Klinton fiton Pensilvaninë, reziston Obama
Hillari Klinton ka mundur rivalin e saj, Barak Obama, në votimet në shtetin e Pensilvanisë, ndërkohë që të dy ata përballen për të fituar kandidaturën e demokratëve për në zgjedhjet e nëntorit. Duke folur pas fitores së saj të dukshme, Klinton tha se amerikanët meritonin një President që nuk dorëzohej. Edhe pse kjo fitore e mban gjallë fushatën e saj, Klinton sërish përballet me një betejë të egër. Obama tha se, në krahasim me fillimin, ai e kishte ngushtuar në mënyrë të dukshme rezultatin në Pensilvani. Në përfundim të numërimit të votave, Hillari Klinton kryesonte me 54.7 për qind të votave kundrejt 45.3 për qindëve të Obamës. Ish-zonja e Parë, i tha mbështetësve të entuziazmuar në një miting fitoreje në Filadelfia, se ajo kishte mundur një kundërshtar të shkëlqyer. "Disa njerëz më mendonin jashtë loje dhe më kishin kërkuar madje të tërhiqesha. Por, amerikanët nuk tërhiqen dhe ata meritojnë një President që nuk tërhiqet gjithashtu", tha ajo. Ajo apeloi gjithashtu për më shumë donacione për fushatën e saj elektorale, duke thënë se kjo ishte e vetmja mënyrë që të mund të vazhdonte të përballej me një kandidat që kishte shpenzuar shumë më tepër se ajo. Obama përgëzoi Klintonin, ndërsa fliste në një miting në Indiana, një nga shtetet e radhës ku do të zhvillohen votimet paraprake. Por, tha gjithashtu se fushata e tij kishte shkuar më mirë nga sa pritej në Pensilvani. "Kishte shumë nga ata që nuk e mendonin se do të kishte një garë të tillë, kaq të ngushtë", tha ai. "Gjashtë javë më vonë ne ngushtuam diferencën. Mblodhëm njerëz të çdo moshe dhe race përreth kauzës tonë". Në fakt, fitorja e Klintonit në Pensilvani është padyshim e rëndësishme, por nuk i përmbys shifrat e deritanishme. Rivali i saj, Barak Obama, vazhdon të ketë një numër më të madh delegatësh për në konventën përfundimtare, si edhe më shumë para për të shpenzuar. Sondazhet në mediat amerikane sugjerojnë se Klinton ka fituar duke marrë votat e punëtorëve, grave dhe burrave të bardhë. Gratë, që janë të prirura të mbështesin Klintonin, përbëjnë 60 për qind të zgjedhësve demokratë në këtë shtet. Klinton, gjithashtu, ka fituar edhe mbështetjen e gjashtë në çdo dhjetë të pavendosur që kanë pritur deri në momentin e fundit për të bërë zgjedhjen e tyre. Edhe një herë tjetër, ekonomia ishte çështja kryesore për zgjedhësit dhe më shumë se 80 për qind e të anketuarve thanë se vendi i tyre ishte zhytur në recesion. Me katër milionë demokratë të regjistruar dhe 158 delegatë në lojë për në konventën e Partisë Demokratike, që do të zhvillohet në gusht, Pensilvania ishte e fundit ndër shtetet e mëdha, që zhvillonte zgjedhjet paraprake. Edhe pse Hillari Klinton është prapa rivalit të saj për sa i takon numrit të delegatëve të siguruar dhe totalit të votave të marra, ajo ka fituar në pjesën dërrmuese të shteteve të mëdha. Por, ndërsa delegatët ndahen në mënyrë proporcionale me votat e marra, asnjë prej kandidatëve nuk pritet të fitojë numrin e mjaftueshëm për të vulosur nominimin para përfundimit të të gjitha zgjedhjeve paraprake dhe të dy ata po përpiqen të "joshin" rreth 800 superdelegatët që do të jenë vendimtarë në çastet finale.