NATO-ja nuk mund të jetë mburojë e qeverisjes klanore dhe të korruptuar
Nga Fiqiri Cena*
Tashmë dihet nga të gjithë se Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota e Aleancës Atlantike. Kjo është domosdo një risi e mirë për popullin tonë, por jo një ëndërr që nuk mund të arrihej. Për këtë arritje po komentohet për ditë të tëra, po trumbetohet me zell të madh sikur ne të ishim të parët që do të vërtetonim se dhe në planetin Mars ka jetë, ku jetojnë njerëz si dhe në tokë, prandaj o burra të shkojmë atje. Por, duke analizuar, dëgjuar e parë gjendjen aktuale tejet mjerane të popullit shqiptar, duke parë se më shumë po flasin ata që janë përgjegjës për gjendjen aktuale që po jeton populli, përgjegjës prej 19 vitesh, atëherë mendova që edhe unë, si pjesë e këtij populli të varfër e të mjeruar, të hedh dy rreshta në këtë shkrim për të qartësuar disa gjëra që populli të mos mashtrohet më e që me armën që ka në dorë (që është vota), t’i thotë STOP qeverisjes së mbrapshtë, të korruptuar dhe klanore, duke i dhënë kështu atë çka meriton, ndëshkimin e duhur.
NATO-ja është një institucion politiko-ushtarak, i cili është krijuar në vitin 1949, dhe pas saj si kundërpeshë u krijua Traktati i Varshavës. Pra NATO-ja dhe Traktati i Varshavës ishin dy aleanca të kundërta politiko-ushtarake, që viheshin përballë njëra-tjetrës për mbrojtjen e dy regjimeve të kundërta, atë të kapitalizmit perëndimor nga njëra anë, dhe nga ana tjetër të social-komunizmit lindor. Kështu që vendi dhe populli im nuk është se i ka pranuar të mirat apo të këqijat. Thënë ushtarakisht, ky popull i ka hequr në kurriz anët e forta apo të dobëta të traktatit të Varshavës dhe tani, pas kaq vitesh e në kushte tepër të rënda ekonomike, le të provojë anët e mira dhe të këqija të Aleancës së Atlantikut.
Kohët kanë ndryshuar shumë dhe bashkë me to kanë ndryshuar dhe taktikat dhe strategjitë e institucioneve politiko-ushtarake në botë, mes të cilave është dhe NATO-ja. Shumë gjëra kanë evoluar, kështu që dhe qëllimi, funksioni dhe organizimi i NATO-s, sigurisht që kanë evoluar. E theksoj këtë sepse edhe raporti politik me atë ushtarak shikohet qartë se ka ndryshuar. Kjo gjë dallohet lehtësisht edhe duke krahasuar gjendjen aktuale të vendit. Nëse do të ishte NATO-ja ajo që ka qenë nuk do të pranonte një vend si Shqipëria, ku qeveria aktuale diskriminon ushtarakët, nuk u njeh meritat, nuk njeh gradat e asnjë lloj kategorie që dalin në lirim e pension, por i lë në rrugë të madhe pa ndjerë asnjë lloj përgjegjësie për këtë kategori njerëzish e familjet e tyre, një qeveri që nuk e njeh e nuk pranon vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nuk mund të pranohej një vend si Shqipëria ku shteti dhe qeveria e tij shkelin dhe të drejtën më themelore kushtetuese, të drejtën për të punuar e jetuar. Tashmë populli e di dhe e ka mjaft të qartë se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë themelet kryesore mbi të cilat qeveriset ky vend. Organizimi i shtetit mbi bazë klanore e farefisnore janë shtrati më i fuqishëm mbi të cilin qëndrojnë fort korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Kjo formë qeverisjeje nga njëra anë ka sjellë varfërinë dhe mjerimin e tejskajshëm, pasigurinë e njerëzve për jetën dhe, nga ana tjetër, pasurohet në mënyrë të paligjshme një grup i caktuar personash që kanë zaptuar administratën publike me anë të mashtrimeve të paskrupullta dhe demagogjive në fushata zgjedhore dhe të sekserëve të tyre jashtë administratës, të cilët i kanë lidhur rrënjët pazgjidhshmërisht me shtetin dhe së bashku me të prodhojnë e fabrikojnë metodat më të sofistikuara të veprimeve antiligjore, korruptive, duke iu krijuar fushë të gjerë veprimeve mafioze e të kriminale.
Mendoj se është mjaft domethënëse thirrja që i bëri fëmija 10-vjeçar mjekut në momentin kur po jepte shpirt, ku i thoshte të mos i merrte lekë të atit të varfër. Kjo besoj se është edhe një thirrje e fortë për Doktor Berishën, pa le pastaj për institucionet ndërkombëtare, të cilat perdja e madhe e korrupsionit në Shqipëri nuk i ka lejuar të njohin gjendjen reale të këtij populli.
Ja pra cilët janë dhe pse po e trumbetojnë me të madhe këta persona anëtarësimin në NATO. Është e vërtetë se NATO-ja ndërhyn për të mbrojtur shtetet anëtare të saj kur atyre u kërcënohet integriteti, por nisur edhe nga ndërhyrjet e deritanishme, qoftë edhe në Ballkan, ky organizëm ka mjaft procedura burokratike deri në realizimin e kësaj ndërhyrjeje, sidomos kur ajo çka duhet mbrojtur llogaritej me humbje të mëdha. Megjithatë, kjo është detyrë dhe e drejtë e drejtuesve të këtij institucioni për ta bërë këtë analizë. Ajo çka dua t’i qartësoj unë popullit tim është se NATO nuk mund të mbrojë kurrë nga shtypja dhe shfrytëzimi, varfëria, mjerimi, krimi i organizuar që të vjen nga qeveria jote. Nga veprime të tilla ne po vuajmë prej 18 vjetësh, por në mënyrë monstruoze këto katër vitet e fundit (2005-2009), që besoj se ky popull as mund t’i harrojë, as mund t’i falë më.
Pranimi në NATO është domosdoshmëri ku ndërthuren interesat e palëve duke mos përjashtuar interesat mjaft të rëndësishme që ka ky institucion në radhë të parë në rajonin e Ballkanit, aq më tepër për strategjinë e saj, për të afruar sa më shumë pranë strategjisë së vendeve të Europës Lindore, që tashmë përfaqësohet nga Rusia, pa lënë pas dore atë të vendeve të Lindjes së Mesme.
Kështu që trumbetimin e pushtetarëve “suksesin e madh anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”, populli nuk mund ta pranojë kur kjo bëhet për të mbuluar nepotizmin politik qeverisës, korrupsionin galopant që ka çuar në mjerim gjithë kombin, krimin e organizuar që godet në çdo fushë të jetës, shitjen e pronës së këtij populli të huajve në kundërshtim të plotë me ligjet kushtetuese. Të gjitha këto as falen e as tolerohen më.
Megjithëse NATO-ja, siç e analizon komandanti aktual i KFOR-it në Kosovë në një shkrim, është kthyer në sh.p.k., ajo mund të bëjë gjithçka, por unë me syrin e ish-gjeneralit të Forcave të Armatosura shqiptare, duke analizuar atë që ka ndodhur dhe po ndodh në vendet rreth nesh, mund t’i siguroj popullit tim se NATO-ja nuk mund të arrijë të shtypë një komb për të mbajtur në pushtet qeveritë kopiste, klanore dhe farefisnore, nepotike, tejet të korruptuara, që vjedhin jo vetëm pasuritë kombëtare, por edhe fondet që institucionet ndërkombëtare akordojnë për zhvillimin demokratik-ekonomik të Shqipërisë. Nëse do të ndodhte kjo, do të ishte diskreditim për shtetet demokratike themeluese dhe drejtuese të Aleancës së Atlantikut Veriperëndimor.
Tani besoj se edhe pse shqiptarët janë tërësisht të mashtruar nga demagogët injorantë të politikës shqiptare, ata janë po aq të ndërgjegjshëm se janë tradhtuar edhe nga ata që pretendojnë se mbrojnë interesat e shtetasve në nevojë si drejtuesit e sindikatave të punëtorëve, drejtuesit e OJF-ve, të shoqatave të ushtarakëve etj., të cilët qenien në krye të këtyre organizatave kanë shfrytëzuar maksimalisht për të mbajtur e plotësuar interesat e tyre të ngushta. Praktika ka treguar se sa herë që qeveria nuk u hap rrugë apo nuk u përgjigjet në përmbushjen e interesave të veta, ata bëjnë thirrje për demonstrime, rezultati i të cilave, megjithëse trumbetohet se është në interes të shtresave të varfra e në mjerim, përfundon me marrëveshje të fshehta, të heshtura, në interes të grupeve të ngushta që kanë kapur kokat e këtyre institucioneve. Kjo nuk do shumë mend për t’u kuptuar se në asnjë vend të botës qeveritë nuk deklarojnë financimin e OJF-ve për të monitoruar qeverinë, pra ky është një kompromis i hapur antidemokratik në interes të qeverisë dhe në kurriz të shtresave të varfra, që përbëjnë mbi 70 për qind të popullsisë.
Demagogjia e qeverisë arrin deri atje sa kryeministri i vendit deklaron rritje mirëqenieje, rritje ekonomike të Shqipërisë që po ndryshon. Kjo e fundit është e vërtetë që po ndodh, por nuk thuhet si dhe në ç’drejtim. Realitet është se rritjen ekonomike e llogarisin me të ardhurat personale të atyre që qeverisin me format më të korruptuar e mafioze, me nivelin e të ardhurave të tyre nga trafiqet e kontrabanda, duke mos treguar kështu asnjëherë nivelin e varfërisë të popullsisë dhe nivelin e lartë të analfabetizmit të shqiptarëve, në pamundësinë e popullit për të shëruar e shpëtuar jetën e fëmijëve të tyre. Pra vërtet Shqipëria po ndryshon, po shkon drejt greminës e një rruge pa krye. Kjo është merita e qeverisë dhe në veçanti e qeverisë kopiste, që u ktheu shpinën intelektualëve dhe demokratëve të vërtetë që luftuan për ta sjellë në pushtet.
Në kushte të tilla dalë nga dalë po kristalizohet ndërgjegjja e popullit, dalë nga dalë po krijohet fronti i rezistencës ndaj mashtruesve që me demagogjitë bajate po fitojnë vetëm urrejtje, ndaj atyre që në fushata bëhen dele dhe në karrige e poste shndërrohen në tigra që të shqyejnë apo të pinë gjakun, pra pasi marrin votën nuk duan t’ia dinë për hallet dhe jetën e atyre që i votuan. Por më të rrezikshmit janë sekserët e tyre dhe ata që bëjnë avokatin në ekrane e podiume, që me të drejtë populli i quan papagaj apo sahanlëpirësit e qeverisë së korruptuar. Popullit tim tani për tani i mbetet në dorë ta përdorë të vetmen armë demokratike që t’i shkatërrojë këta soj e sorollop, votën të cilën nuk duhet të lejojë as të vidhet dhe as të shitet, pasi nëse ndodh kjo, na kanë vjedhur e shitur gjënë më të shtrenjtë; jetën e fëmijëve tanë, të cilët bredhin rrugëve të Europës e botës për bukën e gojës, të pashpresë për jetën e tyre. Është detyra jonë të mos lejojmë më të na vrasin shpresat e fëmijëve tanë për të jetuar. Detyra jonë është që të gjitha këto t’ua bëjmë të ditur atyre, qofshin ndërkombëtarë, apo kujtdo tjetër, se Shqipëria nuk është ajo që paraqesin demagogët, nuk është ajo që u serviret kancelarive europiane. Realiteti është krejt ndryshe dhe nëse dëshirojnë ta dinë duhet të çajnë brezin e korrupsionit e të zbresin mes varfërisë dhe mjerimit të popullit, duhet ta bëjnë këtë nëse duan që Shqipëria të jetë me të vërtetë një vend demokratik. Vetëm kështu do ta kuptojnë se shteti i shqiptarëve është kapur nga disa pseudopolitikanë, të cilët pushtetin e përdorin si fortifikatë për të mbrojtur veten, klanin qeverisës, farefisin, duke krijuar e përjetësuar kështu sistemin primitiv fisnor të drejtimit dhe qeverisjes së vendit. Mendoj dhe besoj se ky popull është fryrë e mërzitur me tymnaja dhe tullumbacet e tyre politike dhe do t’ua heqë shansin e përjetësimit të qeverisjes klanore e fisnore atyre, pasi Shqipëria është e shqiptarëve, pasuria kombëtare është gjaku, mundi dhe djersa e këtij kombi dhe askush nuk ka të drejtë ta përvetësojë e ta përdorë si të dojë, në kundërshtim të hapur me ligjet dhe interesat kombëtare.
Prandaj kujdes populli im te kutia e votimit, mos luani me fatin e fëmijëve tuaj dhe të vendit ku kemi lindur!
* Gjeneral ne pension
14 Maj 2009