Presidenca: E vërteta e Gjykatës Kushtetuese

Këshilltari juridik i Presidentit, Spiro Peçi, shpjegon çështjen e Gjykatës Kushtetuese dhe akuzon mazhorancën se po tenton të zhvillojë një debat për të shmangur vëmendjen nga problemet reale të politikës
"Akuzat e mazhorancës në drejtim të Presidentit të Republikës bëhen me qëllimin e vetëm për të hequr vëmendjen nga problemet e rëndësishme të politikës shqiptare". Me këto fjalë e ka komentuar dje këshilltari juridik i Presidentit, Spiro Peçi, debatin e dy ditëve të fundit.
Juristi i vjetër dhe njohësi shumë i mirë i ligjeve shqiptare pohoi se procesi i plotësimit të vendeve të mbetura vakant në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë do të përfundojë që në ditët e para të shtatorit me fillimin e sesionit të ri të Kuvendit të Shqipërisë. Sipas këshilltarit Peçi, vonesat në emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese kanë ardhur si pasojë e burokracive të parlamentit.
Zoti Peçi, kohët e fundit presidenca është akuzuar se po shkel afatet ligjore për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Si është e vërteta e kësaj çështjeje?
Duke u nisur nga një debat i orëve të fundit në media lidhur me mosdekretimin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, të cilit i ka mbaruar mandati, prej Presidentit të Republikës dhe me qëllim për të sqaruar opinionin publik, dua të deklaroj se çdo koment i bërë se Presidenti i Republikës është në shkelje të Kushtetutës nuk i përgjigjet realitetit ligjor dhe situatës së krijuar.
Çdo deklaratë e bërë në këtë drejtim është e frymëzuar politikisht me qëllim që të spostohet vëmendja nga problemet mjaft të rëndësishme që ka sot politika shqiptare.
Siç dihet, në Nenin 125 të Kushtetutës është përcaktuar se Presidenti i Republikës emëron kryetarin e Gjykatës Kushtetuese prej radhëve të anëtarëve të kësaj Gjykate për një afat trevjeçar.
Nga ky nen buron një detyrim i dyfishtë i Presidentit të Republikës. Së pari, me mbarimin e afatit trevjeçar dhe, së dyti, kjo zgjedhje do të bëhet nga radhët e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Siç dihet, nga nëntë anëtarë që duhet të ketë Gjykata Kushtetuese, sot katër prej tyre janë me mandat të mbaruar. Nuk do të ishte logjike, madje nuk do të ishte ligjore, që Presidenti i Republikës të kufizonte të drejtën e përzgjedhjes nga radhët e nëntë anëtarëve që duhet të ketë Gjykata Kushtetuese.
Pra, është një detyrim që jo vetëm buron nga një logjikë e përgjithshme, por është një detyrim që buron pikërisht nga Neni 125 i Kushtetutës. Gjithsesi, askush nuk mund të pengojë Presidentin e Republikës që të përzgjedhë edhe nga një numër i kufizuar anëtarësh, sepse realisht njëri do të zgjidhet kryetar i Gjykatës, por përpjekjet nuk kanë të bëjnë vetëm me vullnetin e Presidentit, por kanë të bëjnë me vullnetin e atyre që Presidenti mendon se mund të jenë kandidatë për t'u emëruar si kryetarë të Gjykatës Kushtetuese.
Ju bëj me dije se ky proces do të përfundojë që në ditët e para të shtatorit me fillimin e sesionit të ri të Kuvendit të Shqipërisë. Presidenti i Republikës, në funksion të detyrimit kushtetues që ka, ka ndjekur, jo vetëm për kryetarin, por për të gjitha vendet vakante që ka Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, një procedurë transparente, një procedurë publike, e cila ka sjellë risi në zgjedhjet e këtyre anëtarëve për vende mjaft të rëndësishme.
Pranë Presidentit të Republikës është ngritur një grup ekspertësh me funksione konsultative, të cilët kanë përcaktuar kriteret përtej kritereve ligjore që përcakton Kushtetuta si dhe ligji organik, qoftë i Gjykatës së Lartë, qoftë i Gjykatës Kushtetuese.
Po çështja e kryetarit të gjykatës...
Ditët e fundit në media është bërë një zhurmë se Gjykata Kushtetuese është e bllokuar, se Gjykata Kushtetuese nuk mund të kryejë funksionet e saj, gjë që nuk i përgjigjet realitetit.
Duhet t'ju them se qenia apo jo e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, me mandat apo pa mandat, nuk pengon veprimtarinë gjyqësore të kësaj Gjykate. Kryetari i Gjykatës është i barabartë si gjithë anëtarët e tjerë të Gjykatës në procesin gjyqësor dhe në vendimmarrjen e kësaj Gjykate.
Jo vetëm kaq, por edhe kërkesat për t'u shqyrtuar nga kjo Gjykatë pas mbarimit të mandatit të zotit Kristo, të cilat janë rreth nëntë kërkesa, janë ndarë normalisht si në çdo rast tjetër për t'u parapërgatitur që të fillojnë proceset brenda afateve ligjore dhe pas pushimeve, të cilat përfundojnë aty rreth datës gjashtë shtator.
Meqenëse flasim për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Presidenti i Republikës në vazhdimësi jo vetëm që i është përmbajtur përzgjedhjes së kandidaturave në bazë të kritereve ligjore dhe atyre të përcaktuara nga grupi i ekspertëve, por ka bërë përpjekje që pjesë e këtij procesi të bëhet edhe politika shqiptare, pa cenuar të drejtën e tij për të përzgjedhur dhe për të dekretuar.
Po përse nuk është zgjedhur kryetari?
Me mbarimin e mandateve, Presidenti i Republikës ka dalë me një propozim konkret për të dyja forcat kryesore politike, për të dy grupet parlamentare, atë të Partisë Demokratike dhe atë të Partisë Socialiste, me qëllim që të përshpejtojë dhe të mos krijohet ai ngërç që efektivisht po ndodh edhe për mënyrën e shqyrtimit sot në Parlamentin shqiptar.
Është bërë një propozim konkret, i cili është në analogji me zgjedhjen e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Më konkretisht, Presidenti i Republikës, pasi përzgjodhi nga më shumë se tetëdhjetë kërkesa, dhjetë kandidatura për Gjykatën Kushtetuese, u propozoi të dyja forcave politike, qoftë Partisë Demokratike, qoftë grupit parlamentar të Partisë Socialiste që të hiqnin nga kjo listë nga dy kandidatë dhe do të mbeteshin vetëm gjashtë kandidatë, për të cilët palët do të binin dakord.
Ky proces synonte jo vetëm pjesëmarrjen e politikës në përshpejtimin e këtij procesi mjaft të rëndësishëm, por është edhe një tregues mjaft i qartë që Presidenti i Republikës ka përzgjedhur vetëm mbi bazën e kritereve dhe jo mbi bazën e preferencave personale, sepse përndryshe nuk do të kishte asnjë garanci që nga kjo listë nuk do të hiqeshin, le të themi, të preferuarit e tij individualë.
Pra, siç e shihni, kemi të bëjmë me një proces jo vetëm ligjor, jo vetëm transparent dhe publik, por që jo gjithmonë ka gjetur mirëkuptimin edhe të faktorëve të tjerë, të cilët në fund të fundit japin pëlqimin për miratimin e dekreteve të Presidentit të Republikës.
Zoti Halimi, përfaqësuesi i Partisë Demokratike tha: "ne jemi të gatshëm që të mbledhim seancën e jashtëzakonshme për të zgjedhur Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese".
Institucioni i Presidentit do të presë shtatorin apo do të cilësohet gjithë numri i anëtarëve prej nga do të zgjidhet kryetari apo mund të ketë një seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje?
Siç e theksova, ky proces do të mbetet për ditët e para të shtatorit për dy arsye. Së pari, sepse atëherë fillon sesioni i ri i Kuvendit të Shqipërisë dhe, së dyti, krijohet mundësia në kushtet, të cilat jua shpjegova pak më lart, të përzgjedhjes së një kryetari brenda kritereve që duhet të përmbushë një funksion i tillë mjaft i rëndësishëm.
Nuk është pengesa nëse ishte Kuvendi i mbledhur apo nuk ishte Kuvendi i mbledhur, dhe çdo propozim për të mbledhur Kuvendin në mënyrë të jashtëzakonshme - jo vetëm që janë të përcaktuara rastet kur mund të mblidhet Kuvendi, - nuk ka qenë pengesë kjo.
Pengesë ka qenë, përveç shkaqeve që thashë më lart, edhe burokracia, zgjatja, mënyra e procedimit nga vetë Kuvendi i Shqipërisë në miratimin të paktën e atyre kandidaturave që janë paraqitur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Zoti Peçi, ju thatë që gjithsesi keni pasur tratativa për të zgjedhur kryetarin nga anëtarët aktualë të Gjykatës Kushtetuese, por nuk ia keni arritur. Dhe pastaj thatë që do të ishte e logjikshme në këto kushte që të pritej përfundimi i një përzgjedhjeje të të gjithë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pra plotësimit të kësaj Gjykate në fillim të muajit shtator.
Po në rast se kjo nuk do të jetë e mundur, në rast se do të kemi një refuzim të kandidaturave të Presidenti, si do të veprohet?
Unë nuk mund të përgjigjem nëse do të ketë një miratim apo rrëzim të kandidaturave që do të paraqiten. Unë ju garantoj vetëm për një gjë: që me fillimin e sesionit pranë Parlamentit shqiptar do të jenë dekretet përkatëse për të plotësuar jo vetëm vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, por edhe kryetarin e kësaj Gjykate. Është e drejta e Parlamentit të japë pëlqimin apo jo. Ai është problem, për të cilin ne nuk mund të japim ndonjë përgjigje.