E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjoni: Lushnja meriton direkt superligën, ka stofin e saj

Nga Julian Kasapi

Mesfushori lushnjar Kelvis Gjoni thekson se skuadra e tij ka cilësinë e duhur për ta përfunduar kampionatin në dy vendet e para

Futbollistëve lushnjarë, pas fitores me Himarën në transfertë, u është hapur oreksi dhe kërkojnë të fitojnë ndaj çdo kundërshtari që u del përpara. Ata duan me çdo kusht që ta arrijnë objektivin për kalimin direkt një kategori më sipër. Lushnja ka tre vjet që nuk e shikon skuadrën në elitën e futbollit shqiptar, një periudhë e gjatë kjo, që duket se do të marrë fund në fund të këtij sezoni.

Të gjithë futbolldashësit në ambientet sportive flasin fjalët më të mira për trajnerin Malko, i cili po e drejton skuadrën me shumë kompetencë. Në 13 ndeshjet që ai është në krye të Lushnjës ka marrë 31 pikë, me 10 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje. Të dyja humbjet janë pësuar jashtë fushe, konkretisht në Gjiroakstër me Luftëtarin dhe në Kukës me skuadrën vendëse, kurse barazimi i vetëm është ai i Mamurrasit.

Skrapari Verdhejeshilët e presin më shumë qetësi ndeshjen e së shtunës me Skraparin, ku besohet se skuadra do të shfryjë në një fitore me goleadë. Në Lushnjë nuk e harrojnë ndeshjen e fazës së parë në Skrapar, kur jo vetëm futbollistët në fushë, por edhe tifozëria lushnjare ka humbur shumë dinjitet.

Skuadra e drejtuar asokohe nga Baballëku humbi dy pikë mjaft të vlefshme nga gjykimi, por edhe sjellja ndaj tifozëve lushnjarë nuk ishte e denjë. Lushnja ka tifozërinë më të gatshme në vend për ta ndjekur skuadrën e zemrës, aq sa në Himarë më shumë ishin lushjnarë sesa himarjotë. Të gjithë dashamirësit e futbollit lushnjar mezi presin që skuadra e tyre të siglojë një tjëtër fitore këtë javë.

Gjoni Pavarësisht nivelit të dy skuadrave, myzeqarët nuk po e neglizhojnë kundërshtarin. Duam që tifozëria jonë të rritet në numër në ndeshjen me Skraparin. Lushnja e ka treguar veten se është skuadër me stof superlige dhe kjo më së miri u vërtetua në transfertën e javës së shkuar, në Himarë. Pozicioni në tabelën e klasifikimit ka ardhur vetëm nga puna dhe cilësitë e skuadrës.

Vërtet shënova një gol me 11-metërsh në Himarë, por merita ishte e gjithë skuadrës, – ka thënë për Sportin shqiptar Klevis Gjoni, i ciili e nisi ndeshjen e fundit nga stoli, por shënoi një gol të rëndësishëm pas 11-metërshit të fituar nga Renato Sula. Për lushnjarët nuk ka rezultat tjetër veç fitores në ndeshjen e së shtunës: Të gjithë jemi të gatshëm për ndeshjen e radhës. Kam pasur një dëmtim dhe tashmë e kam kaluar, ndaj mendoj se do të jem titullar.

Do të fitojmë padyshim në këtë ndeshje, por kjo nuk do të thotë se e kemi neglizhuar kundërshtarin, që fazën e parë na ka mohuar dy pikë të vlefshme. Po punojmë dhe po i marrim ndeshjet një e nga një, duke bërë përgatitjen e duhur. Lushnja vërtet e meriton dhe kam besim se në fund të kampionatit do të jetë në superligë, – ka mbyllur fjalën e tij mesfushori Klevis Gjoni.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›