E Diel, 1 Nëntor 2026

Alikaj: Unë, e vetme mes klaneve në Teatër, nuk tërhiqem

 alma mileDashuria e largoi dhe e ktheu sërish në Shqipëri. U “arratis” nga një histori dashurie dhe u kthye për një tjetër dashuri, për teatrin. Prej 4 muajsh, Eva Alikaj është kthyer përfundimisht në Tiranë. Pas gati 20 vitesh largimi, njerëzit e thjeshtë, e pritën me mall Evën. E ndalojnë në rrugë, e përshëndesin. Nuk ia kanë harruar buzëqeshjen rrezëllitëse e sjelljen prej çapkëneje, edhe pse nuk është më një çupëlinë që luante Elsën. Por këtë atmosferë nuk e gjeti në Teatrin Kombëtar, ku me shumë vështirësi mundi të realizojë rolin e Martës në dramën “Kush ka frikë nga Virginia Wolf”. Në një intervistë, aktorja tregon për arsyet e kthimit, rolin e vështirë të Martës, xhelozitë në oborrin e Teatrit Kombëtar. Por rrëfen edhe për martesën që mbaroi shumë shpejt në Austri dhe për lidhjen me të birin. Eva, pas kaq vitesh largimi nga Shqipëria, si vendosët të ktheheshit përfundimisht?Impulsin e parë ma dha drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, i cili më ofroi rolin e Martës te “Kush ka frikë Virginia Wolf”. Isha e përgatitur më parë që të vija, pasi kisha një projekt së bashku me Gëzim Kamen dhe Viktor Zhustin në Teatrin e Metropolit. Do vihej pjesa “Skena familjare” e Bergmanit. Propozimi mu bë nga Zhusti, kur erdha të prezantoj çmimet “Kult” dhe pranova me kënaqësi të madhe të punoja me të. E kisha prerë biletën në 5 shtator dhe kur më telefonon Skrami i them se do të doja të kthehesha, por tashmë i kisha dhënë fjalë Kames për këtë shfaqje, si dhe për një rol në komedinë “Të gjithë me huqe”. Ai u çudit që unë refuzova një kryerol, por fjala për mua është shumë e rëndësishme. Gjithsesi këtë propozim e diskutova me Kamen, i cili më shtyu që ta pranoj, gjë që më pëlqeu. Kështu që erdha. Mjaftoi një shfaqje, që t’ju mbushte mendjen?Vendimi erdhi edhe nga rrethana familjare. Im bir kishte nevojë për më shumë hapësirë. Prania ime nuk po sillte produktivitet. Nëse do të mund t’i shërbeja do të vazhdoja të rrija atje. Por në këto kushte nuk kisha përse të vazhdoja të ndrydhja dëshirat e mia. Tendencat kanë qenë. Unë kam ardhur edhe më parë, më rrallë, por gjithsesi kam qenë e pranishme. Rreth 4 vjet më parë, erdhët në Tiranë për “Xhaxha Vanjën”, por nuk arritët të ngjiteshin në skenë, ç’ngjau?Erdha për një kontratë 1-vjeçare në TK për të luajtur te “Xhaxha Vanja” e çehovit, por ndodhi që mua më përzunë. Ma prenë kontratën pas dy muajsh. Punët nuk shkonin mirë, ne filluam të grindeshim. Në punë unë jam si burrë. Ndoshta jam pak e vështirë në komunikim, por duhet bashkëpunuar për hir të së tërës. Kundërpërgjigja e drejtpërdrejtë nuk i pëlqen njerëzve. Mua nuk mund të më imponohet kush, për gjëra tej orarit të punës. Kishte nga ata që thoshin që Eva është bërë më austriake se austriaket... Ndoshta jam bërë më e tërhequr, por unë të përgjigjem në sy, ashtu si kërkoj edhe falje, nëse e kam gabim. Nuk jam penduar për këtë dhe do të veproja ashtu, edhe sikur të më kushtonte sërish pushimin nga puna. Dhe pas dy vjetësh, “Lola Blau” ishte përgjigje e asaj ngjarjeje, për të treguar që unë mund të kthehem sërish në TK, sepse jam një nga aktoret që e meritoj një gjë të tillë. Për këtë jam e bindur. Po këtë herë si të pritën në teatër?Fatkeqësisht një situatë e tillë, e pakëndshme u krijua edhe këtë herë. Kur për role të vështira, si ai i Martës, duhet punuar dorë për dorë, përballesh me mungesën e dëshirës për të bashkëpunuar. Gjendesh e vetme përpara klanesh, ndërsa ke edhe një mal me probleme të tuat, të cilat nuk i duhen kujt. Dhe në rolin e Martës, unë e kuptova që kishte momente që nuk ishin edhe aq mirë, pasi atmosfera nuk ta jepte këtë mundësi. Madje regjisori më ka kërkuar ndjesë që nuk mundi të krijonte këtë atmosferë. Ai ishte një regjisor i talentuar, por nuk mundi t’i lidhte të gjitha fijet, të bënte bashkë ca aktorë, njëri më i vështirë se tjetri. I gjithë procesi nuk ishte i thjeshtë, pasi vepra ishte e vështirë, por edhe pritja e publikut ishte e madhe. Shfaqja u zgjat për arsye të ndryshme, u zvarrit dhe gjithë këtë presion të krijuar ne ia nxorëm njëri-tjetrit. Kishit kaluar një eksperiencë jo fort të këndshme më parë, nuk patët frikë se mund të përsëritej?Nuk mendova se do më ndodhte. Mund të merrja përsipër gjithçka, por kjo që më ndodhi këtu ishte e trishtueshme. Megjithatë unë e quaj një betejë të fituar. Në një betejë nuk pyet kush, sa ushtar u vranë. Ajo është fituar dhe unë e quaj të tillë, pasi ai ishte një rol tepër i mirë. Mund të ketë pasur edhe mangësi, e di, por me këtë luftë që kisha unë, një tjetër do kishte kapitulluar. Por unë nuk tërhiqem. Kam ardhur të punoj si aktore në TK. Kjo ka qenë ëndrra ime, pasioni im. Zoti ma dha sërish këtë shans.Ka xhelozi aktorësh ndaj jush?Thonë që ka shumë. Nuk dalin hapur. Shumë nuk më kanë uruar për shfaqjen. Madje edhe atëherë kur më dhanë çmimin “Kult”, pati nga ata që dolën kundër. Por do të ketë edhe xhelozi, është normale, por jo deri në atë masë, sa t’i bësh keq tjetrit. Kur isha andej edhe unë ndoshta i kisha zili aktorët që punonin këtu. Përse kanë frikë nga Eva Alikaj?Mendoj se jam e talentuar dhe këtë e shoh nga reagimet e njerëzve. Njerëzit janë të çmendur pas meje dhe kjo më jep aq forcë, saqë edhe në ato momente kur pyes veten se çfarë kam bërë, gjej ngushëllim. Unë kam bërë andej një jetë normale, por krahasuar me këtu, është si nata me ditën. Shpesh e pyes veten nëse kjo është ajo që duhet të bëja, por kur shoh reagimet e njerëzve edhe pas kaq shumë vitesh, jam e kënaqur. Në çdo 20 metra ka një reagim. Dikush thotë diçka, një tjetër më përshëndet. Ajo që më kthehet prej tyre është 100-fish. Kjo do të thotë që unë përcjell diçka tek këta njerëz. çfarëdo që të më ndodhë, unë nuk iki më. Ju thërrasin sërish Elsa?Jo, jo, tanimë më thonë Eva. Tashmë u “mërzitën” me “Pallatin” dhe kanë nisur të shohin filmat dhe i pëlqejnë rolet e mia. Për ju cili është roli më i dashur?Mua personalisht më pëlqen roli im i parë, pasi të tjerët kanë qenë skematikë. Bëhet fjalë për rolin e Verës tek “Njeriu i mirë”. Ai është një rol i plotë dhe unë kam bërë sa kam mundur aty. Me Vangjush Furxhiun jam ndier shumë mirë. Ai ishte një artist i vërtetë dhe shumë i talentuar. Atëherë isha studente dhe ai më thoshte Eva ti je më mirë se mua. Dhe për një aktore të re, është diçka shumë e madhe, kur ta thotë këtë një aktor aq i madh sa ç’ishte Vangjushi. Të kthehemi sërish tek Marta, keni pika lidhjeje ju me të?Nuk më përshtatej shumë roli i Martës. Mu desh të filloja cigaren, që të paktën diçka të më vinte natyrshëm. Me pijen nuk jam mësuar. Por kam edhe probleme në marrëdhëniet me partnerin. Kam qenë e martuar në Austri, lidhje që zgjati një periudhë të shkurtër. U bë kohë që nuk bashkëjetoj me njeri, jam mësuar të jetoj vetëm dhe nuk e di se si është kjo marrëdhënie. Nuk di se si janë interesat mes bashkëshortësh, nuk di se ç’do të thotë kur burri yt është një dështak... Por ma merr mendja që është një fenomen që haset tek shumë njerëz. Bashkëshortët, ngaqë hasin shumë vështirësi në jetë, duan të gjejnë një fajtor. Këtë bën Marta. Unë nuk mendoj se jam dominuese, mendoj se jam e barabartë në skenë. Dikush tha që kam një personalitet mashkullor. Kjo më pëlqeu, sepse punoj me pasion, me disiplinë dhe dua të respektohem si e barabartë. Në punë nuk ka burrë, grua.. Por si karakter nuk mendoj se jam Marta, pasi nuk e kam zakon që të ngacmoj njerëzit siç bënte ajo e nxitur edhe nga alkooli. Nuk më ngjan ky rol. Përse mbaroi martesa juaj?Kjo është një histori e largët për mua. Kur ika nga Shqipëria pata një dramë dashurie, e cila nuk shkoi ashtu si doja unë. Ajo ishte arsyeja e vetme që ika, por jo për gjithnjë. Në Austri takon një njeri që të pëlqen, që bie në dashuri, krejt ndryshe nga ajo që ke lënë në Shqipëri. Ndoshta ishte shumë e shpejtë, pasi ne vinim nga kultura krejt të ndryshme. U lidhëm shumë shpejt, pastaj erdhi në jetë edhe një fëmijë. Po të mos kishte qenë ky fëmijë, ndoshta nuk do të ishim martuar, do të kishte qenë thjesht një lidhje. Por di të të them që kam qenë shumë e dashuruar dhe ndarja nuk erdhi prej meje. Për mua ishte shumë shokuese që po më ndodhte sërish kjo gjë. Sepse janë dy vende, dy kultura të ndryshme dhe ishin dy njerëz shumë të dashur për mua. Atëherë pyesja veten mos faji ishte tek unë. Mu desh një periudhë e gjatë që të përballesha me veten. Nuk mendoj se ishte faji im. Sigurisht në një marrëdhënie sekush ka pjesën e vet, por mendoj se më së shumti ishte një lidhje e shpejtuar në atë rast, po të kishte pasur më shumë kohë, ndoshta do të kishte qenë ndryshe. Unë jam njeri si gjithë të tjerët, por jeta e tregoi se gjëra të tilla ndodhin. Unë e kam vrarë shumë mendjen. Sigurisht duhet të mendosh për të, duhet të ballafaqohesh me të vërtetën, por jo të shqyesh veten. Nuk ishte një tragjedi. Askush nuk të jep garanci se gjërat do të zgjasin përgjithmonë. Sepse dy njerëz mund të lidhen, por zhvillohen ndryshe. Njerëzit duhet të jenë falënderues, për aq sa kanë qenë të lumtur. Dhe unë i jam falënderues kësaj lidhjeje për tim bir. Tashmë nuk ndiej më asgjë për të, por e kam vuajtur shumë që nuk zgjati gjatë. Por jam falënderuese për aq sa zgjati. Me se do të merreni tani?Mu ofrua një rol tek komedia e Pirandelos, por nuk e pranova. Ishte roli i thjeshtrës. Bëhej fjalë për rolin e një 18 -vjeçareje. Ka vajza të reja që mund ta bëjnë atë rol. Unë nuk dua të bëj shumë role dhe e refuzova. Dhe këtë kohë do ta shfrytëzoj për tu kujdesur për tim bir. Djali në shtator bëhet 18 vjeç. Do të shkoj tani ta takoj. Ime ëmë më tha që ka rënë pak nga mësimet dhe do të shkoj atje me shpresën që ai të më pranojë. Herën e fundit më tha: “Eva ti ke të drejtë, por kjo është rruga ime dhe nuk jam pishman”. Kjo ishte para 3 javëve. Tani të shohim, unë do t’i ofroj ndihmën time, por pa dhunë. Për të mirën e tij edhe e kam urdhëruar, sepse është e pamundur që ta gjejë kohën për të gjitha. Ai studion për violë dhe është student edhe në Shtudgart dhe në Vjenë. Ai është sakrifica ime. Pyes veten, nëse jam pishman. Por sinqerisht nuk jam. Nëse do të ishte nevoja do të bëja sërish të njëjtën gjë. Në kushtet e mia, unë, ose do të lija veten, ose do të lija atë, nuk mund t’i bëja dot të dyja. Në momentin që nuk jam më e dobishme për të, unë rrëmbej momentin. Dhe jam këtu.Si e priti djali vendimin tuaj?Mendoj se u gëzua në atë moment që “shpëtoi” nga unë. Por kam përshtypjen se i duhem. Ai duhet të shkojë në shkollë, të studiojë instrumentin, të bëjë sport, por do edhe që të shkojë të kërcejë, të bëjë dashuri.. Të gjitha këto bëhen, por duan organizim. Një njeri si Eva i bënte të gjitha. Jam bërë mjeshtre e organizimit, pasi kur nuk mund të kesh, duhet të dish. Dhe unë duhet ta ndihmoj atë të menaxhohet, por nëse ai do. Ndihet ndopak shqiptar djali juaj?I them ndonjëherë “austriak i keq” dhe ai ma kthen: Unë jam djali yt, jam shqiptar. Dhe i them me të qeshur, ç’të duhet, je mirë austriak. Por ai është krenar për të qenit shqiptar. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Kult” e mora me vete që të shihte se edhe unë bëja diçka. Por fundja ai nuk ka pse ta dijë se kush jam unë. Unë jam thjesht mamaja e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›