"Alitalia" drejt falimentimit...?
I duhet ende edhe më shumë se një javë për të marrë postin, por Kryeministri i sapozgjedhur i Italisë, Silvio Berluskoni, po përballet me krizën e tij të parë: falimentimin e pritshëm të "Alitalia"-s. Nëse kompania ajrore italiane rrënohet, më shumë se 18 mijë vetë do të humbnin vendet e tyre të punës. Do të kishte gjithashtu edhe probleme për aeroportet e vendit dhe për industrinë e tij të turizmit, përveçse do të turpëronte qeverinë. Por gjithsesi, në arkat e kompanisë ka para të mjaftueshme për të vazhduar punën deri në fund të prillit. Kolapsi shumë i mundshëm i "Alitalia"-s, është faj i Berluskonit. Qeveria e Romano Prodit, kishte negociuar një marrëveshje me "Air France-KLM", e cila do ta mbante në jetë kompaninë italiane. Homologia franceze, më e madhja në botë për sa i takon të ardhurave, ishte e vetmja që kishte shfaqur interes për kompaninë italiane, e cila ka një flotë avionësh të vjetruar, marrëveshje kaotike sindikaliste, konsumatorë në tkurrje dhe borxhe të mëdha. Por, sipas francezëve, kjo do të kishte një kosto: shkurtimin e 2300 vendeve të punës. Pikërisht këtë klauzolë, gjatë fushatës elektorale, Berluskoni e konsideroi arrogante dhe të papranueshme dhe tha se nëse do të zgjidhej Kryeministër, do ta refuzonte atë. Duke marrë zemër nga retorika e Berluskonit, sindikata e kompanisë ajrore u tërhoq nga marrëveshja me francezët dhe rriti kërkesat e saj. "Air France" u përgjigj duke pezulluar bisedimet, por sindikatat ishin të bindura se ishte thjesht presion dhe kompania do të kthehej në bisedime sapo Berluskoni të ulej në detyrë. Pasi fitoi zgjedhjet, javën e shkuar, Berluskoni iu kthye komenteve të tij të ashpra, duke thënë se planifikonte ta ngrinte çështjen e së ardhmes së kompanisë në bisedimet me Presidentin Nikolas Sarkozi. Gjithsesi, këtë javë, Franca vendosi të tërhiqej përfundimisht. Presidenti i "Air France-KLM" informoi Berluskonin për këtë vendim të hënën, duke cituar "ecurinë e ngadaltë të negociatave dhe panoramën e zymtë ekonomike". Në një deklaratë të njëanshme, kompania ajrore franceze tha se tërhiqej nga negociatat edhe sepse parakushtet nuk ishin plotësuar. Mes këtyre kushteve, ishte edhe pranimi i marrëveshjes nga ana e qeverisë së pritshme dhe sindikatave, si edhe rrëzimi i një padie penale nga SEA, kompania që operon në aeroportin e Milanos, Malpensa, kundër "Alitalia"-s. Kompania italiane humbet 1 milion euro në ditë dhe qeveria italiane e ka të ndaluar nga BE-ja që t‘i japë asaj një borxh tjetër. Kompania prej vitesh ka qenë mollë sherri mes qeverisë dhe sindikatave, duke lënë taksapaguesit të paguajnë faturën. Gjatë fushatës elektorale, Berluskoni kishte deklaruar se investitorë italianë, ndoshta edhe anëtarë të familjes së tij, mund të hidheshin në shpëtim të kompanisë, por ata deri më tani kanë hezituar të hedhin një hap përpara. Berluskoni, që javën e shkuar priti Presidentin Vladimir Putin në vilën e tij në Sardenjë, shpreson gjithashtu që të ngjallë interesin e kompanisë ajrore ruse, "Aeroflot", që vitin e kaluar shqyrtoi mundësinë e blerjes, por nuk dha asnjë ofertë.