E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj: Puna e gjykatës është e cenuar

Anëtari i Komisionit të Ligjeve: Kreu i ri i Kushtetueses të zgjidhet nga anëtarët që janë ende në detyrë


Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, deklaroi dje se kryetarit të Gjykatës Kushtetuese i ka mbaruar mandati dhe se tashmë puna e kësaj gjykate është e cenuar.


Anëtari i Komisionit të Ligjeve, Alibeaj, thotë se kreu i ri i Kushtetueses mund të zgjidhet nga anëtarët që janë në detyrë, por Presidenti nuk po e kryen një gjë të tillë duke shkelur ligjin.


Zoti Alibeaj, ka nisur një debat për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese nëse duhet të zëvendësohet apo jo në këto momente apo qëndrojnë në detyrë. Cili është interpretimi i mazhorancës në këtë rast?


Më lejo që unë të mos bëj një interpretim të mazhorancës, sepse interpretimi i mazhorancës është interpretimi ligjor.


Ligji bazë që rregullon historinë e fillimit të kohëzgjatjes dhe të mbarimit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të mënyrës se si zgjidhjet dhe kur zëvendësohet rregullohet nga Ligji Organik i Gjykatës Kushtetuese, i cili parashikon që kryetari i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet me të njëjtin mekanizëm propozues dhe miratues, si dhe të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, pra me propozim të Presidentit dhe me pëlqim të Kuvendit zgjat për një afat trevjeçar. Veç kësaj, duhet parë ky parashikim ligjor edhe në kontekstin tjetër, në sensin që anëtarësia në Gjykatën Kushtetuese asnjëherë nuk mund të jetë vakante.


Sigurisht që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese e kanë nëntë vjeçar mandatin e tyre. Mund të ndodhë që kohëvazhdimi në detyrë mund të zgjatet deri sa të zëvendësohet, por qëndrojnë në detyrë ata anëtarë të cilët janë.


Do të thotë që anëtarësia është gjithmonë nëntë. Ka gjithmonë nëntë anëtarë, pra ka gjithë hapësirën e duhur për të gjetur njërin prej tyre si kryetar të Gjykatës Kushtetuese. Nuk parashikon ligji asnjë hapësirë që nëse nuk zgjidhet kryetari i ri, të mund të vazhdojë kryetari në detyrë.


Kjo është shumë e qartë. Ligji ka përcaktuar një afat trevjeçar, i cili fillon ditën që bën betimin si kryetar dhe mbaron atë ditë të muajit të fundit të vitit të fundit të trevjeçarit.


Unë besoj se me kalimin e këtij momenti kohor, që është ngjarje e sigurt e së ardhmes, me kalimin e afatit trevjeçar, zvogëlohen, shkurtohen dhe hiqet investitura e anëtarit të gjykatës së Lartë me pozicionin e kryetarit.


Praktikisht, me mbarimin e mandatit nuk ka më kryetar të Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm formalisht, por edhe substancialisht ka një masë të madhe kompetencash kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Do të duhet që të procedohet me tempizëm të plotë brenda trevjeçarit të plotë në përzgjedhjen e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.


Çdo lloj tejkalimi shkakton një impas në punën e veprimtarisë së punës së Gjykatës Kushtetuese. Impas që do të vërtetohej nëse do të kishte kërkesa në Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk mund të vihej në lëvizje. Unë besoj se është ngërç se është ky ngërç, i cili duhet të ishte zgjidhur, sepse që në datën 3 qershor i ka përfunduar mandati trevjeçar njërit prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese si kryetar.


Po fakti që katër nga anëtarëve të Kushtetueses u ka mbaruar mandati?


Trupa e Gjykatës Kushtetuese është e plotë dhe është nëntë anëtarësh. Sigurisht që ka një pjesë të tyre që janë në kohëvazhdim të mandatit të tyre, që janë në ecje të mandatit të tyre që janë në kohë normale.

A mund të zgjidhet kryetari i ri?


Pa asnjë lloj dyshimi, kryetari i ri mund të zgjidhet nga secili prej nëntë anëtarëve, sepse ligji thotë se mandati i kryetarit është brenda mandatit të anëtarit. Sigurisht që mund të ndërpritet më parë mandati i tij si anëtar që do të thotë automatikisht edhe si kryetar, por që nuk ka asnjë lloj vakuumi ose pamundësie për t'u zgjedhur mes nëntë anëtarëve.


Gjithmonë kjo duhet të jetë e qartë që Gjykata Kushtetuese ka gjithmonë nëntë anëtarë. Me mandat të skaduar ose jo ata vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë kjo është zgjidhja ligjore.


Kryeministri pohon se buxheti 2011 do shkojë në Kuvend brenda muajit shtator: Sërish rritje pagash dhe pensionesh


Berisha: Buxheti i ri hartohet më 1 shtator

TIRANË - Kreu i qeverisë i kërkon ministrave të tij që në një shtator të dorëzojnë buxhetin në qeveri dhe brenda këtij muaji t'i paraqitet Kuvendit. "Buxheti duhet të dorëzohet në qeveri më 1 shtator dhe brenda këtij muaji qeveria duhet ta dërgojë në Parlament. Buxheti i vitit të ardhshëm është një buxhet përcaktues në zbatimin e programit të koalicionit qeveritar.


Ky buxhet duhet para të gjithave t'i qëndrojë parimit të zemrës së dhimbshme, parimit të qeverisë së shërbesave dhe shërbimeve, pra të përmirësojë më tej frymën sociale, qëndrimin e njerëzishëm të qeverisë ndaj 800 e 20 mijë familjeve shqiptare.


Ne do rrisim sërish pagat dhe pensionet", theksoi kreu i qeverisë. Kryeministri premtoi se qeveria do të realizojë të tjera shkurtime dhe kërkoi studimin e të gjitha mundësive për shkurtime administrative, pa cenuar veprimtarinë e saj, si dhe thellimin e luftës kundër korrupsionit, që, sipas tij, është dhe do mbetet një nga burimet kryesore të të ardhurave për këtë qeveri.


"Nuk ka administratë që të ketë shkurtuar shpenzimet e saj më shumë sesa kjo dhe duhet të them se vetëm me këto shkurtime u realizuat tërësisht rritja e rrogave dhe pensioneve. Bëmë një gjë shumë të madhe.


Por kjo nuk do të thotë se nuk ka mundësi për shqyrtime të tjera, ndaj dhe për vitin që vjen niveli i shpenzimeve operative do të jetë ky, që u dërgua në parlament para një jave", u shpreh kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë u tregua optimist duke deklaruar se Shqipëria edhe për 2010 do të ketë rritjen më të madhe në Europë. "Kemi të gjitha arsyet të parashikojmë se do të mbyllim këtë vit me rritjen më të madhe në Europë.


Ata, të cilët parashikuan se do ta çojmë edhe njëherë buxhetin në Parlament, me lejoni t'ju them se keni shprehur një të vërtetë virtuale në sensin që, në rastin se do ta çonim, do ta çonim për të rritur shpenzimet, sepse të ardhurat i disponojmë", - deklaroi kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë.


Deputeti i djathtë akuzon Presidentin se po shkel ligjin dhe kërkon një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit


Halimi: Kuvendi të mblidhet për Kushtetuesen

TIRANË - Mazhoranca akuzon Presidentin Bamir Topi se ka shkelur Kushtetutën, duke mos ushtruar detyrimin kushtetues për emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtuese, emërim që, sipas demokratëve, duhej të ishte bërë që prej datës katër qershor 2010. Deputeti i PD-së, Eduart Halimi, e cilësoi këtë veprim të Presidentit si një akt të rëndë dhe të paprecedentë në historinë e shtetit shqiptar. "Përbën një fyerje të rëndë për Kushtetutën dhe shtetin ligjor.


Në frymën e tij ligji dhe Kushtetutës duhet të zbatohen pa kushte, si nga qytetarët dhe nga Presidenti i vendit. Neni 125 i Kushtetutës së Republikës, thotë se Kryetari i Gjykatës Kushtetuese duhet të emërohet nga Presidenti me pëlqim të Kuvendit vetëm për një periudhë trevjeçare.


Paraardhësi i z. Kristo ka dhënë dorëheqjen nga detyra, ditën që i mbaroi mandati i kryetarit dhe ka vazhduar më tej detyrën e tij si gjyqtar. Kushtetuta dhe precedenti kushtetues akuzojnë rëndë Presidentin e Republikës për një shkelje të paprecedentë të tyre", - theksoi deputeti Halimi.


Demokratët i bëjnë thirrje presidentit Topi që të dekretojë sa më shpejt kreun e Gjykatës Kushtetuese dhe shprehën gatishmërinë për të mbledhur në mënyrë urgjente edhe parlamentin. "Në emër të Komisionit të Ligjeve dhe në emër të Kushtetutës i kërkoj Presidentit të dekretojë sa me shpejt kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, të institucionit që është garant i Kushtetutës dhe njëkohësisht kërkoj thirrjen urgjente të parlamentit për të bërë emërimin e tij", u shpreh sekretari i Komisionit të Ligjeve.


Për deputetin Halimi, skadimi i mandateve të anëtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese nuk përbën shkak për të mos dekretuar emrin e ri për kryetar të Gjykatës Kushtetuese. "Është fyese për shqiptarët që të përdoret si justifikim skadimi i mandatit të disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që edhe dekretimi i tyre është fund e krye kompetencë e Presidentit të Republikës", theksoi Halimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›