Alibia me zonjën Glover
Ditët e fundit, drejtuesi i maxhorancës ka hapur një tjetër front lufte, vetëm disa javë para zgjedhjeve të 28 qershorit. Kësaj radhe tehu i zotit Berisha nuk është drejtuar ndaj kryesocialistit Rama apo ndonjë titullari institucionesh të pavarura, por ndaj shefes së misionit të ODIHR-it, e cila ka vetëm pak ditë që ka zbarkuar në Tiranë bashkë me stafin e saj, që do të monitorojë procesin zgjedhor.
Lufta e shpallur nga zoti Berisha përkon pikërisht me kohën kur sapo ka nisur në gjykatë procesi më i madh në historinë e Drejtësisë shqiptare për ndëshkimin e shkaktarëve të tragjedisë së Gërdecit. Në morinë e dokumenteve, provave dhe fakteve të grumbulluara nga organi i akuzës, kanë dalë edhe pjesëtarë të familjes Berisha, apo edhe zyrtarë të lartë të partisë në pushtet. Në këtë aspekt, pretendimet e Berishës për të mos pranuar ambasadoren Glover në pozicionin e monitorueses së zgjedhjeve, duke e argumentuar me faktin se ajo ka qenë në krye të ODIHR-it 13 vjet më parë, kur kjo organizatë fshikulloi shtetin e drejtuar nga zoti Berisha për organizimin e zgjedhjeve të 26 majit të vitit 1996, e kanë shpërqendruar qendrën e vëmendjes së mediave.
Ndërkaq, Berisha ka vënë në përdorim edhe institucione të tilla si KQZ-ja, e cila ka marrë udhëzime dhe po ndjek linjën e partisë në mënyrë krejtësisht arbitrare, duke refuzuar takimet e kërkuara nga ekipi i ODIHR-it, që e ka nisur aktivitetin monitorues në vendin tonë që prej datës 8 maj. Praktika të tilla kanë ndodhur vetëm në vitin 1996, kur zyrtarët e Komisionit Zgjedhor apo ministrat e asaj kohe u mbyllnin derën monitoruesve të huaj.
Vetë kreu i maxhorancës dhe njëherësh kryeministër, e ka pranuar monitorimin e zgjedhjeve të 28 qershorit nga ODIHR-i, dhe procesi për caktimin e ekipeve vëzhguese, kuptohet që ka nisur disa muaj më parë. Në muajin prill u bë edhe vlerësimi paraprak nga një mision vlerësimi i ODIHR-it. Madje ata janë takuar edhe me shefin e qeverisë.
Dalja në skenë e ish-drejtueses së ODIHR-it Glover dhe emërimi i saj në misionin monitorues të zgjedhjeve në Shqipëri nuk përbën ndonjë lojë apo puç të ndërkombëtarëve kundër kreut të kësaj qeverie. Përkundrazi. Ajo ndjek me përpikëri standardet e përcaktuara për monitorimin e zgjedhjeve, si në të gjithë botën. Por, organizmat ndërkombëtare dhe shtetet anëtare të BE-së janë shprehur se më 28 qershor do të ketë një monitorim të rreptë dhe serioz të zgjedhjeve të 28 qershorit, duke mos ulur standardet dhe parametrat e vëzhgimit, krahasuar me proceset zgjedhore të viteve të kaluara. Zonja Glover ishte ndër personat më të përshtatshëm dhe me eksperiencën e duhur në proceset monitoruese.
Por, kontestimi i zotit Berisha lidhet edhe me një tjetër fakt, që siç duket ka të bëjë me të kaluarën e tij politike. Nëse nga viti 2005 dhe deri sot ai ka arritur që “të fshijë me gomë të kaluarën e keqe të tij”, që të rehabilitojë apo të kthejë në vend duke u dhënë ofiqe dhe shpërblime të gjithë ish-besnikëve që i shërbyen deri në vitin 1997, apo nëse ka arritur që ndërtojë skemën e shfajësimit, duke ua lënë të gjitha përgjegjësitë socialistëve për ato që ndodhën 12 vjet më parë, tani po duket se zoti Berisha do që të fshijë cenet e së kaluarës edhe në mendjet e të huajve. Shumica e diplomatëve apo zyrtarëve të akredituar në Tiranë nuk e kanë prekur atë realitet dhe për ta Berisha sjell një tjetër imazh dhe pamje, ndonëse në një kohë të largët mund të feksen tek-tuk ca hije të zeza. Ardhja e zonjës Glover ka trazuar pikërisht këtë frikë dhe ka risjellë për zotin Berisha ato gabime që u bënë 13 vjet më parë. Megjithëse kreu i qeverisë pati shansin që t’i tregojë zonjës Glover se ai dhe Shqipëria kanë ndryshuar, me veprimin e fundit ai po kthehet në origjinën e gabimeve që shumëkush ka menduar se ai i kishte lënë pas. Në përballjen me ambasadoren, ish-presidenti Berisha nuk po bën përpjekjet që të flakë tej imazhin e titullarit që nuk respekton ligjet e shtetit; ai po tenton që të vrasë “hijen” e së shkuarës së tij, të cilën nuk mund ta bëjë dot duke flakur shefen e dikurshme të ODIHR-it.
Reagimet më të fundit të ODIHR-it, por edhe të vetë Brukselit zyrtar, se këto veprime janë të pagabueshme, duke mos lënë asnjë shteg të hapur për negociata që mund të sjellin ndryshimin e ambasadores Glover, e kanë vendosur kryeministrin në dy zgjedhje; së pari të tërhiqet nga pretendimet e tij, gjë që duket shumë e vështirë për karakterin që zotëron Berisha; dhe së dyti, të ndjekë modelin bjellorus, pra të refuzojë praninë e OSBE-së, gjë që do të kishte një kosto të jashtëzakonshme për të dhe gjithë vendin.
Në një situatë të tillë, kur vetë qeveria rrezikon të mos mbajë premtimin themelor që dha në vitin 2005 për krijimin e infrastrukturës zgjedhore dhe pajisjen e shqiptarëve me karta identiteti, Berisha, duke sulmuar zonjën Glover, ka filluar të përgatisë alibinë për kontestimet e mundshme të procesit zgjedhor nga monitoruesit ndërkombëtar. Të gjitha gjasat të çojnë te fakti se ky proces do të jetë i vështirë edhe për faktin se aplikohet për herë të parë një kod i ri zgjedhor; dhe se do të ketë shumë parregullsi. Nuk përjashtohen edhe përpjekjet për të marrë rezultate nga tavolina dhe jo nga kutia e votimit. Kjo gjë vështirë të realizohet në kushte të tilla dhe nën një monitorim kaq të rreptë sa ky që po përgatitet për t’u realizuar nga OSBE/ODIHR-i. Në këtë aspekt, vetë Berisha ngre alibinë për çdo rast të mundshëm se kritikat e misionit vëzhgues janë të motivuara nga mosdëshira e qeverisë shqiptare për të pranuar shefen e këtij misioni. Në mos qoftë kjo, atëherë ai ndihet i bezdisur nga transparenca e procesit apo frika e humbjes së zgjedhjeve dhe po përgatit justifikimin për çdo rezultat të mundshëm.
14 Maj 2009