Ministri Peleshi vizitë zyrtare në Slloveni, takohet me homologun Sarec: Rrisim bashkëpunimin për mbrojtjen dhe sigurinë

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka nisur vizitën zyrtare në Slloveni, me ftesë të homologut Marjan Sarec.
Gjatë takimit që zhvilloi me Sarec, Peleshi vlerësoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, ndërsa vuri theksin te bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Po ashtu, Peleshi deklaroi se Sllovenia është mbështetëse e integrimit europian të Shqipërisë.
“Sllovenia është një partnere e Shqipërisë dhe një mbështetëse e vendit tonë në rrugën e gjatë të integrimit në Bashkimin Europian”, tha ai.
Pas takimit mes dyshes, Peleshi në fjalën e mbajtur në konferencën e përbashkët me homologun e tij, tha se e njohu atë me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, reformat e realizuara si dhe angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare drejt përmbushjes së objektivit madhor atë të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Duke vënë theksin tek roli i Shqipërisë në favor të fqinjësisë së mirë, prosperitetit dhe promovimit të vlerave demokratike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ministri Peleshi tha se kërkoi nga homologu slloven të vijonte mbështetjen në përfshirjen e Kosovës në nisma rajonale, në të cilat ajo mund të japë kontributin e saj dhe të jetë një vlerë e shtuar për zhvillimin e bashkëpunimit rajonal.
Peleshi e njohu ministrin Sarec edhe me reformat dhe vëmendjen e veçantë të qeverisë shqiptare për reformimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, duke përfshirë këtu investime në fushën e mbrojtjes kibernetike, në industrinë ushtarake si dhe përmirësimin e ndjeshëm të trajtimit financiar të ushtarakëve.
“Një vëmendje të veçantë po I kushtohet reformave në fushën e edukimit dhe trajnimit të personelit të Forcave të Armatosura, për të cilat personalisht besoj fort se një investim i tillë sot do të sjellë një të ardhme më të ndritur dhe cilësore për ushtrinë shqiptare”, u shpreh Ministri i Mbrojtjes.
Ministrat e Shqipërisë dhe Sllovenisë shkëmbyen ide dhe ranë dakord të intensifikojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes si dhe angazhuan stafet respektive në hartimin dhe implementimin konkret të këtyre ideve.
/rtsh.al/