E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alicia në botën e muzikës

është një nga këngëtaret më të suksesshme, me 12 çmime “Grammy” dhe me një zemër të ndjeshme. Aktualisht është shtatzënë me fëmijën e parë dhe po përjeton momentet më të lumtura të jetës

Alicia, si shumë këngëtare apo aktore të famshme, nuk mund ta konsiderojë veten më “të lirë”. Ato, ndërsa bëjnë art, janë shndërruar edhe në një burim të madh fitimi, jo vetëm për veten, por për të gjithë industrinë në të cilën operojnë dhe kanë rreth vetes një ushtri të madhe me menaxherë, specialistë të marrëdhënieve me publikun e të tjerë persona që kujdesen deri në hollësi për imazhin e yllit. Po si vallë ndihet një njeri “i lirë” si Alicia, brenda kësaj makine që shpesh është e pamëshirshme dhe e detyron që të veprojë sipas ritmeve të saj? “Unë thjesht nuk mendoj se në rastin tim jam e rrethuar nga një ushtri e tillë që më merr frymën. Sigurisht që jam e ndërgjegjshme që, përveçse pjesë e artit, jam edhe pjesë e një industrie, që e konsideroj artin një mjet fitimi dhe biznesi, por gjithsesi përpiqem që të jem e lirë brenda mundësive reale”.

Në pamje të jashtme, Alicia të jep përshtypjen e një vajze të zakonshme, madje paksa çamarroke dhe ky është imazhi që ajo i krijoi vetes në fillimet e karrierës, kur vishej vetëm me pantallona. Mendoja se dukesha më mirë me pantallona dhe isha më e sigurt në veprimet dhe lëvizjet që bëja”. Por me kalimin e kohës fitoi më shumë siguri dhe tani shfaqet shpesh edhe në eventet e mëdha me fustane. “Nuk kam dashur kurrë që në një skenë, apo në një koncert të tërhiqja vëmendjen e njerëzve për anët e mia fizike. Doja që ata të përqendroheshin te vokali im, tek emocioni që përcillja dhe kjo më bëri që në veshje të isha shumë e përkorë”. Edhe flokët i mbante gjithmonë të lidhura në gërsheta të vegjël, shumë të disiplinuar. Por ky është një imazh që i përket kohëve më parë. Në ato kohë ajo e mbronte veten dhe imazhin e saj në një botë që shpesh kërkon të shesë gjithçka për të arritur suksesin. Dhe ndrojtja e saj në ato kohë ishte më e madhe se një veshje e përkorë. Ajo nuk e kishte zakon kurrë që të jepte intervista dhe as informacione në lidhje me miqtë, apo të dashurit e saj, pra asgjë në lidhje me jetën private. Për shumë kohë, askush nuk e dinte nëse ajo pëlqente meshkujt, apo femrat. Ajo gjithmonë këmbëngulte që gjërat që i përkisnin asaj nuk do të bëheshin kurrë pronë e publikut. Por gradualisht kjo ndryshoi dhe ajo nisi që ta lejonte veten që ta fotografonin dhe madje edhe me të fejuarin, një muzikant dhe producent. Ndoshta ishte dashuria që e bëri të hapej dhe të ndryshonte edhe sjelljen ndaj njerëzve. Dhe në këto momente kompozoi edhe albumin “Elementi i lirisë”. Për këtë album iu deshëm vetëm tre muaj punë, ndërkohë që për të tjerët harxhoi më shumë kohë. “Unë nuk e di se çfarë më ndodhi. Tani jam më e hapur dhe më lozonjare. Sigurisht që vazhdoj të jem profesioniste, por nuk jam aq serioze sa dikur. Dikur nuk bëja kurrë pushim, as në fundjavë dhe nuk dilja kurrë as për jetë nate, apo me shoqërinë, të paktën nuk bëja gjëra që këtu i bëjnë zakonisht njerëzit”. Alicia, veç këngës, ka edhe një pasion të madh, bamirësinë dhe veçanërisht kur bëhet fjala për fëmijët e sëmurë me Sida. Ajo ka dhënë shumë koncerte në ndihmë të këtyre fëmijëve dhe fakti që është edhe pesëmuajshe me barrë, e ka bërë edhe më të ndjeshme ndaj një kauze të tillë. “Unë i dua fëmijët, e dua familjen time, dua ndërveprimin me ta. Kam pasur një marrëdhënie të ngushtë me mamanë time dhe jam rritur e ushqyer me dashuri dhe kjo është shumë e bukur. Të jesh një nënë është dhurata më e madhe që mund të ketë një grua”.
Alicia e shkroi këngën e parë në moshën 13-vjeçare kur iu desh që të përballej dhe të përballonte vdekjen e gjyshit të saj. Albumi i saj debutues, “Këngë në la minor”, që u publikua kur ajo ishte 20 vjeçe, ka qenë një nga albumet më të mirë të të gjitha kohërave, duke regjistruar shitje rekord. Në të gjithë botën u shitën 12 milionë kopje. Ajo vazhdoi që të punojë megjithatë pa u lodhur edhe me albume të tjerë, duke korrur vazhdimisht suksese dhe duke fituar deri më tani 12 çmime “Grammy” për katër albumet e saj. Ndërsa kënga e kënduar me Jay-Z, “Empire State of Mind”, është më e kënduara dhe më e shitura e vitit të kaluar. Por ndërkohë ajo thotë se nuk mendon kurrë se ka arritur majat e profesionit të saj, por ndihet e kënaqur me atë që ka arritur dhe, mbi të gjitha, nuk ka brenda vetes atë ndjenjën e të qenit gjithmonë e para dhe në krye të klasifikimit. “Ambicia ime është që të kem paqe dhe të jem e lumtur, sa për të tjerat nuk më shqetëson klasifikimi apo sasia e parave”. Po çfarë e bën të lumtur Alicia-n? “Unë nuk kam shumë shokë, por ata që kam, i kam shokë për kokë. Unë nuk kam një familje të madhe, por kam një familje të mrekullueshme. Jam e rrethuar me njerëz shumë të mirë dhe të denjë dhe besoj se ky quhet fat dhe mendoj edhe se do të ishte shkatërruese për këdo, nëse përreth do të kishte njerëz të këqij, ziliqarë dhe hakmarrës”. Së fundi ajo luajti në një koncert në Londër, para 20 mijë spektatorëve dhe paratë e fituara i dha për bamirësi. “Ndonjëherë e ngatërrojmë suksesin me lumturinë. Suksesi të bën të ndihesh e vlerësuar, por lumturia është ajo që të bën të ndihesh e plotë”. Alicia, edhe pse e ndrojtur dhe e rezervuar, ka qenë një adoleshente që i dilte për zot vetes. Shpesh mbante thikë me vete për t’u mbrojtur nga ndonjë e papritur dhe thoshte se nuk ia kishte nevojën njeriut. Ajo u rrit me të ëmën, një aktore pjesërisht italiane dhe pjesërisht skoceze, e cila e kalonte pjesën më të madhe të kohës në punë, shpesh deri në mesnatë. Vetmia e bëri Alician që të mësohej me veten dhe të bënte gjërat që donte. I ati i saj ishte pilot, por prindërit e saj nuk u martuan kurrë dhe nuk jetuan kurrë bashkë. Megjithatë, marrëdhënia mes tyre ishte shumë e mirë dhe miqësore. Prindërit e të atit e donin shumë nënën e Alicias, por deri së fundi, kontaktet e saj me babain kanë qenë të pakta. “Për shumë kohë kam qenë e inatosur me babain, për faktin që na la vetëm. Kisha plotësisht të drejtë të ndihesha e inatosur, por nëse kjo vazhdon për një kohë të gjatë, njeriu i vetëm që e pëson je ti dhe vetëm ti”. Po si hoqi dorë nga kjo ndjenjë? “Gjithçka ndodhi kur gjyshja ime u sëmur. Ishte mamaja e babait dhe sëmundja e saj që shkaktoi një ndryshim në dinamikën e familjes në vitin 2006. Në këto momente e kupton se sa e rëndësishme është që të kesh pranë njerëz që do dhe t’ua thuash një gjë të tillë, sepse askush nuk është i përjetshëm dhe vjen një ditë që gjërat ndryshojnë. Në këto rrethana vendosa ta takoj babain dhe vendosëm që të kishim një marrëdhënie kordiale me njëri-tjetrin për të parë më pas se si do të shndërrohej ajo. I thashë se mund të fillonim të ishim shokë, që përpiqen ta kuptojnë njëri-tjetrin. është e vështirë që të jesh i ndershëm dhe i sinqertë me veten, sepse unë isha, unë jam çelik, asgjë nuk më lëndon, jam e padepërtueshme dhe e paprekshme, por me kalimin e kohës jam zbutur”. Më pas, ajo rrëfen se ka dashur të dijë gjithmonë se çfarë po ndodh në Afrikë dhe kështu, vite më parë, vendosi që të jepte një koncert në këtë vend dhe u habit kur e pa se sa mirë e njihnin atë dhe muzikën e saj. “Aty takova njerëz që përballeshin çdo ditë me një jetë që i ngjante më shumë ferrit dhe vendosa që të ndihmoja me sa të mundesha. Doja që të bëja diçka të veçantë”, thotë ajo. Alicia interpretoi edhe në ceremoninë e çeljes së Kupës së Botës dhe mendon se i gjithë shkëlqimi që rrethon yjet afrikanë të futbollit është në kontrast të thellë me jetën e njerëzve në Afrikë dhe se, sipas saj, ende nuk po bëhet për këtë kontinent ajo që duhet bërë. Ndërkohë ajo vazhdon që të përmirësojë veten, anën shpirtërore të saj. “Jo rrallë ato që konsiderohen si bekime janë gjithashtu edhe mallkimet tona. Unë kam një lehtësi të jashtëzakonshme që të shpreh mendimet dhe ndjenjat me letër, por kur vjen fjala te fjalët, më duket se një mur i madh më del përpara dhe më pengon”. Ajo rrëfen se i rrëfehet çdo ditë ditarit të saj. “është një vend para të cilit ti je tërësisht lakuriqe dhe e ndershme më të mirat dhe të këqijat që ke dhe është një vend ku kam mundësi që të meditoj dhe të flas. Me të jam e drejtpërdrejtë në lidhje me ndjenjat e mia, futem në një botë që më bën më të mirë dhe më jep paqe”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›