Alibeaj i përgjigjet Berishës: Hedh llum për t’i mbijetuar katastrofës së vet elektorale! U bojkotua nga demokratët

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj i është përgjigjur ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili e akuzoi se ka marrë “220 mijë euro shpërblim nga Edi Rama”.
Në një postim në Facebook, Alibeaj i konsideron akuzat e Berishës si “baltë” që, sipas tij, ish-kryedemokrati po e hedh si një mënyrë për t’i mbijetuar humbjes në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Ndalur te dorëheqja e tij si kryetar në detyrë i Partisë Demokratike, Alibeaj e konsideron atë një akt për të mirën e demokratëve, ndërsa shton se largimi i Berishës do të ishte “çlirim” për ta.
“Pasi u bojkotua masivisht nga demokratët dhe shqiptarët, Sali Berisha vazhdon të hedhë llum dhe baltë si e vetmja mënyrë për t’i mbijetuar katastrofës së vet elektorale. I përjashtuari i madh nga politika, me 103 mijë vota demokratësh kundër tij e me 200 mijë të tjerë që e refuzuan dëshmoi qartë kush i ka shërbyer kujt. Edi Ramës i duhet Sali Berisha dhe soji e sorollopi i tij i korruptuar për të justifikuar korrupsionin ku është zhytur ai dhe qeveria e tij. Unë nuk kam qenë kurrë e nuk jam me parimin e Xenit, për tu paguar për gjithçka. Sali, dorëheqja ime është akt që shkon për të mirën e demokratëve, largimi yt është çlirim dhe frymarrje për ta”, shkruan Alibeaj.
/rtsh.al/