Formulari i pasaktësive, kontestimet për notat do të konfirmohen në AKP
Ministria e Arsimit publikon formularin e korrigjimit të pasaktësive si dhe udhëzuesin për plotësimin e tij. MASH sqaron se çdo maturant që vë re ndonjë pasaktësi në Librin e Transparencës, të publikuar edhe në shkolla, ku përveç ID-së evidentohen dhe të dhënat e tij personale (emër, atësi, mbiemër, datëlindje), duhet të lexojë udhëzimin e mëposhtëm dhe të plotësojë formularin e korrigjimit të pasaktësive, të cilin duhet ta dorëzojë në shkollë brenda datës 26 gusht 2011. Bashkë me Librin e Transparencës në të gjitha DAR/ZA-të, në formë elektronike është shpërndarë edhe formulari i korrigjimit të pasaktësive. Elementet vlerësues të Maturës Shtetërore për çdo maturant janë: nota mesatare e shkollës së mesme; nota e provimit të detyruar D1 (Letërsia); nota e provimit të detyruar D2 (Matematika); nota e provimit me zgjedhje Z1; nota e provimit me zgjedhje Z2. MASH shpjegon se ky formular është përgatitur për të evidentuar pasaktësitë që mund të shfaqen në Librin e Transparencës për maturantë të ndryshëm.
Ndaj ky formular do t’u jepet vetëm maturantëve që kanë kontestime për të dhënat e tyre në Librin e Transparencës. Pas plotësimit të tij nga maturanti përkatës dhe konfirmimit zyrtar nga drejtoritë e shkollave dhe drejtoritë e DAR/ZA-ve, këto të fundit i përcjellin në Drejtorinë e Pranimeve të Agjencisë Kombëtare të Pranimeve (AKP) dhe pas kësaj bëhen korrigjimet përkatëse në bazën e të dhënave. Ndërkaq, MASH thekson se të dhënat që kanë lidhje me notat, mesatarja, D1, D2, Z1, Z2 do të konsultohen nga ana e specialistëve të AKP me bazën e të dhënave dhe më pas konfirmohen nga drejtori i AKP.
Si duhet të plotësohet
Në pjesën e parë është e detyrueshme të plotësohen të dhënat për rrethin, bashkinë/ komunën, shkollën dhe ID e maturantit. Në çdo kuti shkruhet vetëm një shkronjë ose një numër. Shkronjat duhet të jenë kapitale dhe numri me shifra arabe. Këto të dhëna janë të domosdoshme për identifikimin e maturantit që kërkon ndryshime të dhënash në bazën e të dhënave. Në pjesën e dytë, në seksionin “Si ishte” janë të detyrueshme të plotësohen të gjitha të dhënat: emri, atësia, mbiemri, datëlindja, nota mesatare (me shifra dhe me shkrim si në Formularin A2). Praktikisht këto të dhëna janë si në Librin e Transparencës.
Në seksionin “Si bëhet” do të plotësohen vetëm ato të dhëna ku kërkohet ndryshimi. Për shembull, nëse kërkohet ndryshim tek emri, te rreshti emri shkruhet si duhet të jetë emri i saktë. Mund të ndodhë të kërkohen dy ose më shumë ndryshime: për shembull, datëlindja edhe nota mesatare. Pasi kërkesa për ndryshimet të jetë plotësuar me kujdes, maturanti shkruan emrin, mbiemrin dhe firmos në vendin përkatës. Këto ndryshime që kërkohen nga maturanti duhet të konfirmohen nga mësuesi kujdestar, drejtori i shkollës, që pasi firmos, vendos dhe vulën e shkollës, si dhe nga drejtori i DAR/ZA, që gjithashtu firmos dhe vulos këtë formular. Në përfundim të këtij procesi, DAR/ZA-të, pasi mbledhin të gjithë formularët e korrigjimit të pasaktësive, të plotësuar siç shpjegohet më lart, i përcjellin ato në AKP, sipas afateve të përcaktuara nga MASH. Pas dorëzimit të këtyre formularëve në AKP dhe daljes së rezultateve të konkurseve të pranimit, për degët me konkurs, do të bëhet edhe shpallja e rezultateve paraprake të fituesve të universiteteve, lista e të cilëve pritet të dalë në datën 11 shtator.