E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petroviq: Janë relaksuar marrëdhëniet

Zëvendëskryeministri, Sllobodan Petroviq, ka thënë se pas arritjes së marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë kanë filluar të relaksohën në mes të këtyre dy shteteve.

“Vetë fillimi i dialogut dhe takimi i funksionarëve më të lartë, para së gjithash kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, si dhe presidentes Atifete Jahjaga dhe presidentit Tomisllav Nikoliq kanë bërë që marrëdhëniet të bëhen më të relaksuara në mes të Kosovës dhe Serbisë. Si pjesëmarrës i dialogut në Bruksel isha dëshmitar se në secilin rund të tij, madje edhe kur në rend të ditës ishin tema më të vështira dhe më të komplikuara, marrëdhëniet normalizoheshin dhe kalonin në konstruktive”, ka deklaruar Petroviq.

Në këtë bisedë për “Epokën e re” zëvendëskryeministri Petroviq ka thënë se Kosova dhe Serbia janë të vendosura ta implementojnë pikë për pikë marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore e cila është arritur në Bruksel më 19 prill të këtij viti. “Informatat e para nga terreni flasin se të dyja palët, pra edhe Prishtina edhe Beogradi, janë të vendosura që marrëveshjen ta zbatojnë deri në fund. Dua të besoj se të gjitha problemet më të vogla të cilat do të paraqiten në këtë rrugëtim do të tejkalohen”, është shprehur Petroviq.

Në këtë kontekst, Petroviq, i cili është edhe kryetar i Partisë Liberale Serbe (SLS), ka thënë se kjo parti do të jetë faktor shumë i rëndësishëm i zbatimit të marrëveshjes së Brukselit. “Para së gjithash, Partia Liberale Serbe (SLS) është një nga faktorët më të rëndësishëm se pse ka ardhur deti tek dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne i kemi fituar në dialog e në fund, kur kanë mbetur temat më të ndjeshme, jemi përfshirë drejtpërdrejt në të”, është shprehur Petroviq. Sipas Petroviqit, që nga fillimi i dialogut politik në mes të Kosovës dhe Serbia, SLS-ja ka luajtur rol konstruktiv në avancimin dhe relaksimin e raporteve në mes të dy shteteve. “Roli ynë në implementimin e marrëveshjes tanimë është trajtuar konstruktiv. Asnjë vërejtje në rolin tonë në këtë proces nuk keni mundur ta dëgjoni”, ka deklaruar Petroviq.

Pavarësisht arritjes së marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve në mes të Prishtinës dhe Beogradit, zëvendëskryeministri Sllobodan Petroviq ka thënë se nuk pret nga Serbia ta njohë së shpejti pavarësinë e Kosovës. “Normalizimi i marrëdhënieve është një gamë e zgjidhjeve praktike të cilat rrjedhin nga marrëveshja e Brukselit. Mendoj se Serbia nuk do ta njohë së shpejti pavarësinë, por do t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën”, ka thënë Petroviq. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›