E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibia e Vladit në polici: Kur u vra Marku isha në kafe te Kullat me një vajzë

SHKRUAN: Leonard Bakillari 19-08-2011 11:23

Policia e Tiranës zbardh konfliktin mes Pavlin Markut dhe Astrit Vladit për një makinë të lënë peng për dy vajzat në Zvicër, por i arrestuari nuk pranon krimin. Paraqet si alibi një fotografi të kamerave të lokalit ku ndodhej së bashku me një vajzë

Tiranë Policia e Tiranës njoftoi dje arrestimin e autorit të dyshuar të vrasjes së 31-vjeçarit Pavlin Marku, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së martës në vendin e quajtur “Kthesa e Kamzës” në Tiranë. Sipas policisë, ai është shtetasi Astrit Vladi, me precedentë të mëparshëm penalë për grabitje të armatosur. Si motiv të kësaj vrasjeje, policia njoftoi një konflikt për motive të dobëta mes viktimës dhe autorit, i cili është nipi i këngëtarit të njohur Arif Vladi. Policisë i kanë mjaftuar 24 orë për të rënë në gjurmët e të dyshuarit, i cili është identifikuar si shtetasi Doxh (Astrit) Vladi 34 vjeç, me banim në kryeqytet. Ka qenë dëshmia e njërit prej miqve të viktimës, që ka “zbërthyer” një konflikt të nisur në fillim të këtij viti mes viktimës dhe këngëtarit Arif Vladi. Dëshmi pas dëshmie, policia ka mundur të arrijë tek Astriti, një prej 8 nipave të këngëtarit, si i dyshuar për vrasje me paramendim. Sipas burimeve të rezervuara të policisë, mësohet se viktima dhe autori i dyshuar ishin konfliktuar mes tyre tri javë më parë dhe që prej asaj dite nuk ka pasur më asnjë kontakt mes tyre. Kjo e dhënë ka shtyrë policinë të kërkojë më tej, duke arritur edhe te zanafilla e konfliktit, që dyshohet se nis në muajin shkurt të këtij viti. Duke shfrytëzuar njohjen me këngëtarin Arif Vladi, Pavlin Marku i kërkon atij të marrë me vete me qëllim integrimin në jetën artistike në Zvicër të dy mikeshave të tij. Pasi Vladi pranon, Marku i kërkon t’i lërë “peng” një automjet tip “Benz” si garanci për mbarëvajtjen e udhëtimit të vajzave drejt Zvicrës si dhe për sistemimin e tyre me punë. Këtu duket se nis dhe zanafilla e konfliktit, pasi Markut i është dashur të udhëtojë drejt Zvicrës për të marrë dy mikeshat e tij, të cilat kanë mbetur pa punë. Po ashtu, 31-vjeçarit i është kërkuar automjeti, të cilin Vladi pretendon se ia ka dhënë për ta shitur dhe jo si garanci për udhëtimin e vajzave. Kërkesave të vazhdueshme të këngëtarit për kthimin mbrapsht të automjetit me vlerë rreth 3 mijë euro, Pavlin Marku u është përgjigjur negativisht, deri rreth 3 javë më parë, kur dyshohet se e ka shitur atë në vlerën e mësipërme. I ndodhur përballë refuzimit të vazhdueshëm nga ana e Markut, Vladi ka kërkuar ndihmën e nipave të tij për të rimarrë automjetin. Sipas dëshmitarëve që pohojnë konfliktin me Markun, por jo vrasjen, mësohet se Astrit Vladi ka debatuar mjaft ashpër me Pavlin Markun, madje takimi mes tyre ka degjeneruar edhe në dhunë fizike. Pas këtij debati duket se gjithçka është qetësuar, pasi edhe njëri prej miqve të viktimës dëshmon se konflikti ishte mbyllur. Sipas tij, Pavlini i kishte treguar se pas një takimi me Arif Vladin, gjithçka ishte mbyllur dhe askush nuk i kishte borxh njëri-tjetrit. Sipas hetimeve të policisë, konflikti i fundit është shënuar rreth tri javë më parë, ndërsa Marku kishte vënë në dijeni mikun e tij, të cilin do ta takonte mbrëmjen e vrasjes. Të dhënat e marra në telefonin e viktimës tregojnë se ky ka qenë momenti i fundit i konfliktit, pasi viktima dhe autori i dyshuar kanë këmbyer sms dhe telefonata fyese mes tyre. Kaq ka mjaftuar për policinë e kryeqytetit që të prangosë si të dyshuar për vrasje me paramendim Astrit Vladin, i cili ka paraqitur një alibi në ambientet e policisë. Përgjatë mbrëmjes së djeshme, deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm, Astrit Vladi dhe familjarë të tij janë marrë në pyetje në ambientet e policisë, ku kanë mohuar në mënyrë kategorike përfshirjen në vrasje. Madje Astrit Vladi thotë se gjatë momentit kur ka ndodhur vrasja ai ka qenë në një prej lokaleve në qendër të kryeqytetit, nën shoqërinë e një vajze. Ky fakt, sipas tij, provohet edhe nga kamerat e sigurisë që ndodhen në ambientet e Kullave Binjake, ku është edhe lokali, si dhe nga dëshmia e vajzës që shoqëronte Vladi. Po ashtu, familjarë të tij kanë pohuar se rreth mbrëmjes së të martës, në orën 20:00 Astrit ka qenë në shtëpi, ndërsa më pas ka dalë. Duke qenë se vrasja sipas versionit zyrtar të policisë ka ndodhur në orën 19:45, alibia e të arrestuarit, por dhe familjarëve të tij do të kërkojë shumë punë nga ana e policisë për rrëzimin e saj. Përveç dëshmive që tregonin konfliktin, tashmë të pranuar edhe nga autori i dyshuar, sipas burimeve mësohet se policia nuk disponon asnjë provë direkte që implikon Vladin në vrasje. Gjetja e provave pritet të jetë një nga pjesët më të vështira të hetimit, pasi ndalimi i të dyshuarit është kryer me iniciativë të policisë, pa u konsultuar më parë me drejtuesit e grupit të hetimit.

Alibia e Vladit, policia sekuestron pamjet filmike

Mbetet për t’u verifikuar diferenca kohore nga vrasja e Pavlin Markut në orën 19:55 minuta te hyrja e Astrit Vladit në lokal, në orën 20:17 minuta

Tiranë Alibia e të dyshuarit për vrasje, Astrit Vladi, është një nga momentet kryesore të verifikimeve që po kryen grupi i hetimit. Edhe pse me vonesë, policia ia ka dalë që rreth mesditës së djeshme të sekuestrojë serverin e kamerave dhe filmimet e regjistruara nga ky server përgjatë mbrëmjes së të martës. Gjatë marrjes në pyetje, autori i dyshuar ka deklaruar para oficerëve të policisë se mbrëmjen e vrasjes ai ka qenë në shoqërinë e një femre në një lokal në ambientet e Kullave Binjake. Por pavarësisht kësaj deklarate, oficerët e policisë gjyqësore nuk kishin kryer asnjë veprim në këtë drejtim, derisa janë urdhëruar të kryejnë sekuestrimin e serverit dhe pamjeve filmike. Sipas të dhënave të rezervuara mësohet se mesditën e djeshme, oficerët e policisë kanë shkuar në ambientet e kullave binjake ku kanë kontaktuar me administratorin dhe kanë marrë filmimet e nevojshme, që i përkasin mbrëmjes së të martës. Sipas filmimeve ,rezulton se Astrit Vladi ka hyrë në ambientet e Kullave Binjake në orën 20:17 minuta të së martës, ndërsa policia thotë zyrtarisht se vrasja e Pavlin Markut është kryer në orën 19:55 minuta. Tashmë policia pritet të rimarrë në pyetje dëshmitarët e paktë që kanë dëgjuar të shtënat dhe përplasjen e motorit me të cilin udhëtonte viktima për të saktësuar orën e krimit. Po ashtu, në fokus të hetimeve do të jenë edhe filmimet, për të përcaktuar autenticitetin e tyre. Nëse filmimet rezultojnë të sakta, atëherë mund të provohet alibia e 34-vjeçarit, duke rrëzuar kështu versionin e policisë për vrasjen me paramendim të Pavlin Markut. Alibia e Vladit se në momentet kur ka ndodhur ngjarja ai ka qenë në ambientet e një lokali te Kullat Binjake është pohuar për policinë edhe nga shoqëruesja e tij, e cila është pyetur nga policia mbrëmjen e së mërkurës, menjëherë pas shoqërimit të Vladit. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›