E Diel, 1 Nëntor 2026

Alienët nga Nju Jorku, në kinemanë shqiptare

>Një masiv meteori nga hapësira bie në Central Park të Nju Jorkut dhe një njeri i zakonshëm shfaqet.  Por Dave nuk është aspak një njeri normal brenda tij qëndron një ekuipazh i tërë njerëzisht të vegjël, që kryejnë veprimet e zakonshme të një njeriu tokësor. Alienët kanë zbarkuar në tokë për të gjetur një mënyrë për të shpëtuar planetin e tyre, por misioni do të ndërlikohet kur kapiteni i anijes kozmike do të dashurohet me një grua tokësore, e cila më parë kishte pësuar vetëm zhgënjime nga historitë e saj të dashurisë. Kjo është ngjarja që vjen me filmin Meet Dave, i cili e risjell aktorin Edi Mërfi në një formë që nuk ishte parë prej vitesh, duke kaluar edhe interpretimin e tij të shumëfishtë në komedinë Norbit të shfaqur një vit më parë në kinema Millennium. Efekti qeshje që aktori shkakton tek publiku mbetet i njëjtë.  Çdo herë që del në ekran ose në skenë, qoftë me zë, apo me fytyrën e tij, spektatorët nuk mund të rrinë pa shpërthyer në të qeshura. Polic në Beverli Hills, vampir në Bruklin apo alien në Nju Jork, ylli i zi i Hollivudit ka lënë shenjën e ilaritetit me dinjitet në çdo rol që ka interpretuar. Edi Mërfi është një komik i pashtershëm, që vë gjithnjë në pah një forcë të re në lojën e tij aktoriale. Madje kritika e vlerëson për karrierën e tij gjatë, por më shumë e vlerëson se arriti të kalonte baticat dhe zbaticat e suksesit të tij, duke çuar pjekurinë artistike në nivele të larta dhe të qëndrueshme. Meet Dave është një komedi fantastiko-shkencore që ngrihet mbi dhuntitë e protagonistit për të luajtur më shumë se një rol. Dejvi i madh dhe Dejvi i vogël, përplasen me realitetin tokësor, duke zbuluar se nuk është edhe aq i keq, dhe duke i dhënë jetë, situatave më të mirë groteske nga tradita Mërfiane.  Edi Mërfi është shndërruar në një anije gjigande kozmike në komedinë Meet Dave, por në fakt njujorkezët kanë pasur mundësi që ta shikojnë dhe të zbaviten me këtë anije edhe përtej ekranit të madh të kinemasë. Fushata promocionale e filmit, solli një befasi të këndshme në Time Square, duke vënë në qendër të sheshit fytyrën e madhe e të qeshur të aktorit.  Mega  Edi ishte i lartë 5 metra dhe peshonte 3 ton. Qytetarët e Nju Jorkut që kalonin në Time Square jo vetëm që mund ta admironin, por edhe mund të hynin brenda njësoj siç bëjnë alienët liliputë në film. Disa prej tyre mund edhe të dilnin nga veshët gjigandë të Edi Mërfit dhe të shkrepnin fotografi si kujtim. Me komedinë Meet Dave Edi Mërfi pushtoi mediat jo vetëm për rolet e tij në film, por edhe sepse ne revistën Extra u botua një lajm jo fort i mirë për fansat e tij. Pasi ishte mësuar refuzimi që aktori I kishte bërë filmit Beverly Hills Cop revista citonte Edi Mërfit i kishte ikur dëshira për tu marrë me filma dhe se pikërisht Meet Dave ishte filmi I fundit I tij.  Kam bërë të paktën 50 filma dhe tani pyes veten:Çfarë bëj akoma në kinema? Do të kthehem në skenë dhe në kabare citohet të ketë thënë aktori. Por kurrë mos thuaj kurrë. Për fat të mirë ky premtim u shkel. Pas një periudhe shumë të shkurtër Edi Mërfi rikonfirmoi pjesëmarrjen në kinema të paktën deri në vitin 2010. Gjatë këtij viti ai do të jetë në dy filma të tjerë The incredible Shrinking Man  e në projektin ende pa titull Romeo and Juliet. Më herët publiku do ta shohë gjatë këtyre muajve edhe me filmat Imagine That e A Thousand Word. E derisa këta filma të ketë premierat e tyre botërore, publiku shqiptar do të ketë mundësinë të kënaqet me komedinë Meet Dave, që shfaqet këtë javë në Millennium. Filmi vjen me regji nga Brian Robbbins, skenar nga Rob Greenberg dhe Bill Corbett.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›