Lidhja mes zhdukjes së Ben Blushit dhe mercenarizmit, si përzgjedhja tjetër e dështimit
Letra/“I dashur Lavdrim, dje unë dhe biri im po shikonim yjet. Po shikonim konstelacionin e Kasiopesë, kur një buf nisi të ulërinte. Një yll i shndritshëm që po shuhej kryqëzoi qiellin dhe një lakuriq i gjatë nate kaloi sipër kokave tona. Mendon se është një shenjë e keqe? Lakuriqët të ngjethin mishin dhe shpesh janë të afruar në figuracione e gojëdhëna me vampirët. Në mitologjinë greke, Kasiopesa u dënua sepse shiti mend se vajzat e saj ishin më të bukura se ato të perëndisë së detit. Por kjo seri ngjarjesh të çuditshme mund të jetë dhe një fat i mbarë. Me sa di bufi simbolizon urtësinë dhe yjet që shuhen thuhet se bien fat, apo jo? T’i çfarë mendon? Është një bekim apo mallkim?”
Përgjigje e detyruar. I dashur lexues, keni ngatërruar adresë të postës elektronike, nuk jam astrolog, as psikolog që mund të bëj interpretime. Meqë po ma kërkoni me politesë, për korrektësi më duhet t’u them se çështja është e parëndësishme. Ajo që ka rëndësi është se në këtë fazë që po jetojmë, të gjithë lexuesit mund të zbulojnë funksionin e gjërave të fshehta, magjitë e të padukshmes që del në sipërfaqet mediatike. Për t’u sqaruar më shumë, ndoshta do të vlejë një shkrim tjetër, që mund të titullohet: “Ai edhe nëse garon i vetëm del i dyti”.
Ndërkaq, duhet të kemi parasysh e të reflektojmë thellë mbi disa gjëra, si për shembull, viti 2009 solli përkujtimin - sidomos në Amerikë - të 40-vjetorit të shkeljes së njeriut të parë në Hënë, njëra nga ngjarjet që shkaktoi emocione të jashtëzakonshme për të gjithë ata që e përjetuan minutë pas minute - përveç shqiptarëve nën regjimin enverist, kuptohet. Por prapëseprapë, edhe sot, të gjithë njerëzit në kujtesën e tyre kanë emrin e Neil Amstrongut, njeriut të parë që shkeli në Hënë.
Është plotësisht e vërtetë se ai qe i pari e nuk pati pasur të tjerë përpara tij (me sa dimë), por vetëm 14 minuta mbas tij, në Hënë shkeli edhe Buz Aldrin, i dyti njeri prej planetit Tokë. Por në memorien tonë, hapi i dytë, ai i vogli i Aldrinit, nuk kujtohet pothuajse prej askujt. Në këtë rast nuk mund të pyesim, se pse historia tregohet kaq cinike. Në filozofinë e kësaj shkence, përmenden vetëm njëshat, të parët, fituesit. Dyshat harrohen nëpër sirtarë. Nga ana morale mund të ketë shumë për të thënë, por morali mbetet moral dhe historia është histori.
Mirëpo ka raste në botë kur i dyti kërkon të jetë i përjetshëm. Ky është rasti i një politikani të opozitës shqiptare, rasti i Ben Blushit. Ky është fati i njeriut që shfaqet me talent të lindur për shumë gjëra, por që i mbyt vazhdimisht me duart e veta, krejt si Saturni krijesat e tij. Politikani Blushi po i ngjan publikut si një i dehur prej intelektit të falur nga perëndia, por shpërdorimi tej-mase i kësaj dhuntie është gjithashtu blasfemia e gatshme, që do ta kishte zili çdo fondamentalist.
Dikur në një libër, filozofi gjerman Kant shkruan se “nga një dru i shtrembër nuk mund të dalë asgjë e drejtë”. Me erdhi ndërmend fraza e filozofit, bash për faktin se mendoj se në rastin e Blushit ajo nuk qendron. Jermi Ben Blushi, edhe pse shfaqet paksa i shtrembëruar në krijimtarinë letrare apo habitatin e vet intelektual, të mbizotëruar nga pater gjeneza e familjes, edhe pse po gjallon në një vend ku politika përthith veç një fjalor prej dyqind fjalësh, njëqind prej të cilave janë për të sharë dhe pjesa e tjetër fjalë të huaja që zëvendësojnë eufemizmat apo fshehin, ai ka diçka që ndryshon nga të tjerët në PS.
Por heshtja e furishme e Ben Blushit po flet më shumë se gjithçka tjetër, veç jo për mirë. Heshtja mund të blihet edhe me napolona floriri, por nuk është flori sade. Përkundrazi, ajo konfirmon edhe njëherë tjetër dobësinë karakteriale që ka shfaqur ky
politikan sa herë ka pasur pozicione drejtuese, sa herë është dhënë pas disa parimeve që i janë dukur thekshëm demokratike. Kuptohet vetiu se politikani i opozitës, Ben Blushi - dhe të tjerë mbas tij - tashmë i kanë fiksuar akrepat e orës me atë të sahatit të bashkisë së Edvinit, në këmbim të heshtjes, që nuk është flori, por tirani. Por ky është kompromisi më i ulët e më i qarti i idealeve me ato materialet - midis shpirtit dhe trupit - pothuajse një përzierje monstruoze ekumenike. Herezia ndaj arsyes së shëndoshë, për të heshtur si buf në një natë të errët për politikën shqiptare, i ngjan atij yllit të shndritshëm që mbulohet me ngut nga një lakuriq nate. Politikanët shqiptarë në përgjithësi kanë një etikë krejt të tyren: personale dhe të personalizuar. Dhe që është për fat, konstatim i një shkallë më lartë se etika e përdhunuesit maniakal. Ben Blushi, duke qendruar në kullën e
fildishtë, ka epërsinë e njeriut të helmuar nga inteligjenca e tepërt, i cili e ka rregullisht të thjeshtë të bëjë budallanë, të heshturin, të pleksurin... Për një politikan miop të kësaj kategorie, e kundërta fort thjeshtë klasifikohet si e pamundur. Rënia vjen prej trashëgimisë se reagimi është një totem që nuk duhet zgjuar.
Është logjika perverse që kaplon njeriun kur e refuzon ëndrrën dhe masturbohet me realitetin sepse ashtu i ka hije.