E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA-të japin 16.4 milionë dollarë për realizimin e 5 projekteve në Shqipëri



Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë akorduar Shqipërisë një fond prej 16.4 milionë dollarësh për realizimin e 5 projekteve të rëndësishme. Ky fond ka ardhur në kuadrin e Sfidës së Mijëvjeçarit. Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, bëri të ditur dje, gjatë një konference për shtyp, se kjo mbështetje vjen pas përmbushjes me sukses të katër projekteve të fazës së parë, siç ishin: hapja e qendrës së biznesit “One Stop Shop”, prokurimi elektronik, institucioni i Avokatit të Prokurimeve dhe projekti i taksës elektronike, për të cilat qeveria amerikane financoi 13.8 milionë dollarë, në vitet 2006-2008. Fondi i ri, prej 16.4 milionë dollarësh, është dhënë për fazën e dytë, dhe do të mbështesë pesë projekte të reja, të paraqitura nga qeveria shqiptare, që synojnë parandalimin e korrupsionit, rritjen e forcës zbuluese dhe hetuese të të gjitha institucioneve të forcimit të ligjit. Nëpërmjet këtij fondi do të krijohet Gjykata Administrative, e cila do të garantojë drejtësi eficente, me gjykim të shpejtë dhe profesional, për të gjithë qytetarët apo bizneset që kanë ankesa ndaj administratës. Një tjetër projekt që do të fillojë nga puna është dhe krijimi i “One Stop Shop”, për lëshimin e të gjitha llojeve të licencave. “Regjistri i Planifikimit të Territorit, është një tjetër projekt madhor që synon shndërrimin e praktikës së sotme të lejeve të ndërtimit në një praktikë tërësisht transparente dhe moderne”, - është shprehur zëdhënësja e qeverisë. Projekti i katërt është në mbështetje të implementimit të ligjit të ri të procedurave tatimore, i cili transformon rrënjësisht marrëdhënien e taksapaguesve me administratën tatimore. Sipas Bregut, ky projekt vjen si vijim i përvojës së suksesshme të taksës elektronike, që vetëm pas gjashtë muajve të instalimit të këtij sistemi janë 2000 mijë biznese të mëdha që deklarojnë taksat on line dhe rreth 45 mijë të tjera që i shkarkojnë formularët e deklarimit nga interneti. Dhe projekti i pestë, që do të financohet nga fondi i akorduar për Shqipërinë nga programi i Sfidës së Mijëvjeçarit i SHBA-ve, është dhe vazhdimi i punës së Njësisë së Përbashkët Hetimore Antikorrupsion midis qeverisë dhe Prokurorisë. Zëdhënësja Bregu, në emër të qeverisë shqiptare, ka falënderuar qeverinë amerikane për ndihmën e dhënë, ndërsa ka garantuar se çdo dollar i taksapaguesve amerikanë do të respektohet nëpërmjet zbatimit me sukses të këtyre projekteve.

1 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›