, Xhevahir Murati 25 vjeç lindur në Kukës dhe banues në Kamëz si dhe Besnik Shaqir Alcanin 21 vjeç lindur në Librazhd dhe banues në Tiranë. Të sipërcituarit u arrestuan në flagrancë në vendin e quajtur Qafë Priskë Komuna Dajt gjatë kohës që po transportonin në mënyrë të jashtëligjshme 40 m.3 lëndë drusore ( Trupa ) për llogari të firmës “Alcani” sh.p.k. Nga verifikimet dhe veprimet hetimore për këtë rast të paligjshëm rezulton se dëmi ekonomik i shkaktuar është me një vlerë 2.400.000 lekë.
Tentuan falsifikimin e pasaportës, në pranga dy persona
Shkonin dhe paraqiteshin në komisariatet e policisë me certifikata false dhe tentonin nxjerrjen e pasaportave. Aleksandër B., 26 vjeç lindur në Mat dhe banues në Tiranë, si dhe shtetasja Mirita Z., vjeç 22, lindur në Dibër dhe banuese në Tiranë, janë prangosur teksa specialistët e zyrës së pasaportave verifikuan skemën e mashtrimit me certifikatat e dorëzuara prej tyre. Këta dy shtetas kanë aplikuar përkatësisht në Komisariatin e Policisë Mat dhe Komisariatin e Policisë Lushnjë për pajisje me pasaportë për jashtë shtetit duke paraqitur certifikata personale të falsifikuara. Në cilësinë e provës materiale ju sekuestruan certifikatat e falsifikuara. Duket se sigurimi i pasaportave false është tentuar kësaj here me një metodë shumë të guximshme duke dorëzuar certifikata false pikërisht në zyrat e verifikimit. Nëse pasaporta do të sigurohej atëherë askush nuk mund të kishte më hije dyshimi për vërtetësinë e saj.
1 Shtator 2008