E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja Partizani kalon sërish te Ministria e Ekonomisë

Nga ILIR CARA

Ministria e Mbrojtjes i ka plotësuar mangësitë në dosje dhe tani pritet regjistrimi në QKR

Ka kohë që flitet për themelimin e një shoqërie të re për Partizanin, i cili këtë sezon ka përfunduar në kategorinë e dytë. Është Ministria e Mbrojtjes ajo që e mori Partizanin nën administrim në fillim të edicionit, si dhe prej javësh është marrë me përpilimin e dokumentacionit për themelimin e një shoqërie të re aksionare, që nuk ka lidhje me ata që drejtohet nga Albert Xhani.

Për disa mangësi në dokumentacion, Ministria e Ekonomisë ia ktheu mbrapsht dikasterit të mbrojtjes. Mësohet se mangësitë në dokumentacion janë plotësuar dhe dosja Partizani ka kaluar sërish nga Ministria e Mbrojtjes tek ajo e Ekonomisë. Do të jetë pikërisht ky dikaster, që drejtohet nga ministri Nasip Naço, që do të bëjë regjistrimin e shoqërisë së re në QKR dhe pastaj do të hapet tenderi për shitjen.

Para disa kohësh u tha se ministri Nasip Naço është shprehur i gatshëm për të shpejtuar procedurat e çështjes Partizani. Gjithsesi, Ministria e Mbrojtjes ka dalë garante se do ta ndihmojë Partizanin deri në momentin që do të shitet shoqëria e re aksionare, e cila pritet të regjistrohet. Kjo është një procedurë që merr kohën e saj, por ajo që nuk pret te Partizani është se skuadra duhet të kthehet menjëherë te fitorja.

Të dielën Partizanin e pret një transfertë e vështirë, ajo me Bilisht Sportin, ku pritet që ekipi të reagojë pas humbjes së paritur në fushën e Memaliajt. Ishte një start negativ i fazës së dytë, që e vë në rrezik vendin e pare, pasi rivalët e të kuqve janë afruar. Gjithsesi, të gjithë besojnë se kthesa do të vijë menjëherë, edhe pse sfida me bilishtarët parashikohet shumë e vështirë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›