Qeveria mendon për pushimet e verës, akordon 129 milionë lekë për vilat qeveritare
Qeveria shqiptare, e ngarkuar nga punët e shumta, ka nisur të mendojë edhe për pushimet verore, që me gjithë ethet e zgjedhjeve, po afrojnë edhe ato. Për këtë qëllim qeveria ka menduar që të rikonstruktojë vilat e pritjes në disa prej zonave bregdetare më të njohura të vendit, duke akorduar një fond të konsiderueshëm për këto komoditete edhe këtë vit. Në mbështetje të Nenit 100 të Kushtetutës, të Nenit 5, të Ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor të Republikës së Shqipërisë”, dhe të Nenit 12, të Ligjit nr.10025, datë 27.11.2008, “Për buxhetin e vitit 2009”, me propozimin e zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi që t’i akordojë Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2009, edhe shtesën e fondit prej 129 036 784 (njëqind e njëzet e nëntë milionë e tridhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e katër) lekë), për përfundimin e disa investimeve të nisura, për rikonstruksionin e disa vilave qeveritare, përkatësisht në Dhërmi, Durrës, Vila Nr. 1, Vlorë dhe Velipojë. Ky fond do të përballohet nga fondi i kontingjencës i buxhetit të vitit 2009, fond të cilin qeveria duhet ta përdorë edhe në raste të jashtëzakonshme fatkeqësish natyrore, apo dhe për të përballuar pasojat e krizës. Për administrimin e këtij fondi është ngarkuar Ministria e Financave dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare me qëllim që të zbatohet edhe vendimi i qeverisë. Por ajo çka është më e çuditshme është fakti se çdo vit qeveria jep fonde të konsiderueshme për riparimin e këtyre vilave, të cilat përdoren vetëm për një kohë të kufizuar nga anëtarët e qeverisë.
Bie sërish vlera e monedhës vendase, euroja kërcen në 132 lekë
Monedha shqiptare vijoi të humbasë terren kundrejt euros gjatë ditëve të fundit, duke dëshmuar vijimin e tendencës negative të vërejtur që nga fillimi i vitit. Monedha e përbashkët europiane, euro, u këmbye për 132.07 lekë dje, sipas kursit fiks të publikuar nga Banka e Shqipërisë, 0.48 për qind më shtrenjtë se të premten e kaluar. Që nga fillimi i majit, leku ka humbur 0.81 për qind. Në krahasim me janarin, euro kushton sot 6.9 për qind më shtrenjtë. Ekspertët vlerësojnë se situata e vështirë makroekonomike dhe shpenzimet e bollshme paraelektorale të qeverisë, janë faktorët që kanë rënduar mbi lekun. Situata nuk pritet të përmirësohet as në muajt në vijim. Herën e fundit që euro ishte kaq e shtrenjtë në Shqipëri, ka qenë 25 shkurti i vitit 2004. Dollari ra në 96.78 lekë dje, duke reflektuar dobësimin e fortë të monedhës amerikane në tregun ndërkombëtar. Euro këmbehet me 1.36 dollarë aktualisht. Ecuria e dollarit ka pasoja pothuajse neutrale në ekonominë shqiptare, për shkak se mallrat që importohen në dollarë, si nafta, lëvizin në drejtim të kundërt me dollarin. Nafta kushtoi 60 dollarë për fuçi gjatë ditëve të fundit, duke reflektuar dobësimin e dollarit. Rënia e vlerës së lekut ka filluar të konvertohet në rritje çmimesh në tregun e brendshëm. Pasojat e plota pritet të rëndojnë xhepat e shqiptarëve gjatë muajve në vijim.
14 Maj 2009