E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alimusaj “zapton” galeritë e kryeqytetit

Galeria e Arteve nuk i ishte dukur e mjaftueshme piktorit Isa Alimusaj për t’i ekspozuar pikturat e veta. Për këtë ai kishte vendosur të hapë tri ekspozita në tri vende të ndryshme. “30 vjet profile dardane” titullohet ekspozita e hapur të mërkurën mbrëma në Galerinë e Arteve, ku mbizotërojnë pikturat vaj në pëlhurë. Po ashtu, Alimusaj ka hapë edhe dy ekspozita të tjera, që mbajnë po të njëjtin emër. Njëra në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, në të cilën janë paraqitur pikturat në teknikë të kombinuar letër-akrilik dhe letër-temper. Ndërsa në fuajeun e Teatrit Kombëtar janë prezantuar pikturat e tij në vaj pëlhurë dhe letër akrilik.

Sipas kritikut Nebi Muriqi, artisti figurativ Isa Alimusaj është piktor i figurës njerëzore në formë të siluetës, hijes së gjallë që pret në ankth nisjen për në të panjohurën. Ai e quajti piktorin Alimusaj një krijues të talentuar, të pasionuar dhe shumë produktiv. “Bota e tij pikturale mund të ndjehet më mirë sesa që mund të interpretohet në gjuhën kritike të artit pamor. Ai kur pikturon shpreh dhimbjen e njeriut në përgjithësi e atë të trollit të tij në veçanti”, u shpreh Muriqi. Sipas tij, turmat e tij njerëzore janë kalorës të stuhive, rrebesheve shekullore që përballen me ekzistencën, rezistencën, origjinën dhe mbijetesën.
Muriqi u shpreh më tutje se lajtmotiv i preokupimit të tij fisnik është fati i njeriut, peripecitë jetësore, vullneti për t’u mos u shkëputur nga dheu.

“Alimusaj mbron natyrën e krijimit artistik. Ai ia del të na bindë se piktura nuk mund të ndodh jashtë njeriut, kohës dhe hapësirës apo jashtë vet artit”, tha Muriqi.

Piktori Alimusaj, i cili ka kryer degën e pikturës në Akademinë e Arteve në Prishtinë, në klasën e Muslim Mulliqit, deri më tani ka marrë pjesë në ekspozita të shumta, si në vendet e ish Jugosllavisë por edhe në vende të ndryshme europiane. Ai po ashtu ka fituar shpërblime të shumta. Gjatë luftës në Kosovë atij i janë plaçkitur dhe dëmtuar nga pjesëtarët e forcave paramilitare serbe rreth njëqind vepra të dimensioneve dhe teknikave të ndryshme. “Isa Alimusaj mendon, flet dhe pikturon shqip”, ka shkruar për të kritiku i artit Mustafa Ferizi. Ndërkaq, piktori Fatmir Haxhiu, në një rast, ka thënë “Alimusaj është njohës shumë i mirë i reales dhe sureales (modernes dhe abstraktes). Piktura e këtij krijuesi më ka impresionuar aq shumë sa që pranë tij vetja mu duk shumë i vogël. Për mendimin tim ky është piktor shumë i madh”.

Në hapje të ekspozitës në Galerinë e Arteve ishte edhe vet piktori Alimusaj. Ai u shpreh se kjo është storia e tij për Dardaninë, për profilet dardane. “Këto dimensione janë të krijimtarisë time të fundit, ta them për tridhjetë vite. Vlerësimin e asaj që është ekspozuar këtu do ta bëni ju, do ta bëjë kritika”, u shpreh Alimusaj. Mirëpo, vlerësimin më adekuat, sipas tij, do ta bëjë koha.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›