E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gradat, ushtarakët padisin vendimet e komisioneve në Gjykatë

Në kryesekretarinë e Gjykatës së Tiranës janë regjistruar ditët e fundit më shumë se 10 padi. Përse cilësohen të padrejta vendimet, procedura që do të ndiqet për shqyrtimin e tyre

Laureta Rryçi

Tiranë - Procesi i rigradimit në radhët e ushtarakëve kësaj here po numëron më shumë të pakënaqur. Me anëtarësimin në NATO të gjithë duan të jenë me grada sa më të larta, në mënyrë që të kenë sa më shumë përfitime. Disa vendime të komisioneve që merren me shqyrtimin e gradave janë kontestuar nga ushtarakët, të cilët pretendojnë se janë të padrejta. Për të mos u penalizuar në pagë apo në përfitime të tjera, shumë prej tyre i janë drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës. Burime pranë kësaj gjykate pohuan dje për gazetën “Albania” se ditët e fundit në kryesekretari janë regjistruar më shumë se 10 padi nga ushtarakët pikërisht për çështjen e gradave.
Vendimet
Ashtu siç ndodh çdo vit, komisionet përkatëse fillimisht shqyrtojnë kërkesat e paraqitura nga ushtarakët që plotësojnë kërkesat për një gradë më të lartë. Sipas legjislacionit në fuqi, vendimet e këtyre komisioneve janë të apelueshme në gjykatë duke respektuar një afat kohor për njohjen e kësaj të drejte. Në respektim të kësaj procedure ushtarakët i janë drejtuar gjykatës për të shfuqizuar vendimet që janë dhënë për ta në lidhje me gradat. Sipas ligjit për Forcat e Armatosura, gradimi i parakohshëm i ushtarakëve për gradën e radhës mund të bëhet vetëm një herë gjatë karrierës ushtarake, jo më parë se një vit nga plotësimi i afatit kohor të qëndrimit në një gradë. Autoritetet përgjegjëse për vlerësimin e përparimit të oficerëve në gradë dhe karrierë, si dhe për kualifikimin brenda dhe jashtë vendit janë komisionet e karrierës.
Paditë
Për të gjitha mosmarrëveshjet që lindin në procedurën e dhënies së gradave, uljen në gradë, nxjerrjen në rezervë/lirim nga shërbimi ushtarak në Forcat e Armatosura, ushtaraku ka të drejtë të ankohet te Ministri i Mbrojtjes brenda 30 ditëve. Për rishqyrtimin e ankesave ministri i Mbrojtjes krijon një komision tjetër nga ai i parashikuar në nenin 22 dhe brenda 30 ditëve jepen përgjigjet përkatëse. Kur mosmarrëveshja nuk zgjidhet, sërish ushtarakut i lind e drejta të ankohet në gjykatë brenda 30 ditëve. Kur akti i shfuqizuar nga gjykata ka të bëjë me nxjerrjen në rezervë ose me lirimin e ushtarakut nga Forcat e Armatosura, ai ka të drejtë të rikthehet në detyrën e mëparshme ose në një detyrë tjetër të njëjtë me atë të mëparshmen. Në paditë e regjistruara, që janë në pritje për nisje të shqyrtimit të tyre, renditen edhe një sërë kresash të tjera. “Kërkoj dhënien e së drejtës së konkurrimit për gradim për gradën ushtarake kolonel në bazë të Ligjit nr. 9171, datë 22.01.2004 për gradat dhe karrierën ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Mohim i së drejtës së konkurrimit për gradën ushtarake të radhës është një mohim juridik e logjik sepse nuk ka asnjë fakt apo argument ligjor kundërshtues me të drejtën qe jep ligji”, - ishte një nga objekt-paditë e depozituara në gjykatë. Por nuk mungonin edhe kërkesat e ushtarakëve për zbatimin e Urdhrit të Ministrisë së Mbrojtjes nr. 4157/1, datë 25.10.1999 për rititullimin “oficer aktiv”, emërim në detyrë dhe dhënie grade për Akademinë Ushtarake “Skënderbej”.

Komisionet e karrierës janë:
Komisioni i Veçantë i Karrierës në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili vlerëson oficerët me gradë madhore

Komisioni i Lartë në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, i cili vlerëson oficerët me gradë nga kapiten (kapiten lejtënant) deri te kolonel (kapiten i rangut I) dhe kapterët për gradën e kryekapterit

Komisioni i Zakonshëm në Komandat e Forcave, Komandën e Stërvitjes dhe të Doktrinës, Komandën e Mbështetjes Logjistike dhe Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për repartet e varësisë së drejtpërdrejtë, i cili vlerëson oficerët me gradë nëntoger, toger (nënlejtënant, lejtënant) dhe nënoficerët nga nëntetar deri në rreshter

Komisionet e karrierës në Ministrinë e Mbrojtjes, në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe në Komandat e Forcave, Komandën e Stërvitjes dhe Doktrinës, Komandën e Mbështetjes Logjistike dhe në njësitë autonome të Shtabit të Përgjithshëm krijohen nga Ministri i Mbrojtjes, me propozim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura

Përbërja e komisioneve të karrierës
Komisioni i Veçantë i Karrierës përbëhet nga:

- shefi i Shtabit të Përgjithshëm, kryetar

- një gjeneral major, anëtar

- tre gjeneralë brigade të specialiteteve të ndryshme, anëtarë

Komisioni i Veçantë i Karrierës mblidhet me kërkesë të ministrit të Mbrojtjes për të vlerësuar dhe rekomanduar gradimin e oficerëve në grada madhore

Komisioni i Lartë i Karrierës përbëhet nga:

- një gjeneral major, në raste të veçanta, gjeneral brigade, kryetar

- tre gjeneralë brigade të specialiteteve të ndryshme, anëtarë

- tre kolonelë (kapiten i rangut I) të specialiteteve të ndryshme, anëtarë

Komisioni i Lartë i Karrierës mblidhet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes për të vlerësuar dhe propozuar për gradim ushtarakët nga kapiten deri te kolonel dhe kapterët, të cilët përmbushin kriteret e përcaktuara në këtë ligj

Komisioni i Lartë i Karrierës mblidhet sipas afateve të përcaktuara në urdhrin e ministrit të Mbrojtjes

Komisioni i Zakonshëm i Karrierës përbëhet nga:

- një gjeneral brigade, kryetar

- gjashtë kolonelë (kapiten i rangut I) të specialiteteve të ndryshme, anëtarë

Komisioni i Zakonshëm i Karrierës mblidhet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes për të vlerësuar dhe propozuar për gradim nëntogerët, togerët dhe nënoficerët e karrierës, të cilët përmbushin kriteret e përcaktuara në këtë ligj

Komisioni i Zakonshëm i Karrierës mblidhet sipas afateve të përcaktuara në urdhrin e ministrit të Mbrojtjes

Procesi për rigradimin e oficerëve rezervistë

Shtetasi shqiptar që ka kryer arsimin e lartë dhe, në raste të veçanta, edhe me arsim të mesëm, që ka kryer shërbimin e detyrueshëm dhe betimin ushtarak, si dhe ka kryer vullnetarisht tre muaj stërvitje në rolin e komandantit të togës, titullohet nga ministri i Mbrojtjes oficer rezervist me gradën nëntoger.

b. Nëntogeri e fiton gradën e togerit nëse ka shërbyer 4 vjet në strukturat rezerviste dhe ka kryer një kurs kualifikimi përkatës në shkollën e trupës. Oficerët aktivë me gradën e nëntogerit (përjashto ata që largohen për arsye shëndetësore dhe ligjore), kur përfundojnë kontratën me Forcat e Armatosura mund të shërbejnë në strukturat e saj për një periudhë 5-vjeçare me të njëjtën gradë.

Togeri, për të fituar gradën e kapitenit, duhet të shërbejë 5 vjet në strukturat rezerviste, pasi ka kryer kursin e komandantit të kompanisë, kursin e oficerit të shtabit të batalionit apo kurse të tjera të njësuara me to në akademitë ushtarake jashtë vendit. Oficerët aktivë që mbajnë gradën kapiten dhe nuk përparojnë në gradë apo që për arsye joshëndetësore a ligjore përfundojnë kontratën me Forcat e Armatosura, kalojnë oficerë rezervistë dhe mund të shërbejnë në këto struktura për një periudhë 5-vjeçare me të njëjtën gradë.

Kapiteni, për të fituar gradën e majorit, duhet të ketë kryer kursin themelor të oficerit të shtabit në Akademinë e Mbrojtjes “Spiro Moisiu” ose kurse të njësuara më të në akademitë ushtarake jashtë vendit. Oficerët aktivë që mbajnë gradën major dhe nuk përparojnë në gradë apo që për arsye joshëndetësore a ligjore përfundojnë kontratën me Forcat e Armatosura kalojnë oficerë rezervistë dhe mund të shërbejnë në këto struktura për një periudhe 5-vjeçare me të njëjtën gradë.

Majori, për të fituar gradën e nënkolonelit, duhet të ketë kryer kursin e Shtabit të Përgjithshëm ose kursin e funksioneve në shtab në Akademinë e Mbrojtjes "Spiro Moisiu" a kurse të njësuara me të në akademitë ushtarake jashtë vendit. Oficerët aktivë që mbajnë gradën nënkolonel dhe nuk përparojnë në gradë apo që për arsye joshëndetësore a ligjore përfundojnë kontratën me Forcat e Armatosura, kalojnë oficerë rezervistë dhe mund të shërbejnë në këto struktura për një periudhë 5-vjeçare me të njëjtën gradë.

14 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›