E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr Itali-BE për postin e Fratinit

Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barrozo, ka vendosur që komisioneri i ri evropian i Italisë të marrë portofolin e transporteve dhe jo atë të drejtësisë dhe çështjeve të sigurisë. Lajmi pason sinjalet nga Roma, sipas të cilave, Franko Fratini, komisioneri aktual i drejtësisë në BE, do të bëhet ministër i Jashtëm në qeverinë e Silvio Berluskonit. Komisioneri francez, Zhak Barrot, më herët në krye të transporteve, tani pritet të marrë postin e profilit të lartë, në krye të drejtësisë dhe sigurisë. Barrozo tha në një deklaratë për shtyp se Barrot kishte zëvendësuar kolegun e tij italian gjatë largimit të përkohshëm të Fratinit, përgjatë periudhës së zgjedhjeve, në një mënyrë të kënaqshme. Për këtë arsye, si edhe në mënyrë që të sigurohet koherencë dhe efektivitet në postin kompleks dhe delikat të drejtësisë, ai i ka kërkuar komisionerit francez të marrë përgjegjësinë për këtë portofol, për pjesën tjetër të mandatit. Portofoli i drejtësisë konsiderohet si një nga më të rëndësishmit në ekzekutivin e BE-së, ndërsa posti i transporteve do t‘i jepte një komisioneri evropian më shumë zë veçanërisht në kohën kur Brukseli duhet të thotë fjalën e tij për "Alitalia"-n, kompaninë ajrore italiane që është prej kohësh në vështirësi. Kryeministri në largim i Italisë, Romano Prodi, ka shprehur pakënaqësi në lidhje me këtë këmbim portofolash. Ai tha se është në dijeni të faktit se portofolat në komision i cakton Presidenti, por ndarja duhet bërë në bashkëpunim me qeveritë e vendeve anëtare. Lëvizja e Barrozos duket se ka pasur mbi të gjitha si qëllim shmangien e kundërshtive dhe polemikave që mund të shpërthenin në lidhje me një kandidaturë të re italiane për të zëvendësuar Fratinin. Mediat italiane kanë përmendur Antonio Tajanin, një eurodeputet nga qendra e djathtë e Silvio Berluskonit, si kandidatin më të mundshëm, ndërkohë që disa deputetë janë të shqetësuar se ai mund të ketë qëndrime më të ashpra ndaj emigracionit se sa paraardhësi. Në 2004-n, eurodeputetët refuzuan Roko Butiljonen, i propozuar po nga Berluskoni, për shkak të këndvështrimeve të tij mbi homoseksualët dhe gratë. Roma, pas kësaj, zëvendësoi Butiljonen me Fratinin. Ekzekutivi i kryesuar nga Barrozo është në detyrë deri në vjeshtën e 2009-s. Deri më tani, Fratini është komisioneri i tretë që largohet nga detyra.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›