E Diel, 1 Nëntor 2026

Merxha: Elbasani nuk i ka humbur shpresat

Nga Elton Karaj

Kapiteni i verdhebluve, Eriol Merxha, mendon se skuadra do të kthehet me fitore nga Erseka dhe do të mbetet në garën e superligës 

Elbasani luan të shtunën një finale në Ersekë, ku vetëm 3 pikët do ta mbanin në lojë për një vend në 5-shen e parë. Lojtarët verdheblu e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë dhe këto ditë po përgatiten për ta kaluar me sukses Gramozin, që nga ana e tij ndidhet në vështirësi. Një hap tjetër i gabuar do të thotë se Elbasani duhet të qëndrojë të paktën edhe një sezon në kategorinë e parë, por lojtarët e tij nuk pajtohen me këtë version.

Kapiteni i skuadrës, Eriol Merxha, thekson për Sportin shqiptar se Elbasani nuk ka çtë humbasë më këtë sezon dhe do të luftojë maksimalisht për të fituar çdo ndeshje. Ai ndien keqardhje për barazimin me Besëlidhjen, por mendon se ka ende shanse për të shkuar në play-off, kështu që nuk duhen humbur shpresat:

Kuptohet që në vazhdim të kampionatit, sidomos tani, pas barazimit në fushën tonë, çdo ndeshje e kemi si finale, ku edhe një gabim i vetëm na nxjerr nga objektivi. Nuk kemi çfarë të humbasim, kështu që të gjitha bateritë do ti shkarkojmë për të marrë  vetëm 3-pikësha. Nëse do të kishim fituar me Besëlidhjen, sigurisht që do të ishim më afër vendeve të kreut, por nuk i kemi humbur shpresat për realizimin e objektivit, ka theksuar kapiteni verdheblu.

Gramozi Për transfertën e kësaj jave Merxha pohon se është një test mjaft i vështirë. Gjithsesi, ai beson se Elbasani do të kthehet me fitore nga Erseka: Kemi përpara një ndeshje të vështirë me Gramozin, që lufton për të mbijetuar në kategorinë e parë. Jemi të vetëdijshëm që nuk do ta kemi aspak të lehtë, por them se është një provë e kalueshme për skuadrën tonë.

Do të shkojmë në Ersekë me synimin e vetëm për 3 pikët, pasi edhe barazimi nuk na bën punë. Me Besëlidhjen nuk patëm fat dhe shpresoj që të ndodhë e kundërta me Gramozin, që ne të marrim pikët maksimale dhe tu afrohemi rivalëve, ka përfunduar kapiteni i Elbasanit, Eriol Merxha.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›