Alis Baci: Luftëtari kthehet te fitorja me Besëlidhjen
Mbrojtësi shkodran parashikon një ndeshje të fortë, por nuk sheh asnjë shenjë që të pengojë suksesin e radhës në shtëpi
Erdhi radha e përballjes Luftëtari-Besëlidhja, ku gjirokastritët duhet të marrin revanshin, pasi në transfertën e fazës së parë kanë humbur. Dy ekipet në fjalë, bashkë me Lushnjën dhe Kukësin, janë 4 pretendentët kryesorë për hyrjen në superligë.
Dhe, si për çudi, Luftëtari do të ndeshet me to dhe me ekipin më me tradita në kategorinë e parë, Elbasanin, para se të ndeshet me Lushnjën, si për të plotësuar kapriçiot e shortit dhe shtyrjes së ndeshjes me Kukësin, që ishte për tu zhvilluar më 24 dhjetor 2011.
Në Gjirokastër filluan dje shirat dhe ekipi, si shpeshherë, u stërvit në fushën e futbollit të Derviçanit, që mban emrin e Lefter Millos, i cili humbi jetën para 15 vitesh në një aksident automobilistik. Ky përvjetor i dhimbshëm duhet të shërbejë si motivim për fitore, duke u frymëzuar nga shpirti i tij aq luftarak.
Baci Te Luftëtari këtë fazë luajnë 4 shkodranë, të cilët janë ndër lojtarët fondmentalë, duke nisur me portierin Selimaj, mbrojtësin Baci, mesfushorin Ramadani dhe sulmuesin Raboshta. Pra, në çdo sektor të ekipit gjirokastrit ka aromë shkodrane. Alis Baci, që angazhohet në krahun e majtë, shprehet:
Duket sikur humbja e 2 pikëve me Skraparin ka sjellë njëfarë hutimi në radhët e Luftëtarit, por them se një gjë e tillë nuk qëndron, sepse edhe ekipi kryesues do të ketë rezultate të tjera, përveç fitores. Rëndësi ka që këto të jenë sa më të pakta dhe deri tani tek ekipi ynë kështu ka ndodhur. Them se po me këtë ritëm do të vazhdojmë, duke qëndruar në vendin e parë të renditjes.
Me Skraparin barazuam vetëm për mungesë fati, sepse epërsia dhe rastet për gol ishin për ne. Ndeshjen e radhës e kemi në Gjirokastër me Besëlidhjen, që edhe ajo ka pretendime për superligën, kështu që kuptohet lehtë se do të kemi luftë të fortë sportive.
Në fushën tonë kemi vetëm fitore dhe nuk shoh asnjë shenjë, që mund të na e prishë këtë seri, gjithmonë duke pasur parasysh se do të luftojmë për topin e parë, do të mbyllim korridoret e kundërshtarëve dhe se nga shumë rastet që do të krijojmë për gol, do të kemi pak fat në realizim. Besoj se me fitoren e 14të do të gëzojmë jo vetëm veten, por gjithë tifozët dhe simpatizantët e Luftëtarit anembanë Shqipërisë dhe kudo që ndodhen.
