E Shtunë, 31 Tetor 2026

Medalja e pavarësisë

Një medalje e dhënë për kontributin në çlirimin e Shqipërisë në vitin 1912 për Hamit Halitin dhe e ruajtur me fanatizëm nga familja e tij, gjendet edhe sot në shtëpinë e Sejdi Sak Halitit, në fshatin Syrigonë të Mitrovicës.

Kjo familje ka rrëfyer për Express se si me fanatizëm kanë ruajtur këtë medalje të gjyshit të tyre, Hamitit, i cili bashkë me vëllezërit e tij kishte punuar për të çliruar Atdheun në vitin 1912, përderisa kishin marrë pjesë edhe në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912.

Nipi i tij, Sejdi Haliti (1940) ka treguar se si familja e tij ka qenë gjithmonë shënjestër e pushtuesve serb.

“Gjyshi, Hamiti dhe agallarët, Haliti dhe Lahu, kanë qenë luftëtarë të Isa Boletinit. Motra e tyre, Qamilja ka qenë gruaja e heroit kombëtar. Kulla e tyre në Syrigonë është bombarduar e djegur disa herë nga ushtria turke. Tre vëllezërit: Haliti, Hamiti, dhe Lahu kanë marrë pjese në luftërat e përgjakshme kundër sundimit turk dhe forcave ushtarake të pushtuesve serbë më 1910-1912”, thotë Sejdiu për Express.

Haliti tregon se gjyshi i tij bashkë me 300 kosovarë, në krye me Isa Boletinin, kishin marrë pjesë në ngritjen e flamurit kombëtar dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.
“Të tre, bashkë me dhëndrin e tyre, Isa Boletinin, ishin krahu i djathtë i kryetarit të Qeverisë Përkohshme të Shqipërisë, Ismajl Qemailit. Ata kanë qenë edhe mbështetës të Qeverisë së Princ Vidit (1914), në luftën kundër forcave të Esat Pashë Toptanit. Në vitin 1916, ata u vendosën në Shkodër e prej andej në Podgoricë”.

Sipas rrëfimit te Xha Sejdiut, bashkë me Halitin e Lahun, ka qenë edhe babai i tij, Sak Hamit Haliti, i cili atëherë ishte rreth 16-17 vjeçar. “Pos agjallarëve të babait tim dhe babës, i cili atëherë ka qenë shumë i ri, në shoqërim të Isa Boletinit në Podgoricë kanë qenë edhe dhjetëra të tjerë”.

Të gjithë ngjarjen Sejdiut ia ka rrëfyer babi i tij, përderisa ai tregon edhe ngjarjen se si kishte ndodhur vrasja e atdhetarëve shqiptarë. Ata ishin vrarë nga forcat malazeze.
“Siç me ka rrefy baba im vrasja e gjyshit tim, Hamitit, Isa Boletinit, dy djemve te tij Halitit dhe Zahidit, dy nipave, Halitit e Jonuzit, dy miqve nga Radisheva, Hajdarit e Idrizit, dhe Niman Bales nga Isniqi, ka rrjedhur kështu: dy miqtë e tij nga Radisheva porsa kanë dalë nga shtëpia ku banonin janë vrare nga malazezët, të cilët kishin vënë pritë për rreth shtëpisë. Në përpjekje me forcat malazeze është plagosur rënde edhe gjyshi im, Hamiti. Me ndërmjetësimin e forcave austro-hungareze, zjarri ka pushuar dhe janë angazhuar njerëz për të hapur varret për të vrarët”, tregon ai historinë e babit të tij.
Pasi ishte plagosur rëndë, Haliti kishte nxjerrë nga gjoksi medaljen e tij dhe ia kishte lënë amanet djalit të tij, Sakës që ta ruante si sytë ballit.

“Merre këtë medalje dhe ruaje si sytë e ballit! Është shenjë dhe dëshmi për sakrificat që kemi bërë dhe gjakun qe kemi derdhun për Shqipërinë dhe lirinë e saj”, ishte amaneti që ai ia kishte lënë djalit të vet!

Pas këtij amaneti ishte varrosur atdhetari.

Medalja është ruajtur për 98 vjet nga gjyshja Duda, e cila ka qenë kushërirë e Isa Boletinit.

Sejdiu rrëfen se medaljet janë ruajtur nga tërë familja, ndërkaq në luftën e fundit ato ishin ruajtur në gurët e Kalasë që banorët e kësaj ane e quajnë Gjytet.

Sejdiu ka 70 vjet dhe është paralizuar para disa dite.

“Medaljen e tregova për ju sepse është diçka që kam dashur ta bëj me kohë. Lutja e ime është që eshtrat e gjyshit tim të sillën në Kosovë, tek Kullat e Boletinit bashkë me eshtrat e atdhetarëve të tjerë që janë sakrifikuar për Shqipërinë”, përfundon Sejdi Sak Haliti rrëfimin e tij.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›