E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacolli: Mjeshtri s’donte të varrosej në Ishëm

 alma milePranë pikturave origjinale, aty janë shallet e tij me ngjyra, madje edhe këpucët bojëqielli. Dhe në atë ambient ku gjithçka të kujton atë, nuk ka sesi të mos ndiesh edhe shpirtin e piktorit të endet mes kanavacash e bojërash. Në Lugano të Zvicrës, në një nga vendet më piktoreske të tij, u hap dje Muzeu “Ibrahim Kodra”, me rastin e 4-vjetorit të vdekjes së piktorit. Ky muze është hapur me iniciativën e Behgjet Pacollit, i cili është autorizuar nga vetë piktori Kodra sa ishte gjallë, që të përkujdesej për gjithë trashëgiminë e tij kulturore. Në këtë Muze gjenden 16 vepra të Ibrahim Kodrës. Po çka e bëjnë atë edhe më tërheqës për vizitorët, janë veshjet dhe objektet personale të piktorit. Aty gjenden edhe shallet e tij, të cilët karakterizonin figurën e tij si artist. Gjenden edhe këpucët e kaltra, apo çorapet me lara.Pacolli mendoi ta ngrejë këtë muze në një ndërtesë të vjetër, shekullore, duke ia shtuar rëndësinë muzeut. Gjatë ceremonisë së hapjes së muzeut mësohet të kenë marrë pjesë autoritete shtetërore të Zvicrës dhe një numër i madh të kritikësh të shquar arti. I pyetur nga gazetarët, Pacolli u shpreh: “Unë e ndiej veten edhe më dinjitoz dhe më krenar që guxoj të përfaqësoj një figurë si Ibrahim Kodra, ndër figurat më të shquara të kubizmit botëror dhe figurën më shquar të kombit shqiptar, bashkë me Nënë Terezën”. Gjithashtu ai shprehu ambicien e tij për hapjen e një muzeu të tillë edhe në Kosovë. Si i autorizuar me testament që të kujdesët për krijimtarinë kulturore të Ibrahim Kodrës, ai ka treguar edhe një nga amanetet e fundit të mjeshtrit të madh. “Para vdekjes së tij, Kodra kishte lënë një amanet, që të varroset në Tiranë, e nëse jo aty, diku në Kosovë, por kurrsesi në fshatin Ishëm, në të cilin e varrosi qeveria e asaj kohe, pa miratimin e të autorizuarve të testamentit të tij. Në mënyrë të përshpejtuar e varrosën në fshatin e tij”, u shpreh Pacolli. Aso kohe, Pacolli dhe një tjetër kujdestar i trashëgimisë së Kodrës, së Fatos Faslliu u përpoqën që kjo të mos ndodhte, madje premtojnë se do të vazhdojnë të këmbëngulin deri sa ta plotësojnë këtë dëshirë të tij, që eshtrat të prehen aty ku ai e la amanet. Madje mbi varr t’i rëndojë një gur nga Kosova dhe një nga Shqipëria. Gjatë 15 viteve të fundit, kur forca e trurit të Ibrahim Kodrës ishte në kulminacion, por forca fizike nuk i përgjigjej, për të u kujdesën Fatos Faslliu dhe Behgjet Pacolli. Madje ky i fundit iu gjend afër tërë kohën. Ibrahim Kodra, u vlerësua edhe me titullin “Qytetar i komunës”, ku gjendet edhe hoteli i Pacollit, në Morcote. Ky hotel u bë si shtëpia e dytë e Ibrahim Kodrës. Aty të gjithë kujdeseshin për shëndetin e tij. Kjo është arsyeja pse trashëgiminë e tij ua la në përkujdesje këtyre njerëzve, të cilët pas vdekjes së tij janë kujdesur të menaxhojnë çka ai la pas dhe të nderojnë emrin e tij. Ata themeluan edhe fondacionin “Ibrahim Kodra”, i cili ka për detyrë të mbledhë dhe mirëmbajë veprat e Ibrahim Kodrës, ndërrimin e veprave të tij me muzetë e ndryshëm botërorë, në Madrid, Shën Petersburgut etj.Xhaferaj: Një mauzole në Ishëm për KodrënEdhe pse dëshira e piktorit ishte të prehej në Tiranë, apo në Kosovë, eshtrat e tij u varrosën në fshatin e lindjes në Ishëm. Edhe pse kujdestarët e trashëgimisë së tij vazhdimisht kanë thënë se ky nuk ka qenë vullneti i Ibrahim Kodrës dhe se vendi ku është varrosur është i papërshtatshëm, ankesa e tyre ka rënë në vesh të shurdhër. Madje, gjatë një ceremonie përkujtimore që u zhvillua ditën e shtunë pranë varrit të tij, u bë i njohur dhe një projekt për ngritjen e një mauzoleu, që do kthehet në një pikë turistike të vizitueshme. Ishte vetë ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, që në fjalën e rastit bëri të njohur projektin e iniciuar nga Qarku i Durrësit, ani pse mjeshtri nuk e donte një gjë të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›