Gola sa gjysma e La Ligas

Cristiano Ronaldo ka shënuar gola i vetëm më shumë se dymbëdhjetë skuadra të kampionatit spanjoll të futbollit, La Liga. Futbollisti portugez e ka nisur furishëm sezonin e ri.
Futbollisti i Real Madridit të dielën që shkoi, në duel me Espanyolin, në fitoren 5:0, e shënoi golin e 30-të të sezonit nga 25 xhiro të zhvilluara, një statistikë kjo e jashtëzakonshme. Me këtë shifër, ish futbollisti i Manchester Unitedit ka shënuar më shumë gola sesa 12 skuadra tjera të Primera Division.
Në fakt, skuadrat si Osasuna (29), Sevilla (27), Espanyol (27), Betis (29), Real Sociedad (27), Mallorca (24), Getafe (25), Granada (22), Villarreal (26), Racing Santander (21), Sporting Gijon (23) dhe Zaragoza (21), asnjëra nga to nuk i kanë shënuar nga 30 gola, sa ka realizuar i vetëm ‘CR7’.
Ylli portugez ka shënuar në 15 ndeshje të këtij kampionati, ndërsa ka dalë duarthatë në dhjetë të tjera. Ai shënoi gjashtë herë nga një “hat-trick”: kundër Zaragosës, Rayo Vallecanos, Malagës, Osasunës, Sevillës dhe Levantes. Ai gjithashtu realizoi dygolësha ndaj Atletico Madridit dhe Athletic Bilbaos.
Vitin e kaluar, futbollisti më i shtrenjtë në botë realizoi 40 gola në kampionat dhe theu rekordin që e kishin vendosur Zarra dhe Hugo Sanchez, me 38 gola. Këtë sezon mesatarja e realizueshmërisë së tij është më e mirë, me 1.2 gola për ndeshje, çka do të thotë se nëse vazhdon me këtë ritëm, ai mund ta mbyllë sezonin fantastik me një shifër përfundimtare prej 45 golash.
Ronaldo ishte transferuar në Real Madrid gjatë verës së vitit 2009 nga Manchester Unitedi për një shifër rekorde prej 96 milionë eurosh. Edhe pse nuk arriti të fitonte trofe të rëndësishëm me ‘Los Blancos’, në nivelin personal pati paraqitje të jashtëzakonshme, duke i arsyetuar paratë e shpenzuara për të.
Deri tash, ai me Realin e ka fituar vetëm trofeun Copa del Rey (Kupa e Mbretit), ndërsa është në rrugë të mirë ta fitojë këtë sezon La Ligan dhe po i shkojnë punët mirë edhe në Ligën e Kampionëve.