Stop lokaleve të zhurmshme, tani banorët do të flenë të qetë
Banorët që jetojnë aktualisht në qendrat e zhurmshme të kryeqytetit, apo në zonat turistike, duhet të gëzohen, pasi së shpejti do të mund ta bëjnë gjumin të qetë. Muzika e zhurmshme e lokaleve nuk do të jetë më një shqetësim për qytetarët që jetojnë në këto qendra banimi. Ministria e Mjedisit në kuadër të vendimit “Për monitorimin dhe kontrollin e nivelit të zhurmave në qendrat urbane dhe turistike”, do t’i thotë stop çdo aktiviteti që gjeneron zhurma mbi nivelin e lejuar nga OBSH. Nëse më parë lokalet e kryeqytetit apo të zonave turistike e ushtronin aktivitetin e tyre me orë të tejzgjatura dhe me muzikë të lartë, së shpejti kjo nuk do të jetë më e mundur. Orari i përcaktuar për lokalet do të jetë vetëm 4 orë në ditë, nga ora 19- 23:00.
Kjo iniciativë do të vlejë vetëm për lokalet e hapura, ndërsa për të mbyllurat do të verifikohet nëse zhurmat e kalojnë apo jo nivelin e lejuar. Burime nga Ministria e Mjedisit theksojnë se ata që nuk do ta zbatojnë këtë rregull, do të gjobiten deri në pezullim të aktivitetit.
#