E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arif Vladi: Rrëfej konfliktin me Pavlin Markun për 2 këngëtaret në Zvicër, nipi im ka alibi

Këngëtari i njohur i muzikës popullore, Arif Vladi, tregon takimin e parë me Pavlin Markun dhe bisedën me të për të dërguar dy vajza si balerina-këngëtare në lokalet e Zvicrës. “Arrestimi i nipit tim, i paligjshëm. Falë Zotit është e vërtetuar se nipi im, në orarin kur ka ndodhur vrasja, është regjistruar nga kamerat e Kullave Binjake në Bulevard, duke pirë kafe”

Intervistoi: Habjon Hasani

Pak orë pas arrestimit të nipit për vrasjen e Pavlin Markut, këngëtari i njohur i muzikës popullore, Arif Vladi, rrëfen njohjet e tij me viktimën dhe konfliktet që ka pasur gjatë muajve të fundit. Në këtë intervistë për MAPO-n tregon takimin e parë me Pavlin Markun, marrëveshjen për të dërguar në Zvicër dy balerina-këngëtare dhe konfliktin për 1 makinë, i cili është bërë shkak për një përleshje të ndodhur dy javë më parë mes Astrit Vladit dhe viktimës. Këngëtari i njohur mohon që nipi i tij të ketë lidhje me vrasjen dhe bën me dije alibinë e tij, të shoqëruar me një fotografi të Astrit Vladit në një lokal të Kullave në qendër të Tiranës, në orën e krimit.

Zoti Vladi, policia ka kryer arrestimin e nipit tuaj në lidhje me vrasjen e shtetasit Pavlin Marku, ndërsa dyshohet se konflikti mes nipit tuaj dhe shtetasit Pavlin Marku mund të jetë nxitur prej jush, për shkak të këngëtareve që kanë ardhur në Zvicër. Ju në ç’raport jeni me këto pretendime?

Për shkakun tim dhe të frymëzuara nga unë janë bërë vrasje, s’mund ta mohoj. Janë vrarë shumë. Por kanë qenë vrasje të bëra nga shqiptarë kundër serbëve pushtues për lirinë e atdheut, së cilës i kam kënduar prej dekadash, por kurrë s’mund të kem frymëzuar apo nxitur në asnjë moment vrasje me shqiptarësh.

Por ama, organet hetimore pretendojnë se ka patur një konflikt mes nipit tuaj dhe të ndjerit Marku disa javë më parë, apo jo?

Duke u nisur nga ngjarja e rëndë dhe duke mos patur fakte të sakta për arrestimin e nipit, mesa duket policia është bazuar mbi thënien e familjarëve, të cilët kanë qenë në dijeni të faktit se nipi im është konfrontuar fizikisht më të ndjerin. Ky është një fakt që realisht ka ndodhur dy javë më parë.

Për çfarë motivesh ndodhi ky konfrontim fizik mes Pavlin Markut dhe nipit tuaj?

Ky konfrontim fizik ndodhi pasi unë Pavlin Markut i kisha autorizuar të përdorte automjetin tim dhe paralelisht kishte me prokurë të drejtën për ta shitur atë automjet, për llogarinë time. Kaluan disa muaj dhe ai nuk e bëri këtë gjë dhe arriti të më bëjë dhe presion, duke më thënë që unë s’ta jap më automjetin se kam prokurë. Këtë gjë ma ka thënë para një muaji. Unë në atë moment i kam thënë se do i bëja denoncim në polici. Ndërsa ai më ka thënë tekstualisht: “Mos guxo të më denoncosh në polici, se unë do të fus në kanale të tjera që do të bëjnë të pendohesh”. Të nesërmen unë kam shkuar në drejtorinë e policisë së Tiranës për të bërë denoncim. Ata më orientuan në rajon, pasi nuk ishte kompetencë direkte e tyre. Vajta në rajon, takova një oficer krimesh, ia shpjegova problemin. Ai menjëherë më kërkoi numrin e telefonit të Pavlin Markut, e thirri në prezencën time dhe i la takim pas 40 minutash. Në këtë moment unë jam larguar. Sipas informacioneve që mora më vonë nga oficeri, i ndjeri i ka thënë oficerit të policisë se unë kam prokurë ligjore prej Arifit dhe keni bërë gabim që më keni thirrur. Bisedën e plotë mes tyre unë nuk mund ta di, por oficeri më tha që realisht është çështje për gjykatë, pasi mosmarrëveshjet mbi kontrata ligjore dhe prokurën e zgjidh vetëm gjykata. Këtë ai e shfrytëzoi për të mos ma kthyer makinën time “Mercedes 200 CLK”. Dy- tre ditë më vonë, unë ia tregova rastin njërit prej nipërve të mi, se e pashë se unë s’mund të komunikoja me të edhe për shkak të reagimeve të ashpra nga ana e tij. Nipi im e ka gjetur te një kafe afër vendit të punës në një “call center”. E ka tërhequr ndoshta me forcë dhe kanë dalë në një parkim për të biseduar larg të pranishmëve. Aty janë goditur respektivisht, ku në fund, sipas nipit tim, ai kishte thënë që menjëherë tani do shkojmë të të sjell makinën. Kur ai ka rënë dakord që ta merrnin, ka shfrytëzuar një moment dhe iku me vrap. Si duket nga rrahjet që kanë bërë me njëri-tjetrin, ai ka qenë me shenja dhe në shtëpi ka treguar që më ka rrahur nipi i filanit. Unë shkova dhe te oficerët e policisë rrugore, u dhashë dhe targën e veturës dhe u thashë të më ndihmonin të merrja makinën time. Po prej asaj dite, ai nuk ka dalë më me veturë.

Në ç’rrethana e keni njohur ju Pavlinin? Si e krijuat besimin për t’i dhënë prokurë atij për shitjen e makinës tuaj?

Njohja erdhi rastësore, në muajin shkurt të këtij viti. Unë kam qenë me një shokun tim dhe ai ka ardhur në tavolinë, pasi e njihte shokun tim dhe shoku im ma prezantoi si nipin e tij. Edhe ai e thërriste “dajë”. Në bisedë e sipër thotë që ishte menaxher muzike. Unë e pyeta: “Çfarë menaxhoni ju?”. Thotë se menaxhonte këngëtare dhe balerina në gjithë Shqipërinë, Kosovë dhe Maqedoni. Unë i thashë që edhe unë po përgatitem të shkoj me një grup në Zvicër, ku bosi i lokalit më ka thënë që duhen dy balerina-këngëtare. Ai më tha :“T’i gjej unë menjëherë”. Madje, më sqaroi se njëra prej tyre ishte e fejuara e tij. Këtë e konfirmoi dhe vetë vajza. Pasi më çoi në një lokal me muzikë live, ku kënduan dhe vallëzuan, unë rashë dakord që t’i rekomandoja për mikun tim në Zvicër dhe arsyeja që e bëra rekomandimin ishte fakti që ky të fejuarën dhe shoqen e saj do t’i shoqëronte vetë dhe do të punonte si truprojë te porta e lokalit të muzikës live në Zvicër. Duke ditur mentalitetin shqiptar, kur vajzat ikin të shoqëruara me vetë familjarin, kjo e bën më të sigurt rrugëtimin e tyre, kjo ishte arsyeja që unë rashë dakord për t’i rekomanduar. U bëmë gati të niseshim për Zvicër dhe ai më thotë që për arsye pune, do të vonohej një javë. Gjatë kësaj kohe ai pa veturën time që i kisha vënë tabelën “shitet”. Pasi e pa, më kërkoi t’i bëja prokurë atij, që ta shiste gjatë asaj jave. Unë i bëra prokurën, sepse ishte dikush që po çonte të fejuarën e vet në punë dhe do vinte bashkë me të dhe s’kisha pse të mos i besoja.

Çfarë ndodhi më pas në Zvicër?

Gjatë 10-ditëshit të parë të qëndrimit në Zvicër, ditët e para unë nuk isha. Kur u ktheva pas një jave, mësova se vajzat grindeshin me njëra-tjetrën dhe kishin shfaqur shenja pakorrektësie në raport me punën. Unë u thashë se në qoftë se ato nuk do të ishin korrekte, do të lajmëroja Pavlinin dhe në momentin që do vinte ai, kontrata me vajzat do të ndërpritej. Në këtë moment e fejuara e tij bisedon në telefon me Pavlinin, i cili ishte në Tiranë. Se çfarë biseduan, nuk e dëgjova. Kur u ktheva pas gjysmë ore, ato ishin larguar në drejtim të paditur. I bëj telefon Pavlinit dhe më tha se u kishte dhënë ai urdhër të largoheshin. Këtu kuptova që Pavlini më kishte përdorur mua thjesht si trampolinë për të çuar vajzat në Zvicër dhe për të vazhduar planet e tyre. Kjo është historia e Zvicrës. Se ku kanë vazhduar vajzat më vonë, unë nuk e di fare, sepse me Pavlinin u interesova më tutje vetëm për çështjen e automjetit tim.

Ju shpjeguat sherrin e dy javëve më parë të viktimës me nipin tuaj. Por sot ai rezulton në pranga, i akuzuar për vrasjen e Pavlin Markut…

Për hir të ngjarjes së rëndë me vdekje, policia vetëm këtë mundësi ka patur të bëjë. Ndoshta këtë e ka bërë për të qetësuar familjarët. Falë Zotit është e vërtetuar se nipi im, në orarin kur ka ndodhur ngjarja, është regjistruar nga kamerat e Kullave Binjake në Bulevard, duke pirë kafe. E vërteta do dalë shumë shpejt, pasi nipi im mund të jetë pak natyrë e sertë, por ua siguroj se në asnjë mënyrë apo rrethanë ai s’mund të arrinte të ndërmerrte një veprim aq të rëndë, për arsye aq ordinere.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›