E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aliu: Kosova e Shqipëria e kanë injoruar Preshevën

Pas heqjes së Lapidarit të luftëtarëve të UÇPMB-së në Preshevë nga ana e qeverisë së Serbisë, është i kuptueshëm mllefi i shqiptarëve kudo që ata jetojnë. Deputeti i Lëvizjës Vetëvendosje, Libun Aliu ka thënë se, mllefi prodhon edhe reaksion spontan, si nevojë për revanshizëm. Mirëpo, në këtë moment duhet të jemi të kujdesshëm që ky revanshizëm mos të jetë i drejtuar kundër simboleve, por kundër politikës.

“Rrënimi i varrezave, dhe i lapidarëve, barazimi i politikës serbe me simbolet kulturore e religjioze serbe, si dhe me monumentet e LNÇ-së veç se e zhvendos vëmendjen nga akti i ulët i qeverisë serbe në Preshevë”, ka thënë Aliu, duke shtuar se përgjigja jonë duhet të jetë politike. Kjo përgjigje duhet të jetë e koordinuar midis Tiranës dhe Prishtinës.

Ai tha se institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë deri më tash e kanë injoruar problemin në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Njëra palë kanë negociuar me Serbinë, ndërsa tjetra e ka mbështetur dialogun pa kushte për Kosovën. Në këto negociata, të drejtat e shqiptarëve në tre komunat s’ kanë qenë as kusht as temë. E më e keqja është se qytetarëve atje u është krijuar iluzioni se në to, do të trajtohet çështja e tyre. Kjo ka krijuar shpresë të rreme.

Hapi i domosdoshëm i kryeministrit është ndërprerja e negociatave me Serbinë dhe heqja dorë nga implementimi i marrëveshjeve të deritanishme.

Në fund ai tha se negociatat kanë kuptim mes palëve të barabarta dhe ato duhen të jenë mbi baza reciprociteti. Prandaj, kushtet para negociatave për Serbinë janë të domosdoshme dhe njëri nga këto kushte duhet të jetë plotësimi i kërkesave dhe të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›