Alibitë e kutive dhe bashkive të Ramës
Kryetari socialist Edvin Rama dhe mbështetësit e tij po krijojnë lloj-lloj alibish për të justifikuar qëndrimet e tyre të papërgjegjëshme në raport me shoqërinë shqiptare, duke tensionuar në mënyrë të pajustifikueshme situatën në vend. Ditët e fundit kërkesat ultimative dhe protestat për hapjen e kutive të votimit u shtrinë edhe në çështjet që kanë të bëjnë me respektimin e autonomisë lokale të bashkive dhe komunave të drejtuara nga socialistët. Kjo ishte arsyeja që të shtunën, para dy ditësh, bashkiakë dhe halabakë të ndryshëm të kësaj force politike, disa prej të cilëve të ngarkuar me nga një thes mbeturinash të Sharrës në krah u mblodhën për të protestuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë. Protesta e vendorëve socialistë për gjoja kartën e autonomisë nuk dallonte aspak nga protesta e 20 nëntorit e besnikëve të partisë, për sa i përket absurditetit dhe mungesës së argumenteve. Në të dyja rastet është “politika në plan të parë” dhe kërkimi i pushtetit i pamerituar që i shtyjnë turmat, të cilat mbeturinat e ushqimeve të konsumura në protestën e “hapjes së kutive” t’i përdorin si ushqim politik dhe demoagogjik për protestën e autonomisë së bashkive. Nga ana tjetër, “thirrja nën armë” e vendorëve socialistë u bë në kushtet e diskreditimit kombëtar dhe ndërkombëtar të protestave dhe ultimatumeve drejtuar kryeministrit Berisha për hapjen e kutive të votimit, ndërkohë që mbylljen e tyre përfundimtare e ka bërë Kolegji Zgjedhor; pra gjykatat shqiptare.
E artikuluar në një formë të tillë, kërkesa e lidershipit të Partisë Socialiste dhe partizave të tjera që e mbështesin atë për hapjen e kutive të votimit nga qeveria, kur për këtë çështje ka një vendim gjykate nuk është më një alibi, por një çmënduri. Kryeministri i vendit, zoti Sali Berisha ka sqaruar disa herë publikisht se edhe ndërkombëtarët e kontaktuar dhe informuar prej tij kanë shqyer sytë kur janë njohur me këto kërkesa absurde. Të vetmit që i mbrojnë dhe justifikojnë këto çmenduri të patreguara të lidershipit socialist janë disa analistë e juristë të indoktrinuar si komunistë apo të blerë si revizionistë. Sidoqoftë, për të gjithë shpurrën e tyre, interesat e klanit janë më të rëndësishme se sa ato të vatanit. Ndaj anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe përgatitjen e afërt e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian ata i shohin si garanci të vazhdimësisë qeverisë dhe jo si progres të Shqipërisë, në dëm të rikthimit të tyre në pushtet. Shansin që patën në zgjedhjet e 28 qershorit për t’u rikthyer në pushtet e humbën, sepse, përveç të tjerash, nuk arritën t’u japin shqiptarëve një progam më të mirë qeverisës se sa kundërshtarët e tyre politik, madje e bënë fushatën elektorale me sllogane demagogjike dhe jo me platforma social-ekonomike. Në këtë mënyrë, ata mbesin pa asnjë kontribut konkret në procesin e integrimit euro-atlantik të Shqipërisë, duke shkuar duarboshë e kokëulur edhe në zgjedhjet e vitit 2013, vit në të cilën është parashikuar integrimi i vendit tonë në Bashkimin Europian. Kësisoj ata dalin në pension si opozitarë në profesion dhe sedra revolucionare i shtyn drejt veprimeve të dhunëshme, me qëllim që atë të cilën nuk e arritën me zgjedhje të lira ta arrijnë me ndyrësira të çfarëdollojta, deri tek nxjerrja e gurit të themelit demokracisë, duke i kërkuar ekzekutivit të zhbëjë vendimin e gjykatave për zgjedhjet e 28 qershorit. Krijim i kaosit dhe rikthimi i zgjidhjeve politike të tipit “qeveri e stabilitetit kombëtar” si në 1997-n është synimi final për t’u faktorizuar në këto kushte, kur kredibiliteti dhe kontributi i tyre përpara shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve ka rënë në mënyrë të ndjeshme.
Tani s’ka mbetur njeri, brenda dhe jashtë këtij vendi që nuk e ka kuptuar se qëllimi kryesor i protestave dhe ultimatumeve të tyre nuk është transparenca por turma. Partia Socialiste, ish trashgimtarja historike e Partisë së Punës, ka ndryshuar vetëm emrin, por vazhdon të respektojë të njëjtat zakone si paraardhësja e saj. Natyrisht ajo nuk mund të dalë hapur si dikur, por maskohet me parimet e lirisë dhe të drejtave të njeriut në demokraci, ndonëse e demaskon jo pak strategjia e rrebelimit komunist të turmave, siç po ndodh edhe me mitingjet e pavlerë të kohëve të fundit. Mënyra se si dalin dhe motivi pse dalin në sheshe e rrugë protestuesit socialistë të sjellë me autobuzë nga zonat më të thella të vendit është mjaft diskredituese për lidershipin e PS-së dhe partizave të tjera opozitare. Nuk është e vështirë të nxjerrësh njerëz në rrugë e sheshe, qofshin këta edhe të zgjedhur vendor, duke i joshur e mashtruar në mënyrë të paskrupullt; e vështirë është të bësh opozitë demokratike. “Opozita” e turmave që ngarkohen me plehra, që djegin, shkatërrojnë, kërcënojnë dhe pengojnë ecjen përpara të Shqipërisë është një filozofi e tejkaluar dhe një veprimtari politike e demoduar edhe në rastin specifik të vendit tonë, për shkak të socializmit specifik të vijës së masave që kemi përjetuar gjatë 50 viteve me radhë në kohën e monizmit. Shqipëria ka eksperiencë të keqe nga politika që bazohet në vijën e ashpër të masave apo pushtetin e turmave. Edvin Rama & co me paturpësinë më të madhe i quan “popull shqiptar” ata palo njerëz që e kanë të shkuar në ballë edvinizimin, të cilët kanë filluar të quajnë “tradhëtar” jo vetëm Berishën por edhe gjithë faktorin ndërkombëtar. Gjatë fjalimit që mbajti përballë turmës së ahengxhinjëve dhe qoftexhinjëve në ditën e dytë të protestës së 20 nëntorit, Rama iu përvesh ndërkombëtarëve duke thënë se, protestat drejtohen edhe kundër qëndrimeve, që ata kanë mbajtur deri tani për zgjedhjet. Dhe ashtu Enveri “ua plasi në fytyrë” e “çuditi gjithë një botë”, duke shkuar jo në Paris por në Athinë para selisë së OSBE-së atje.
Strategjia e tij për përdorimin politikë të turmës ka vijuar këto ditë me shndërrimin në lëndë turmash të të zgjedhurve lokalë dhe adiministratës së tyre, madje duke i ngarkuar ata me ndonjë thesë me mbeturina Sharre në krah për të protestuar. Në këtë kuadër ai u bëri thirrje t’i bashkohen kësaj proteste edhe të gjitha ata qytetarë që janë të pakënaqur nga qeveria “Berisha” apo kanë probleme të ndryshme sociale, por mori refuzimin e tyre. Kësisoj vendorët e irrituar dhe deputetët e pamandatuar socialistë përbënin elementët e vetëm të turmës më të fundit protestuese të Edvin Ramës. Çfarë kërkonin vendorët socialistë? Siç dihet, rreth tre javë më parë, grupi i kryetarëve socialistë të bashkive dhe komunave doli me gjashtë kërkesa ultimative, nga të cilat tre lidhen me sistemin e taksave dhe tarifave vendore; dy me diskriminimin politik të shpërndarjes së transfertave buxhetore dhe një me kompensimin financiar. Protestuesit vendor parajamëruan radikalizimin e qëndrimeve të tyre, në rast se nuk do të plotësohen këto kërkesa nga qeveria, pavarësisht se për asnjë prej tyre nuk kishin të drejtë. Ndërkohë Ministri i Financave, zoti Ridvan Bode dhe një prej përfëqësueve më të njohur të mazhorancës në fushën e ekonomisë, deputeti Edmond Spaho i konsideruan këto kërkesa thjeshtë alibi për keqpërdorimin politik të një pjese të qeverisjes vendore në përputhje me axhendën politike të Partisë Socialiste dhe të kryetarit të saj, duke sjellë shifra dhe fakte të shumtë në këtë drejtim. Ndryshe nga sa pretendojnë drejtuesit socialistë në pushtetin vendor se po ju pakësohen fondet nga pushteti qëndror dhe se ato po ndahen mbi baza politike, rezulton se, krahasuar me vitin 2005 ka ndodhur rritje, barazi dhe transparencë e plotë. Në se në vitin 2005 transferta e pakushtëzuar për pushtetin vendor ishte 7 miliardë lekë, në vitin 2009 u ndanë për këtë qëllim 14,5 miliardë lekë, ndërkohë që në formën e granteve konkurruese nga 0,5 miliardë lekë kjo shifër shkoi 6 miliardë lekë. Vitin e ardhshëm, për këtë qëllim do të shëprndahen 7,4 miliardë lekë e kështu me radhë. Tani le t’ju referohemi 5 bashkive më të mëdha, që në pjesën më të madhe të kohës në vitet e fundit janë qeverisur nga socialistët. Bashkitë e Durrësit, Elbasanit, Korçës, Tiranës, Vlorës dhe Fierit në vitin 2005 kanë marrë investime nga buxheti i shtetit, kur në qeverisjen qendrore ishte Partia Socialiste, 368 milionë lekë gjithsej. Këto bashki në vitin 2006 kanë marrë investime nga pushteti qendror i Partisë Demokratike 1184 milionë lekë, në vitin 2007 kanë marrë 1396 milionë lekë, në vitin 2008 kanë marrë 980 milionë lekë dhe në vitin 2009 kanë marrë 1104 milionë lekë. Mesatarisht kanë marrë çdo vit të gjitha së bashku 1166 milionë lekë ose 3,2 here më shumë fonde se sa në kohën kur pushteti qendror drejtohej nga socialistët. Shifra të tilla janë pafund. Në këtë kuptim, dalja në shesh, leximi ultimativ i kërkesave dhe paralajmërimi i përqasjes radikale në rast mosplotësimi të tyre, tregon se decentralizimi si reformë dhe autonomia vendore si status po kërcënohet për t’u dëmtuar rëndë nga Partia Socialiste e Edvin Ramës. Ndaj drejtuesit vendor duhet t’i lënë sentimentet partiake dhe të bëhen të drejtë e kurajozë për të pranuar të vërtetën siç është, pasi janë zgjedhur për t’’u shërbyer qytertarëve dhe jo interesave të mbrapshta të Edvin Ramës për pushtet të pamerituar. Kauza e tyre në drejtimin e bashkive nuk duhet lënë të degjenerojë si çështja e hapjes së kutive.